LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 25° cloudy

Kryeministri Kurti viziton Dragashin: Në këtë fatkeqësi kemi pasur fat që nuk ka vdekur askush

Kryeministri Kurti viziton Dragashin: Në këtë fatkeqësi kemi pasur fat që nuk ka vdekur askush

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të enjten Komunën e Dragashit, e cila u prek dje nga vërshimet e ujit të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut. Me këtë rast ai ka theksuar “në këtë fatkeqësi kemi pasur fat meqë nuk ka vdekur askush”.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, Kurti së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinin dhe përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ka vizituar zonat më të prekura nga këto vërshime, përkatësisht fshatit Kuk të kësaj komune.


“Bashkë me Kryetarin e Komunës së Sharrit/Dragashit, Bexhet Xheladinin dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, dhe me përfaqësuesin nga AME-ja, që njëkohësisht është edhe në Komisionin Vlerësues, Kryetar i Komisionit Vlerësues, Kastriot Lajçin, dhe me kolegë të tjerë nga Komuna e Dragashit, erdhëm në fshatin Kuk që të shohim për së afërmi pasojat e mëdha të cilat janë shkaktuar nga vërshimi i madh i djeshëm që kishte përmasat e një fatkeqësie natyrore meqenëse përrockat e malit Sharr, u bënë më të mëdha se sa lumenjtë e Kosovës”, ka thënë Kurti, thuhet në njoftim.

Sipas kryeministrit sasi enorme të ujit kanë vërshuar fshatin dhe fati në këtë fatkeqësi ka qenë që nuk ka vdekur askush.

“Jemi këtu në vendin në të cilin është bllokuar ura edhe përfundi edhe sipër dhe më pastaj sasi enorme të ujit kanë vërshuar fshatin. Jemi me shumë fat që kjo sasi e madhe e ujit, ky vëllim gjigant i djeshëm për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe të breshrit ka qëlluar në një kohë gjatë ditës kur asnjëri prej banorëve nuk ka qenë në bodrum të shtëpisë. Përndryshe, po të kishin qëlluar në bodrume të shtëpisë do të kishin vdekur, meqenëse uji i ka vërshuar bodrumet e banorëve nëpër shtëpitë e fshatit Kuk. Në këtë fatkeqësi pra kemi pasur fat që nuk ka vdekur askush. E kemi parë më herët para disa javësh se si në Gjermani pati edhe viktima në njerëz pikërisht për shkak se kur ndodhin vërshimet atëherë njerëzit që ndodhen në bodrume janë të rrezikuar në mënyrë fatale. Por, këtu kemi pasur fat, dhe më vjen mirë për këtë gjë”, ka deklaruar Kurti.

Tutje duke pohuar se dëmet janë të mëdha ka shtuar se “me Komisionin vlerësues duhet të shohim se sa mund të ndihmojmë, çka të riparojmë e rindërtojmë”.

“Nuk janë të korrigjueshme menjëherë e përnjëherë. Ka dëme në infrastrukturë dhe atë jo vetëm në rrugë e në ura, por edhe në gypat e ujësjellësit, në gypat e kanalizimit, si dhe në gypat e Telekomit të Kosovës, në kabllot e ndryshme të cilat kanë siguruar edhe furnizimin me energji elektrike. Ka shtylla të cilat tash paraqesin rrezik për njerëzit dhe do të na duhet që të merremi me të gjitha këto bashkë me komunën”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se duhet qëndruar pranë qytetarëve pa dallim, meqenëse kjo është një fatkeqësi natyrore, e cila është e lidhur edhe me ndryshimet klimatike, apo edhe me krizën mjedisore që e ka kapluar jo vetëm rajonin e kontinentin. “Prandaj, duhet t’i marrim masat në mënyrë që të rimëkëmbim çka mundemi, por edhe të nxjerrim mësimet që situatat e këtilla të mos përsëriten as këtu dhe as ndokund tjetër”, është shprehur kryeministri i Kosovës./Telegrafi/.

Në trend

Më shumë
Zbulohet se kush është personi i maskuar që u largua nga çatia e Sigal Iduna Park nga forcat speciale

Zbulohet se kush është personi i maskuar që u largua nga çatia e Sigal Iduna Park nga forcat speciale

Ndërkombëtare
Konjufca: Kemi informacione të sakta se në Serbi po bëhen ushtrime për sulm të ri

Konjufca: Kemi informacione të sakta se në Serbi po bëhen ushtrime për sulm të ri

Lajme
Kreu i mercenarëve serbë në Rusi, thotë se bashkëkombësit e tij që u dërguan në luftë në Ukrainë po ndihen të mashtruar

Kreu i mercenarëve serbë në Rusi, thotë se bashkëkombësit e tij që u dërguan në luftë në Ukrainë po ndihen të mashtruar

Evropa

"Xhaka bënte çfarë donte në mesfushë" - Capello me fjalë të mëdha për yllin kosovar

Ndërkombëtare
Trajneri i Danimarkës shpërthen në konferencë për shtyp, nxjerr telefonin dhe tregon se çfarë i bëri VAR-i

Trajneri i Danimarkës shpërthen në konferencë për shtyp, nxjerr telefonin dhe tregon se çfarë i bëri VAR-i

Ndërkombëtare
Si të hiqni gërvishtjet nga makina juaj pa shkuar te mekaniku?

Si të hiqni gërvishtjet nga makina juaj pa shkuar te mekaniku?

Stil
Kalo në kategori