LAJMI I FUNDIT:

Tuneli i Llogarasë, 22 mijë automjete në 48 orë

Tuneli i Llogarasë, 22 mijë automjete në 48 orë

Tuneli i Llogarasë i hapur të premten e shkuar ka nxitur një fluks të lartë qytetarësh shqiptarë dhe turistësh të pushojnë në bregdetin e jugut.

Në vetëm 48 orët para tunelin e kanë kaluar mbi 22 mijë automjete, pjesa dërmuese e të cilave kanë qenë më pushues të cilët kanë zgjedhur që fundjavë ta kalojnë në destinacionet kryesore të rivierës joniane si Palasa, Dhërmi apo Himara.

Shifrat janë bërë të ditura nga zv/Kryeministrja Belinda Balluku, e cila ka publikuar edhe pamje të kamerave të sigurisë së tunelit me fluksin e lartë të automjeteve.


Me hapjen e tunelit të Llogorasë, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Zjarrfikës janë angazhuar për të garantuar sigurinë dhe qarkullimit normal të mjeteve, ku pritet të vendosen edhe radarë të shpejtësisë dhe sinjalistika vertikale.

Gjatë një inspektimi në tunelin e Llogarasë, ministri i Brendshëm Taulant Balla apeloi për drejtuesit e mjeteve që të kufizojnë detyrimisht shpejtësinë dhe të zbatojnë urdhrat e udhëzimet përkatëse.

“Duhet të qëndrojë e stacionuar këtu një makinë zjarrfikëse, pasi tuneli është i gjatë, krijohen incidente rrugore. Po ashtu duhet të kemi një mjet të Trupës së Ndërhyrjes Teknike (TNT), e cila mbulon zonën e bregut”.

Shpejtësia e lejuar në të varion nga 50-80 km/orë dhe aktualisht për të lehtësuar trafikun gjatë sezonit turistik është hapur vetëm tuneli kryesor, ndërsa në varësi të fluksit parashikohet që në vitet në vijim të hapet për qarkullimin e automjeteve edhe tuneli i emergjencës.

I cilësuar si një ndër investimet më të rëndësishëm infrastrukturor në jug të vendit, ky tunel pritet t’i japë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës.

Tuneli shkurton në vetëm 10 minuta kalimin e Llogarasë nga 40 minuta që kalohej deri më tani. Ai do jetë i hapur vetëm gjatë sezonit turistik dhe më pas do të mbyllet për të përfunduar të gjitha punimet me qëllim që të jetë gati me të gjitha parametrat gjatë vitit të ardhshëm.

Gjatë këtij sezoni kalimi në tunel do jetë pa pagesë./Tv Klan