LAJMI I FUNDIT:

Arta Ramadani: “Bukë, kripë dhe zemër”

Arta Ramadani: “Bukë, kripë dhe zemër”
Arta Ramadani

Keni dëgjuar ndonjëherë për fli, kifle apo revani? Këto janë specialitete nga Kosova. Në Gjermani dihet pak për ushqimet e shijshme, por edhe për kuzhinën kombëtare të Kosovës në përgjithësi. Kjo është e habitshme, sepse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Gjermanisë është e lidhur biografikisht me republikën më të re, me Kosovën, e cila është vetëm 1300 km larg. Një ditë udhëtim.

Intervistoi: Katharina Höhnk
Përktheu: Pal Shtufi

Arta është e lindur në Prishtinë, dhe duket që po e ndryshon këtë mungesë informacioni për specialitetet kosovare. Së bashku me kunatin e saj, Halim Meißner, një kuzhinier i specializuar, Arta është tani autore e librit me koleksione të recetave të botuar së fundmi me titull „Brot, Salz und Herz“ (Bukë, kripë dhe zemër).


Në fokus janë 16 receta familjare të gjysheve të tyre shqiptare, Zelihe Rahimi-Ramadani (1932-2016) dhe Havishe Bernjashi-Veliu (1932-2018).

Arta Ramadani rrëfen edhe për historinë dhe rëndësinë e gatimeve kombëtare kosovare deri në ditët tona. Prandaj e intervistova.

Katharina: Koleksioni juaj i recetave, në fakt ofron një recetë familjare nga Kosova. Si lindi libri i gatimit?

Arta: Në karantinë, gjatë pandemisë, si shumë njerëz në Gjermani, edhe ne ishim të mbyllur në shtëpi. Pra, si shumë gjermanë, edhe ne gatuanim bukë. Një ditë prej ditësh, hasëm në koleksionin e recetave të nënës sime, të cilat ajo kishte sjellë me vete që nga vitin 1994, koha kur ne patëm ardhur në Gjermani. Pastaj ndodhi që ne të gatuanim disa nga ato specialitete. Dhe, kështu lindi ideja për të bërë një libër gatimi, sepse menduam se do të ishte e mrekullueshme t’i ndanim këto receta të shijshme me njerëzit në Gjermani.

Katharina: Cilat ndikime historike dhe rajonale bashkohen në kuzhinë?

Arta: Epo, nëse kam mësuar diç gjatë kërkimit të këtij libër-gatimi, është një gjë: Në viset e ish-Jugosllavisë, “burek dhe kifle” është si “hummus dhe falafel” në Lindjen e Mesme. Dhe, është shumë interesante, këta popuj të ish-Jugosllavisë hanë ushqime të ngjashme dhe posa të ngopen, sulmojnë njëri-tjetrin!

Që hanin kifle, burek, revani dhe gurabija, thuajse të gjithë, qofshin kroatë, boshnjakë, serbë apo shqiptarë – kjo ishte surpriza më e madhe për mua në atë kohë. Kjo qartë lidhet me shkakun e pushtuesve osmanë, të cilët patën sunduar Ballkanin për gati 500 vjet. Osmanët jo vetëm që sollën me forcë Islamin në vend, por gjithashtu ndryshuan jetën dhe zakonet e të ngrënit të banorëve vendas.

Edhe sot e kësaj dite, në familjen time tregohen histori sesi vendasit i shërbenin Perandorisë Osmane si këshilltarë, ushtarë apo kuzhinierë. Edhe autorja e njohur turke e librave të gatimit Nevin Halici, konfirmon se turqit u ndikuan nga kuzhinat e vendeve që mbanin nën pushtim.

Katharina: Cilat kultura bujqësore luajnë rol të madh në kuzhinën tredicionale të Kosovës, në krahasim me Gjermaninë?

