LAJMI I FUNDIT:

Republika e bërllokut

Republika e bërllokut

Pika e zezë e turizmit te Kosovës është ndotja vizibile. Këtë nuk e them unë; këtë ma thonë të gjithë turistët dhe operatorët e tureve që e vizitojnë Kosovën. Sasia e bërllokut, sidomos në Bjeshkët e Sharrit në pjesën e skijueshme, është e pakrahasimisht më e madhe se në secilin vend të botës ku skijojnë klientët tonë. E, më besoni si guidë malore me licencën më të çmueshme IFMGA – ata skijojnë prej Kazakistanit e deri ne veri të Norvegjisë.

Mund të them se jemi konkurrentë për popullin më bërllogdashës në botë dhe kemi dështuar keq në këtë punë. Bërlloku duhet të jetë prioritet – para shumë punëve të tjera.

Kush ka faj?


Momentalisht, si udhëheqëse e shtetit, me së shumti faj ka kryetarja Vjosa Osmani, pastaj kryeministri Albin Kurti, tutje ministri i Ambientit Liburn Aliu, e tutje te gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, me Përparim Ramën, Ardian Gjinin, Shpejtim Bulliqin e Fadil Nurajn … Por, ky problem nuk është i ri; ky problem është konsistent, kështu që faj kanë të gjithë kryetarët, kryeministrat e ministrat e ambientit – rend nga 2008-ta e tutje. Nëse ju duket se këtë problem po e kapi shumë gjerë, mendoj se kjo nuk është e vërtetë. Këtu faj kanë edhe mediat, shoqëria civile e deri te secili person që mendon se ka ndikim në shoqëri e nuk bën asgjë në këtë drejtim. Alamet gazetar me alamet numër të madh të debateve, me bërllokun nuk merren aspak apo shumë pak. Më duket se disi ju duket nën nderin e tyre të merren me pikën e zezë të turizmit të Kosovës dhe me pasqyrën tonë si popull.

Çka të bëhet?

Edukimi është më së i domosdoshëm që të ketë vetëdijesim të vazhdueshëm për pastërtinë. Duhet të ketë tabela dhe fushata të vazhdueshme për edukimin rreth bërllokut. Ky edukim nuk bën të jetë fushatë që shpenzon disa mijëra euro gjatë një muaji. Edukimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Duhet fushata mediale, së paku për 10 minuta në ditë, për të shpërndarë në media të ndryshme audio dhe imazhe gjatë tërë vitit. Të shihet në ueb-platforma së paku një herë nga çdo 30 minuta nga secili vizitorë; të jetë e dukshme së paku çdo 50 kilometra në secilën rrugë të Kosovës dhe në së paku pesë pika brenda qyteteve; të jetë në fillim, mes dhe fund të secilit shteg të ecjes, dhe të jetë e pranishme në shkolla së paku një herë në muaj për një ditë të plotë, ku do të përfshihen edhe pastrimet e oborreve të shkollave apo bjeshkëve.

Kjo bëhet nëse kryeministri e merr këtë punë seriozisht dhe i thotë ministrit të Financave që të ndajë buxhet për këtë punë për ministritë e Ambientit dhe atë të Arsimit dhe këta ta zbatojnë një plan të tillë.

E di se shumë prej juve që janë duke e lexuar këtë shkrim, nuk besojnë në edukim dhe tash janë duke u bërë cinik: “Le ti se nuk kryen punë edukimi”. E di edhe unë se edukimi si i vetëm nuk funksionon, por pa të nuk bën dhe duhet të shtohen edhe:

Insentivat – këto janë gjërat që duhet të sigurohen nga taksat që paguajmë, në mënyrë që njerëzit të mos kenë vetëm arsyen morale që ta duan dhe ta ruajnë vendin e vet. Pra, duhet dhënë arsye të tjera që njerëzit të sillen përgjegjshëm. Këtu mund të përfshihen shpërblimet për ata që kthejnë shishet ne dyqan apo edhe shpërblimet për komunat më të pastra. Gjithashtu, këtu mund të përfshihet edhe një taksë e lartë për mbushësit dhe shitësit e shisheve të ujit, shpërblime për OJQ-të dhe komunitetet që arrijnë rezultate të mira dhe lagjet model. Mirëpo, duhet shkuar tutje: as këto nuk mjaftojnë.

Infrastruktura është pikë shumë e rëndësishme, pasi në Kosovë mungojnë vendet ku hidhen mbeturinat dhe organizimi i mirëfilltë i mbledhjes së mbeturinave – sidomos në vendet turistike. Kjo shkakton hedhjen e bërllokut në vende të ndryshme skaj rrugës. Për shembull: në Grykën e Rugovës ka shumë pika ku njerëzit hedhin qeset me bërllok. Kjo tregon se ai njeri që e ka bërë këtë, nuk është 100 për qind i poshtër. Ai është munduar që bërllokun ta fusë në qese dhe të presë të vijë deri të lumi apo pika ku dikush tjetër ka hedh bërllok dhe ta gjuajë aty. Me pak edukim, këta që nuk janë 100 për qind të poshtër mund të kalojnë në anën tonë, të atyre që bërllokun e mbajnë në veturë, ndonjëherë edhe me ditë derisa gjejnë një vend të caktuar. Mirëpo, rrethi i zgjidhjes duhet të plotësohet edhe me një element:

Zbatimi i ligjit: sipas shumë studimeve, dënimi i njerëzve për hedhje të bërllokut në rrugë nuk tregohet efikas për shkak se nuk është masë e barabartë dhe se dënohen vetëm ata që zihen e shumë të tjerë shpëtojë; dënimet krijojnë ndjenjë të keqe dhe në fund zbatimi i dënimeve është i kushtueshëm pasi duhet të punësohen inspektorë apo policia duhet të ngarkohet edhe me një punë shtesë. Mirëpo, nuk ka vend të pastër në botë ku nuk ka dënime. Dënimet për mua janë pikë kryesore, por vetëm kur bëhen pjesë e edukimit, insentivave dhe infrastrukturës.

Let’s do it!

(Autori është pronar i një tur-operatori kosovar që punon kryesisht me klientë nga Evropa)