LAJMI I FUNDIT:

CA GJËRA NA I BËJNË ME GISHT DHE QESHIN

CA GJËRA NA I BËJNË ME GISHT DHE QESHIN

Poezi nga: Emanuel Carnevali
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ca gjëra
fshihen nga sytë e njerëzve
dhe dëgjohen
si qajnë me ngashërim.
Ca gjëra bien nga qielli:
gjëra të zeza, pa trajtë, përbindsha
të natës dhe tmerre
të ditëve.

Ca gjëra duket se na janë vendosur
nga Zoti dhe Djalli.
Gjëra që duket se ndër humnera u lindën
dhe në terr u rritën.
Ca gjëra kanë pamjen e mirësisë
sikur zjarri
t’i kishte gdhendur në basoreliev.
Ca gjëra qeshin gjersa bëhen kafka
dhe pastaj vazhdojnë të zgërdhihen.


Ca gjëra janë si pemë pjeshke,
fruta të blerta japin kohë të gjatë.
Ca gjëra janë si vena që pimë
veç për t’u dehur.
Ca gjëra na godasin zemrën
si kumbim këmbanash,
pastaj vazhdojnë jehonën.

Ca gjëra na zgërlaqin zemrën,
si të qe ndonjë kacabun.
Dhe është e tmerrshme, si zgërlaqja
e një kacabuni me këmbë.
Ca gjëra janë si rrufeja:
mund të drejtohen
anipse të rrezikshme.
Ca gjëra janë si mendime këmbërënda,
të rëndë e kanë këmbën edhe në banofshin në qiell.

Ca gjëra si shqiponjat janë.
Jetojnë lart
dhe shumë lehtë mund ta harrojnë tokën.
Ca gjëra janë si tërmeti:
të gjitha frikërat tona përdorin.
Ca gjëra janë si Bukuria, që ka vdekur qyshkur:
vetëm ujët nga pusi më i thellë mund t’i lajë dhe t’i zgjojë.