Arta: Kosova është një vend shumë pjellor, në të cilin pothuajse çdo gjë rritet. Përveç frutave, perimeve dhe verës, që kultivohen në vend, shumë i rëndësishëm është edhe konsumi i mishit. Përveç gjedheve dhe pulave, aty mbahen edhe buaj (bullica), pata, dele dhe bagëti të tjera. Ndonëse nga gjyshet kemi trashëguar gatim pak më ndryshe, sot njerëzve në Kosovë u pëlqen të hanë më shumë mish.

Megjithatë, mielli i grurit ka ende status kulti në Kosovë. Unë mendoj se shumë bukë dhe shumë gatime brumi bëhen ende nga mielli i grurit. Buka e bardhë luan një rol më të fortë në kuzhinën tradicionale të Kosovës sesa në Gjermani.

Katharina: Në librin tuaj të gatimit ju prezantoni klasikët e kuzhinës në kontekstin e tyre kulturor dhe social, i cili shtrihet deri në ditët e sotme. Ju rrëfeni se pjata kombëtare, flia – torta e diellit – është e popullarizuar tek të rinjtë edhe në rrjetet sociale si një mënyrë që shpreh lidhjen e tyre me vendin e prindërve të tyre. Cili aspekt tjetër ju ka befasuar kur hulumtonit për librin e gatimeve?

Arta: Më befasoi fakti që në vendet gjermanofolëse pothuajse nuk ka libra gatimi për kuzhinën shqiptare. Në Shqipëri është një kuzhinier, i cili për mua është një hero i heshtur. Ai quhet Bledar Kola. Ai ka restorantin e tij në Tiranë,- “Mullixhiu” me anë të të cilit e ka bërë më të njohur kuzhinën shqiptare në Evropën Perëndimore. Para disa vitesh ai botoi edhe një libër-gatimi në gjermanisht. Njohuritë e tij të shkëlqyera më ndihmuan shumë për të krijuar librin tonë të gatimit. Bledar Kolën e kam cituar shpesh dhe jam mirënjohës që ekziston ai njeri.

Shqiptarët kanë shumë për të ofruar, si nga pikëpamja e bukurive të vendit ashtu edhe nga kultura bujqësore. Por, për fat të keq, ata shpesh nuk janë të vetëdijshëm për këtë pasuri të madhe që kanë. Ndoshta për shkakun që ata përjetuan shumë vuajtje, urrejtje, refuzim, diskriminim, edhe sot e kësaj dite ata pjesërisht refuzojnë ushqimin e tyre dhe kulturën e tyre kulinare. Mbase edhe mua më rastisi të kisha një përvojë disi të trishtë në këtë refuzim.

Kur u thashë miqve të mi shqiptarë se unë dhe kunati im po shkruanim një libër gatimi për kuzhinën e gjysheve tona, më pyetën ironikisht dhe fare pa menduar: “Çfarë ka për të thënë aty?” Natyrisht, e kuptova që shumë shqiptarë ushqimin e tyre dhe kulturën e tyre e konsiderojnë si inferiore. Prandaj njerëzit si Bledar Kola janë tepër të rëndësishëm, sepse ata me fisnikërimin që ua bëjnë gatimeve shqiptare, u japin atyre më shumë dinjitet.

Do të veçoja se, gjatë krijimit të këtij libri, unë e njoha edhe më shumë mamanë time, njohje e cila më magjepsi dhe më preku pozitivisht. Ajo është një grua shumë e fortë dhe e guximshme, e cila gjithmonë ka punuar. Gjithçka që ajo gatuan, vërtet ka shije të mirë. Prandaj, si e re në Prishtinë, ajo filloi të shkruante receta, të cilat i dukeshin interesante kur i ftonte njerëzit në darkë për të treguar çfarë gatuanin dikur nëna dhe më vonë vjehrra e saj. Ajo e bënte këtë vetëm për frymëzim dhe për të pasuruar menynë tonë të shtëpiake. Dhe, pikërisht kjo meny u bë koleksion i recetave që mama solli në Gjermani në vitin 1994, viti kur familja jonë arritëm këtu. Në fakt ne nuk kishim shumë gjëra me vete, pos rrobat, letra, pak para dhe recetat e grumbulluara nga mama.

