LAJMI I FUNDIT:

NATO e së nesërmes

NATO e së nesërmes

Nëse Samiti i NATO-s i vitit të kaluar në Madrid ishte pa diskutim historik, pasi NATO rigjeti Evropën dhe aleatët solidaritetin mes tyre përballë kërcënimit të Putinit, duke shënuar një pikë kthese në përmirësimin më të madh të kapaciteteve të mbrojtjes për aleancën euro-atlantike që nga Lufta e Ftohtë, Samiti i Vilniusit i 11-12 korrikut të këtij viti do të ketë një trashëgimi disi më të komplikuar. Ai do të mbahet mend për përparimin e Suedisë drejt NATO-s, inkurajimin e aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në aleancë, planet më të detajuara të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë dhe angazhimin e vendeve të G7-ës për mbështetjen ndaj Ukrainës, të cilën çdo vend do ta përcaktojë në mënyrë të detajuar individualisht.

Samiti i NATO-s i vitit të kaluar në Madrid miratoi Konceptin e ri Strategjik, duke shënuar fundin e epokës së pas Luftës së Ftohtë dhe fillimin e një epoke të re të tensionimit dhe konfrontimit me Rusinë. Ndërkohë, Samiti i Vilniusit u përqendrua në një detyrë më pak tërheqëse për publikun, por të rëndësishme, atë të zbatimit të prioriteteve dhe vizionit të aleatëve të përshkruara një vit më parë. Komunikata e Samitit përmban një sërë elementesh, duke përfshirë mënyrën e zbatimit të planeve të mbrojtjes të vitit të kaluar, angazhimet për shpenzimet e mbrojtjes, partneritetet më të strukturuara globale, veçanërisht me vendet e Indo-Paqësorit, sikundër një pasqyrë të objektivave të Samitit të vitit të ardhshëm që do të mbahet në Uashington.

Dihet se Kina u përmend për herë të parë në Samitin e Madridit si një burim “sfidash sistematike” për sigurinë euroatlantike, edhe pse aleanca nuk ndan vijë kufitare me të. Kina u shfaq gjithashtu në mënyrë të dukshme në komunikatën e Samitit të Vilnusit si një “sfidë sistematike” për NATO-n. Ashtu si në Madrid vjet, edhe këtë vit në Vilnus, partnerët e Indo-Paqësorit ishin të pranishëm, shenjë e rëndësisë që NATO i jep këtij rajoni në epokën e konkurrencës strategjike me Kinën. Për NATO-n, ruajtja e statuskuosë me Kinën është e rëndësishme, pasi një mbështetje materiale e Kinës për Rusinë mund të përshkallëzojë në mënyrë dramatike konfliktin e tanishëm.


Në një mënyrë, Vilniusi mund të lexohet edhe si një samit për zbatimin e planeve që synojnë ndërtimin e NATO-s të së nesërmes. Modeli i ri i forcave të NATO-s, i rënë dakord në Samitin e Madridit, forcon aleancën duke siguruar deri në 300 mijë trupa në gatishmëri të lartë, duke përmirësuar reagimin dhe duke shfrytëzuar ekspertizën rajonale. Thënë ndryshe, NATO po riorientohet dhe ristrukturohet për t’u përballur me një mjedis global më kompleks dhe sfidues.

Natyrisht, kjo kërkon më shumë fonde. Në komunikatën e Samitit të Vilnusit rikonfirmohet angazhimi i kahershëm i Samitit të Uellsit të vitit 2014 për të shpenzuar të paktën dy përqind të PBB-së në vit për mbrojtjen, si dhe bëhet thirrje për të forcuar zinxhirët e furnizimit dhe industrisë së mbrojtjes në Evropë. Duhet pranuar se NATO ende nuk ka arritur ta jetësojë angazhimin e “dy përqind të PBB-së si një dysheme dhe jo si një tavan”, pasi në fund të fundit i takon shteteve anëtare të angazhohen për financim në nivel kombëtar. Gjithsesi, NATO e bëri të qartë se për të përmbushur rolin e saj anëtarët duhet të kontribuojnë më shumë. Samiti i Vilnusit rikonfirmoi gjithashtu zgjatjen e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg. Ai e ka udhëhequr aleancën në një periudhë të trazuar gjatë pandemisë, pushtimit rus të Ukrainës rritjes masive të shpenzimeve ushtarake në të gjithë kontinentin dhe pranimit të katër anëtarëve të rinj në NATO.

