LAJMI I FUNDIT:

Në kërkim të një “Abetareje”

Në kërkim të një “Abetareje”

Bahri Beci

Kemi 20 vite në kërkim të një Abetareje dhe ku jemi, a ku kemi arritur? Abetarja është një libër shkollor si gjithë të tjerët dhe në çdo rast është kombëtare nga synimet dhe përmbajtja.

Është libri që i mëson fëmijët të lexojnë dhe shkruajnë shqip. Është tjetër gjë sa dhe si. Kjo varet në radhë të parë nga metoda që do të zbatohet. Dhe katër janë metodat themelore për hartimin e abetares: metoda globale, metoda e përzier ose mikse, metoda silabike ose rrokjesore dhe metoda fonetike.


Të katër metodat korrespondojnë me katër kategoritë e njësive gjuhësore që janë fjalia, fjala, rrokja dhe shkronja. Metoda globale e fillon mësimin e leximit dhe shkrimit nga fjalia, metoda e përzier a mikse nga fjala, metoda silabike a rrokjesore nga shkronjat dhe metoda fonetike nga tingujt.

Po abetaret e miratuara nga MASh gjatë këtyre 20 viteve (në thelb është e njëjta abetare në disa variante) çfarë metode kanë zbatuar? Për këtë do t’u drejtohem shpjegimeve të dhëna për metodën e zbatuar nga Sh. Rrokaj, njëri prej autorëve të kësaj abetareje (“Buletin i Universitetit Planetar të Tiranës”, I, Tiranë 2011, f. 12-22).

Sipas tij “… për lexim-shkrimin fillestar bashkëveprojnë (do të thotë ekzistojnë BB) metodat globale, analitike, sintetike dhe alfabetike. “… në tekstin tonë, shkruan autori i abetares, ne jemi treguar të vëmendshëm për të bërë një gërshetim sa më të mirë (kush na garanton? BB) të metodave të përmendura më sipër. Abetarja jonë nuk i jep përparësi njërës metodë në raport me tjetrën”.

Ose: “Në tekst është treguar kujdes që të ketë një gërshetim, duke i dhënë rëndësi, sidomos në fazën e parë të mësimit të saj, procesit të analizës së strukturës së fjalisë dhe të fjalës” (pra, metodës globale BB).

Pra, sipas Rrokajt, që në fillim kjo abetare u ofron fëmijëve 6-vjeçar të “të shkruajnë në mënyrë globale” deri në 30 fjalë. Shkrimi global i tyre i ndihmon ata më pas gjatë leximit dhe shkrimit” (e kundërta është e vërtetë). Si është e mundur t’u kërkohet fëmijëve gjashtëvjeçarë të shkruajnë 30 fjalë pa mësuar të shkruajnë ende asnjë shkronjë?!

Dhe, shpjegimi që jepet është ky: “Për të shmangur rezervat e disave që mendojnë se si mund të ‘mësohet globalisht’, vijon autori, na lejoni ta ilustrojmë idenë tonë me një shembull. Një nxënës, kur sheh një lodër makinë, e emërton menjëherë atë, pra, e lexon emrin e saj nga figura (jo zotëri këtu nuk kemi të bëjmë me leximin, por me emërtimin e një objekti të njohur), por, në rast se ne do t’i japim një makinë të zbërthyer, atij do t’i duhet shumë kohë ta emërtojë apo ta mbërthejë dhe ta bëjë përsëri makinë. Kështu ndodh edhe me fjalën”.

Një krahasim sa absurd, aq edhe pa lidhje me problemin.

Dhe vijon: “Parimi udhëheqës i fotografimit të figurave-fjalë dhe të fjalëvefigurë si dhe fjalëve kyçe është një kriter që ndiqet në këtë abetare dhe që ndihmon në mënyrë të ndjeshme në kapërcimin e vështirësive të para tek nxënësit (Kush e thotë këtë? BB). Një absurditet tjetër. E vërteta është e kundërta e asaj që pohohet, po për këtë problem do të shohim se çfarë thonë specialistët dhe shkencëtarët.

Dhe vijon: “Metoda globale përgjithësisht kapet (?! BB) në fletoren e punës (parabetare). Sipas tij, “Kjo zgjidhje (kupto metoda globale a me fillim global BB) aftëson dhe lehtëson përvetësimin e shumë dukurive gjuhësore”. “… Më pas, strukturat e mësuara në tërësinë e tyre i nënshtrohen procesit të analizës dhe të sintezës”.

Po personalitetet dhe studiuesit e huaj çfarë thonë për metodën globale a gjysmë globale të zbatuar nga autoret në të gjitha variantet e abetares së miratuar nga MASH gjatë këtyre njëzetë viteve. Më 1997, Kongresi i Shteteve të Bashkuara i ka kërkuar Institutit Kombëtar të Shëndetit të fëmijëve dhe të zhvillimit njerëzor (…) për të verifikuar efektivitetin e metodave të ndryshme të përdorura në shkollë për mësimin e leximit. Analizat kanë vërtetuar që metodat ‘sistematike’ janë superiore jo vetëm në krahasim me metodat ideovizuale (whole word), por edhe me metodat gjysmëglobale (whole language).

Sot, programi “Asnjë fëmijë i lënë pas” (No Child Left Behind Act), i votuar më 2002 nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, rekomandon metodën fono-sintetike për të mësuar leximin.