Katharina: Çfarë roli luan buka në kuzhinën shqiptare?

Arta: Në kulturën shqiptare buka është veçori unike. Prej kohësh buka ka qenë ushqim themelor. Shqiptarët në Kosovë kanë jetuar kohëra të mira, por edhe të këqija. Sidomos kur Millosheviqi erdhi në pushtet, shumë shqiptarë në Kosovë humbën punën dhe jetuan në kushte të vështira, të cilat i karakterizonte frika dhe varfëria e madhe. Së këndejmi, buka e bërë nga mielli i grurit apo i misrit, ka qenë ushqim bazë për shumë familje shqiptare.

Tek shqiptarët, shpesh fjala “bukë” zëvendëson termin drekë dhe darkë. Prandaj, sot e kësaj dite, sidomos në zonat rurale, pyetet “a ke honger bukë” në vend të “a ke honger drekë ose darkë”. Si rrjedhim, buka është ende e shenjtë për shqiptarët!

Katharina: Libri juaj i gatimeve përmban 16 receta familjare. Cila recete është e preferuara juaj personale?

Arta: Të preferuarat e mia personale janë kiflet, sepse ato më kthejnë automatikisht në fëmijërinë time, në një kohë kur isha e rrethuar nga tezet dhe gjyshet, kohë kjo, të cilën shumë lehtë e lidh me dashurinë, harmoninë dhe lehtësinë e të jetuarit.

Kiflet janë multifunksionale dhe shijojnë shumë. Por, edhe specialitet kombëtare, si flija për shembull, më ngjallin nostalgji. Ose pogaçja, të cilën e dua shumë. Në fakt, unë e dua mrekullisht shume kulturën e gatimit të bukës.

Ndërkaq, kiflet mund të hahen të ëmbla ose të kripura dhe gjithmonë kanë shije të mirë, edhe pas disa ditësh. Nëse vërtet do të më duhej të zgjidhja, atëherë do të zgjidhja gjithmonë kifle dhe pogaçe.

Kam vendosur që kudo që të jetoj, kudo që të shkoj, përmes këtyre recetave, përmes këtij libri, do të bart me vete një copë identiteti shqiptar. Këtë pjesë të identitetit, ushqimin e gjysheve të mia, ushqimin e fëmijërisë time në Kosovë, unë mund ta jetoj kudo dhe ta marr me vete gjithandej. Nga ky ushqim askush nuk mund të më largoj. Nuk ka rëndësi nëse jetoj në Mainz, Berlin, Hamburg apo Havai. Edhe tek mikja ime në Nju Jork, Elea, mund t’i gatuaj recetat e gjyshes time. T’i njohësh këto receta dhe të jesh i vetëdijshëm për to, kjo është një ndjenjë shumë e bukur.

Katharina: Arta, faleminderit shumë dhe suksese me librin tuaj të gatimit!

Katharina Höhnk është kryeredaktore dhe drejtuese e 25 Top-Blogs për femra në Gjermani. Juriste e diplomuar dhe ka njëzet vite që punon në shtëpi botuese.

Arta Ramadani, redaktore dhe reportere në televizionin shtetëror, ZDF dhe autore e dy librave: romani “Udhëtimi deri tek puthja e parë” si dhe libri i gatimeve: “Bukë, kripë dhe zemër.” Për librat e Artës është shkruar dhe folur në media të ndryshme në Gjermani dhe Austri, si për shembull në ORF, Süddeutsche Zeitung, SWR, WDR, Deutschland Radio Kultur, Tagesspiegel etj.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut

Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut

Amerika
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit

NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit

Botë
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Amerika
Kalo në kategori