LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 9° fog

Shfaqja “Ping Pong dhe Dashuri” zbulon dramën e qëndresës përballë zhvillimit të pamëshirshëm

Shfaqja “Ping Pong dhe Dashuri” zbulon dramën e qëndresës përballë zhvillimit të pamëshirshëm

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka shfaqur të enjten mbrëma premierën e dramës “Ping Pong dhe Dashuri”, të autorit dhe regjisorit Butrint Pasha, duke pasqyruar për publikun e pranishëm realitetin e zhvillimit të pakontrolluar urban dhe përplasjet emocionale që pasojnë.

Ky rrëfim artistik, përmes interpretimit të aktorëve: Alban Krasniqi, Blin Mani, Edona Sopaj dhe Alban Çela, ka përkujtuar se urbanizimi, përveçse një proces ekonomik, është edhe një përballje e vazhdueshme mes identitetit, traditës dhe modernizimit, me ç’rast shtrohet dilema se çfarë duhet humbur për të ndërtuar një të ardhme të re.


Fituesi i platformës për zhvillimin e dramës bashkëkohore vendore Contempora 2023, ka paraqitur familjen e Fatmir Filigranit, që jeton në një shtëpi të vogël dhe të vjetër të mbetur në mes të një kompleksi të madh banesor. Ky vendbanim modest, simbol i qëndresës përballë ndërtimeve të egra, ka qenë epiqendra e një lufte të heshtur mes të vjetrës dhe të resë, mes identitetit dhe interesave ekonomike. Familja ka refuzuar që të largohet, duke përballuar presione të vazhdueshme nga ndërtuesi, i cili përpiqet që me çdo kusht ta blejë këtë pronë për të zgjeruar kompleksin. Por në fund, edhe kjo rezistencë shuhet.

Kësisoj “Ping Pong dhe Dashuri” ka eksploruar me ndjeshmëri përplasjet sociale dhe emocionale që lindin nga zhvillimi i pamatur urban, duke u përqendruar në vlerat e trashëgimisë familjare dhe identitetit që sfidojnë kapitalizmin e pashpirt dhe modernizimin që shkatërron pa mëshirë.

Autori dhe regjisori, Butrint Pasha, premierën e ka përshkruar si kulmin e një procesi të filluar më shumë se dy vite e gjysmë më parë, prej shkrimit të veprës, te filtrimi në Contempora 2023 e deri tek regjia e shfaqjes. Këtë të fundit e ka cilësuar si përgjegjësi të jashtëzakonshme.

“Mirëpo në këtë rast, punën ma kanë bërë më të lehtë ekipi i teatrit ‘Bekim Fehmiu’ dhe po shpresojmë që me idenë e nisur me këtë projekt me ngrit vetëdijen ndaj ndërtimeve të egra. Shpresoj që shfaqja të ketë jetë të gjatë dhe të realizoj misionin e saj artistik”, ka thënë Pasha për Telegrafin.

Sipas tij, për shkak të realitetit ekzistues kjo temë është e afërt për publikun kosovar.

“Realisht jam fokusuar te pasojat që i ka pas familja si shkak i jetesës në këtë hapësirë dhe fatkeqësisht dhe fatmirësisht rastet janë aq të shpeshta në vendin tonë sa që nuk është vështirë me gjet një model, të cilit mund ti përmbahesh për të arritur që rrëfimi me qenë i afërt për publikun”, është shprehur ai.

Në të njëjtën kohë ka theksuar se porosia e dramës ka peshë për publikun.

“Uroj që sa më shumë njerëz ta përcjellin këtë shfaqje, jo për punën që e kemi bërë, por për shkak të mesazhit, dhe ndoshta mund të arrijmë ti bindim një pjesë të mirë të popullatës që të krijojmë revolta si Fatmir Filigrani dhe mundësisht ta ruajmë ambientin dhe të ardhmen tonë”, ka deklaruar për Telegrafin.

Ndërkaq aktori prizrenas, Alban Çela, i cili ka interpretuar rolin e ndërtuesit ambicioz ka theksuar se tema e trajtuar në dramë është aktuale marrë parasysh ndërtimet e shumta në qytetet e Kosovës.

“Qëllimi i personazhit që e kam interpretuar ka qenë që me çdo kusht t’ia blej shtëpinë Fatmir Filigranit, i cili i vetmi në lagje ka rezistuar, dhe në fund pas vdekjes së tij e arrij këtë qëllim”, ka sqaruar Çela për Telegrafin.

Ndonëse roli i tij është përcjellë me momente tensioni, ai ka vlerësuar reagimin e publikut si të duhur.

“Reagimi i publikut na ka dhënë një ndjenjë të mirë. Ka pas dramë, momente pikëlluese, por personazhi që kam interpretuar ka thyer paksa ritmin brenda shfaqjes dhe mendoj se publiku është ndarë i kënaqur me shfaqjen”, ka thënë Çela për Telegrafin.

Gjatë premierës, drama ka ngjallur ndjenja reflektimi dhe empatie te publiku. E njëjta, do të shfaqet edhe të premten dhe të shtunën mbrëma në skenën Black Box të Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Kjo është premiera e tretë për këtë vit e këtij teatri. Sipas drejtorit, Burim Mustafa tashmë është planifikuar edhe projekti i ardhshëm teatror, sikurse edhe edicioni i dytë i platformës Contempora. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Fadil Geci nesër dëshmon në Hagë kundër Hashim Thaçit për Komunikatën 59

Fadil Geci nesër dëshmon në Hagë kundër Hashim Thaçit për Komunikatën 59

Lajme
Rhotert kritikon BE-në për injorimin e agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës: Ndikimi i SHBA-së ndaloi tri luftëra në Ballkan

Rhotert kritikon BE-në për injorimin e agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës: Ndikimi i SHBA-së ndaloi tri luftëra në Ballkan

Politikë
Valza pranoi një dhuratë luksoze nga vëllai i saj, Edon Zhegrova: Shpresoj të gjesh një grua që të kompleton

Valza pranoi një dhuratë luksoze nga vëllai i saj, Edon Zhegrova: Shpresoj të gjesh një grua që të kompleton

Magazina
Xavi drejt rikthimit në stol, spanjolli ka marrë ofertën e parë pas largimit nga Barça

Xavi drejt rikthimit në stol, spanjolli ka marrë ofertën e parë pas largimit nga Barça

Ndërkombëtare
Shqiptaro-amerikania dhe restoranti me ushqime ‘të egra’ në New York

Shqiptaro-amerikania dhe restoranti me ushqime ‘të egra’ në New York

Lajme
Gjermania testoi sistemin katër ditë punë, tre ditë pushim - kompanitë befasohen me rezultatet e arritura

Gjermania testoi sistemin katër ditë punë, tre ditë pushim - kompanitë befasohen me rezultatet e arritura

Botë
Kalo në kategori