Më 1998-1999, në ShBA është ndërmarrë një studim i gjerë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të Fëmijëve dhe i Zhvillimit Njerëzor (National institute of child health and human development), i cili ka shqyrtuar në një numër të madh shkollash rezultatet e metodave të ndryshme të përdorura për mësimin e leximit. Rezultati ka qenë krejt i qartë: metodat sistematike janë superiore jo vetëm ndaj metodave ideovizuale, por edhe ndaj atyre gjysmë-globale.

Shkurt, thuhet në konkluzionet e këtij studimi “metodat me nisje globale janë ma pak efikase se metodat me fillim fono-sintetik, ose silabik. Madje, për nxënësit më të dobët ose pa mbështetje të mjaftueshme në familje, metoda globale përbën një rrezik të vërtetë, që ata të ndodhen para vështirësish të pakapërcyeshme në përvetësimin e kodit alfabetik”.

Këto vështirësi vijnë ngaqë metodat me nisje globale mbështeten në njohjen gati fotografike të fjalëve dhe jo në njohjen e elementeve që e përbëjnë. Në këto kushte të lexosh ngjanë një gjëegjëze, ku ka një hipotezë: nxënësit nuk lexojnë në kuptimin e vërtetë të fjalës, por njohin një imazh që ju kujton një kuptim të përafërt.

Në një studim të bërë në Australi në vitin 2005 për mësimin e leximit është arritur në përfundimin që “është krejt evidente që metodat konstruktiviste të mësimit, përfshirë metodat globale, nuk janë në të mirë të nxënësve që kanë vështirësi për të mësuar, dhe në mënyrë të veçantë, të atyre që kanë vështirësi të mësojnë të lexojnë”.

Ministri francez i arsimit, Gilles de Robien, në vitin 2006 ka deklaruar se kërkimet shkencore “vërtetojnë që metodat me nisje ose fillim global janë shumë më pak efikase se metodat me fillim fono-sintetik ose silabik dhe se janë të papërshtatshme për nxënësit e dobët”.

“Për mua, shkruan ai, konkluzioni i gjithë kësaj është i thjeshtë dhe i qartë: mësimi i leximit duhet të fillojë nga tingujt dhe rrokjet. Duhet thënë qartë, pastër, në mënyrë eksplicite dhe bërë me dije tërë sistemit arsimor”. Në Itali, ekspertët italianë në fushën e pedagogjisë janë të një mendjeje që metoda globale favorizon nxënësit më të mirë dhe penalizon të tjerët.

Sipas ministrit të vjetër të Arsimit, Tullio di Mauro, një në katër nxënës nuk di as të lexojë, as të shkruajë kur mbaron kolegjin (shkollën tetëvjeçare). Edhe në Zvicër në metoda kryesore e mësimit të leximit është silabike. Çfarë thonë shkencëtarët e specializuar në studimin e leximit (neurologë, psikologë, linguistë)?

Studiuesja franceze Sprenger Charolles, psikolinguistike, drejtore kërkimesh në laboratorin e studimeve lidhur me përvetësimin dhe patologjinë e gjuhës te fëmijët, ka shkruar: “Fëmijët që deshifrojnë më mirë në fillim, mësojnë më shpejt dhe më mirë pastaj; deshifrimi është kusht sine qua non për mësimin e leximit”. Ose Stanislas Dehaene, profesor në Collège de France, drejtor i njësisë INSERM-C.E.A. të “Neuro-imagerie cognitive”, në spitalin Frédéric-Joliot:

“Pjesa e trurit e specializuar për leximin duket se nuk funksionon gjatë njohjes globale të fjalëve”. Përkundrazi, ajo i ndan fjalët e shkruara në elemente të thjeshta (shkronja, grafema), para sesa t’i identifikojë dhe shton se “Shumë kërkime përputhen lidhur me sugjerimin që të mësuarit është më i shpejtë në qoftë se e drejtojmë vëmendjen e fëmijëve te grafemat (që janë të koduara në këtë pjesë) dhe lidhjet grafemë-fonemë”. Ka njerëz që pretendojnë se me metodat globale a gjysmëglobale, 80% e nxënësve arrijnë të mësojnë të lexojnë.

Po, por janë 20 për qind të tjerë që preokupojnë sot shoqëritë moderne lidhur me mësimin e leximit në shkollë. Për mua, shkruan ministri i arsimit i Francës, konkluzioni i gjithë kësaj është i thjeshtë dhe i qartë: mësimi i leximit duhet të fillojë nga tingujt dhe rrokjet. Ja, pra, përse te ne është e domosdoshme një abetare me metodën fonosintetike ose silabike.

Në dallim nga metodat me fillim global (mikste) që nisen nga e tëra për të arritur tek e veçanta, metoda fono-sintetike ose silabike ose rrokjesore niset nga e veçanta për të arritur te tërësorja: ajo lejon, që, që në fillim, t’u japim fëmijëve mjetet e nevojshme për të qenë të pavarur dhe të suksesshëm. Është një metodë ndërtuese që u jep fëmijëve 6- vjeçarë siguri.

Dhe, nga këtu duhet filluar dhe kjo duhet të bëhet nga organet e specializuara të MASH-it. Pra, MASH-i duhet të përcaktojë në bashkëpunim me specialiste të kësaj fushe shqiptarë ose të huaj, se me çfarë metode duhet bërë abetarja dhe pastaj janë autorët që e bëjnë dhe shtëpitë botuese që i mbështesin, po sigurisht pa asnjë lloj detyrimi për mënyrën e organizimit të punës se hartuesit ose hartueseve.