Në Vilnus NATO ripohoi mbështetjen për Ukrainën, duke deklaruar se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”, por pa hedhur një hap përpara krahasuar me Samitin e Bukureshtit të vitit 2008. Shpresat e Ukrainës për një rrugë konkrete drejt anëtarësimit në NATO ndonëse nuk u përmbushën, nuk u venitën. Duke krahasuar komunikatat e Vilniusit dhe Bukureshtit, mund të thuhet se Kievi mori një “Bukuresht 2.0” ose ndoshta një “Bukuresht+”. Është afruar më shumë me NATO-n, por vetëm pak. Vilnius nuk ishte ndalesa e fundit për udhëtimin e Ukrainës në NATO, por mund të konsiderohet një “urë” midis Madridit dhe Samitit të Uashingtonit të vitit të ardhshëm.

Megjithëse NATO mbështet aspiratën e Ukrainës për anëtarësim ka mosmarrëveshje brenda aleancës në lidhje me kushtet dhe afatin kohor të pranimit të saj. Për një pjesë të rëndësishme të aleatëve në krye të të cilëve janë ShBA-ja dhe Gjermania, procesi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO është një çështje e maturisë gjeopolitike dhe evitimit të një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë. Pak a shumë me të njëjtën logjikë refuzohet edhe vendosja e zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë. Për mbështetësit më të zjarrtë të Ukrainës, veçanërisht ata gjeografikisht më afër kërcënimit rus, procesi i anëtarësimit në NATO është një çështje e detyrimit strategjik dhe moral ndaj një populli që për mrekulli dhe me kosto të madhe njerëzore po i bën ballë luftës dhe ambicieve revanshiste të Rusisë.

Rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO ka shkuar përtej nevojës për Planin e Veprimit të Anëtarësimit. Ky veprim nga ana e NATO-s vjen në përputhje me praktikën e ndjekur me Finlandën dhe Suedinë në procesin e anëtarësimit. Qysh prej aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, Ukraina është bërë gjithnjë e më e ndërveprueshme dhe e integruar politikisht me aleancën. Mbështetur në komunikatën e Samitit të Vilnusit, ministrat e jashtëm të NATO-s do të vlerësojnë rregullisht progresin e Ukrainës përmes Programit Kombëtar Vjetor të përshtatur. Gjithashtu, mbledhja e Këshillit të riemërtuar dhe të rikonstituar NATO-Ukrainë në Vilnus, përveçse një mesazh politik, është një hap ndihmues për procesin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Në mbështetje të Ukrainës, Samiti i Vilnusit miratoi një paketë shumëvjeçare mbështetjeje, e cila do të ndihmojë Ukrainën të rindërtojë sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë, në mënyrë që të mund të mbrohet kundër agresionit të mëtejshëm. Ky proces mendohet të sigurojë ndërveprueshmëri më të mirë mes forcave të armatosura të Ukrainës me forcat e NATO-s. Megjithatë, duhet pranuar se aleatët evropianë kanë “eksportuar” në Ukrainë një industri armatimesh të fragmentuar. Gjithsesi, gjatë 18 muajve të luftës Ukraina ka bërë hapa të mëdhenj në fushën ushtarake, duke u shkëputur nga epoka sovjetike. Për pasojë, sot Ukraina është më e integruar me NATO-n se kurrë më parë.

Nëse ka një fitues të vërtetë të Samitit të Vilnusit ai është presidenti i Turqisë, Erdogani, i cili siguroi lëshime nga aleatët dhe Suedia, për zgjerimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë midis BE-së dhe Turqisë. Kohët e fundit Suedia ndryshoi Kushtetutën e saj për të miratuar legjislacionin e ri kundër terrorizmit. Ajo ra dakord të ekstradojë disa prej turqve që akuzohen nga Ankaraja.

Mbështetja e Erdoganit për Ukrainën, duke përfshirë shitjen e dronëve ushtarakë, shihet me simpati në perëndim. Erdogani është i vetmi udhëheqës brenda radhëve të NATO-s që komunikon drejtpërdrejtë si me presidentin rus ashtu dhe me atë ukrainas, çka përforcon rolin e tij unik brenda aleancës. Gatishmëria e tij për të hequr kundërshtimet ndaj hyrjes së Suedisë në NATO, siç bëri para do kohësh për Finlandën, i ka dhënë atij një pozicion kyç në hapësirën euro-atlantike. Duke mbështetur përmbylljen e shtrirjes së NATO-s në veri të Evropës, çka i jep NATO-s një avantazh strategjik përkundrejt Rusisë, Turqia njëkohësisht i kujtoi Rusisë se, perëndimi është më i rëndësishëm për të sesa Rusia.

Përmes kësaj lëvizje, Turqia fitoi premtim për blerjen e avionëve luftarakë F-16 nga ShBA-ja. Në vitin 2017, Turqia injoroi kundërshtimet e ShBA-së dhe bleu sisteme raketore S-400 nga Rusia, çka u shoqërua me sanksione nga ana e Uashingtonit. Tani Turqia do të blejë 80 aeroplanë luftarakë të rinj F-16 nga ShBA-ja, të cilët konsiderohen të nevojshëm për të përmirësuar inventarin ekzistues të forcës ajrore turke.

