LAJMI I FUNDIT:

Dialogu strategjik me SHBA, Arifi: Kosova nuk po përparon, shumë vonë

Dialogu strategjik me SHBA, Arifi: Kosova nuk po përparon, shumë vonë

Ekspertët e politikës paralajmërimet për finalizimin e dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e shohin si shumë pozitiv, por edhe të vonuar.

Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se Kosova dhe SHBA-ja do ta finalizojnë së shpejti dialogun strategjik. Ky vendim u konfirmua pas takimit me zëvendës sekretarin e Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma.

Sipas ekspertit të politikës, Dritëro Arifi është një tentim i mirë, por shumë i vonuar.


Arifi tha për KosovaPress, se Kosova nuk po përparon dhe kjo është një mënyrë për t’i rregulluar marrëdhëniet me SHBA-të

“Është pak shumë vonë, pas katër vjetëve të bie në mend diçka që ka mundur të bëhet menjëherë pas ardhjes në pushtet së bashku me Vetëvendosjen dhe mendoj që është një tentim i mirë, por shumë i vonuar, por më mirë vonë se kurrë… Është më shumë një tentim për t’u dukur ajo (Vjosa Osmani) pozitive, por jo Kosova, sepse Kosova nuk po përparon. Ne i kemi dëmtuar raportet me SHBA-në dhe po mundohet (Vjosa Osmani) disi t’i riparojmë”, tha Arifi.

Çka është dialogu strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?
Lexo po ashtu Çka është dialogu strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?

Sipas Arifit, raportet mes Presidencës dhe Qeverisë Kurti kanë ndryshuar për të keq, pas ndryshimit të qasjes së Vjosa Osmanit, për shkak të mos përfilljes që i bëhej asaj nga ana e kabinetit qeverisës.

“Kur janë dëmtuar raportet Presidencë- Qeveri, e kemi këtë ndryshim të qasjes së politikës së Vjosa Osmanit. Kjo është shumë e vonuar dhe në njëfarë mënyre po vërehet që ku aty ku nuk ka vizion politik, mandej dalin në pah dalin diferencat politike. Derisa ka pasur harmoni mes Qeverisë Kurti dhe Presidencës, gjithçka ka qenë në rregull. SHBA-ja në një mënyrë nuk ka pasur shumë të drejtë, mes rreshtave, kështu e ka thënë presidentja kur e ka parë që situata është shumë serioze dhe Qeveria nuk po e përfill presidenten, atëherë ka ndryshuar orientimi”, tha ai.

Eksperti i politikës Arifi theksoi edhe të mirat e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Të mirat do të ishin në shumë drejtime. Më e rëndësishme, është që do të konfirmohet vazhdimi i thellimit të fuqizimit të subjektivitetit dhe Kosovës në të paktën në institucione perëndimore, anëtarësimi i përshpejtuar në NATO dhe njohja nga katër vendet e BE-së, normalisht në raport me të gjitha marrëveshjet që janë zotuar dhe janë nënshkruar që Kosova t’i zbatojë”, theksoi Arifi.

Dialogu strategjik është proces që Departamenti i Shtetit në shumicën e rasteve e zhvillon me vende të ndryshme botërore, me qëllim të avancimit të raporteve bilaterale.