Erdogani e dinte se Vilnius ishte momenti i duhur për të nxjerrë sa më shumë përfitime nga Perëndimi dhe sidomos nga ShBA-ja. Konkurrenca e ashpër gjeopolitike me Kinën dhe Rusinë, konfigurimi i një grupi të rëndësishëm shtetesh që përbëjnë boshtin e ashtuquajtur “Jugu Global”, të cilët nuk janë të linjëzuar me perëndimin në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, nuk i jep ShBA-së mundësinë e një distancimi nga Turqia, pavarësisht kritikave publike për gjendjen e demokracisë, lirive themelore dhe të drejtave të njeriut.

Ky është momenti për një afrim më të madh mes Turqisë dhe perëndimit. Mbetet të shihet nëse do të shënohet progres në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në për shtetasit turq dhe nëse do të riaktivizohet procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE. Erdogani dëshmoi se Turqia është një partner i pazëvendësueshëm për perëndimin duke treguar solidaritet me Ukrainën përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të reja për mbrojtjen dhe rindërtimin me presidentin Zelensky dhe riatdhesimin e komandantëve ushtarakë ukrainas që po mbaheshin në Stamboll, si pjesë e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve me Rusinë. Veprime këto që zemëruan Kremlinin. Mirëpo, Erdogani e di mirë se me një Rusi të paqëndrueshme në pragun e tij dhe me një ekonomi të trazuar në shtëpi, Turqia ka nevojë për marrëdhënie më të mira me perëndimin. Për më tepër, përmes këtij afrimi, krijohet mundësia që Turqia jo vetëm të jetë më e linjëzuar në raport me Ukrainën, por edhe të kundërshtojë Rusinë në Siri dhe Detin e Zi, çka nuk është pak për perëndimin.

Samiti i vitit të ardhshëm në Uashington përkon me 75 vjetorin e aleancës. Për këtë arsye Këshilli i Atlantikut të Veriut ka marrë detyrën të nisë një reflektim sa më gjithpërfshirës e të thellë mbi kërcënimet, sfidat, si dhe mundësitë për angazhime me vendet partnere, që do të prezantohet në Samitin e Uashingtonit.

Shqetësimet për një Rusi revanshiste, si dhe për një Kinë ekspansioniste në planin ushtarak dhe teknologjik, pritet të mbajnë NATO-n të angazhuar nën udhëheqjen e ShBA-së. Evropa është në të njëjtën linjë me ShBA-në në njohjen e sfidës që paraqet Kina. Por që Evropa të jetë në gjendje të mbrohet më mirë dhe të mos varet vetëm në mbështetjen amerikane, ajo duhet të investojë burime serioze në mbrojtje.

Rusia është një ekonomi relativisht e vogël nga e cila Evropa varej kryesisht për pak më shumë se një të tretën e nevojave të saj për naftë dhe gaz. Zëvendësimi i papritur i këtyre furnizimeve për shkak të luftës në Ukrainë, ka zvogëluar rritjen ekonomike, ka shkaktuar një rritje të inflacionit dhe ka vonuar rimëkëmbjen e Evropës nga pandemia. Një shkëputje e papritur nga Kina do të ishte më e shtrenjtë, sepse Evropa është më e varur nga Kina se ç’ishte nga Rusia para shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Kina është burimi më i madh i mallrave të importuara për BE-në dhe njëkohësisht destinacioni kryesor i eksporteve evropiane. Kombinimi i blerjes së gazit natyror më të shtrenjtë nga ShBA-ja apo vendet e Gjirit Persik me humbjen e aksesit në tregun fitimprurës të Kinës për makinat dhe produktet e luksit mund të shkaktojë dëme të mëdha për ekonominë evropiane.

Ëndrra e Evropës pas Luftës së Ftohtë për një “paqe të përjetshme”, është fshirë si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi dhe atyre në lindje të kontinentit. Siguria, fuqia dhe prosperiteti i saj në të ardhmen tani varen nga fakti nëse dhe sa shpejt do të veprojë për të adresuar dobësitë, pasi shkalla e sfidës është përtej aftësive të çdo vendi evropian që vepron i vetëm. Evropa mund të bëhet strategjikisht e rëndësishme dhe më e integruar duke bashkëvepruar me ShBA-në.

Vështruar nga ky kontekst, Samiti i Uashingtonit vitin që vjen do të qartësojë më tej pikëpamjet e aleatëve për çështjet e mësipërme, duke përgatitur NATO-n në përballimin e sfidave të një bote gjithnjë e më komplekse, e në të njëjtën kohë të jetë në gjendje të tejkalojë pyetjet e mbetura pa përgjigje në Vilnius. /Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana”/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Ligat tjera
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Kalo në kategori