LAJMI I FUNDIT:

Ndikimi i mediave mbi moralin e shoqërisë sonë

Ndikimi i mediave mbi moralin e shoqërisë sonë
Ilustrim

Shpendi Topollaj

Shfletova Fjalorin e Shqipes së Sotme dhe te fjala “Moral” gjeta këtë përcaktim: “Tërësia e veprimeve, e normave dhe e rregullave që janë krijuar historikisht në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore dhe që përcaktojnë sjelljen e veprimtarinë e njerëzve në shoqëri; vetë sjellja e njeriut sipas këtyre parimeve, normave e rregullave”. Kjo nënkupton se çdo sistem shoqëror ka moralin e vet, që sado të ndryshojnë, disa gjëra janë njësoj për të gjithë.

Por, janë disa sisteme që vërtet i kushtojnë vëmendje të veçantë kultivimit të moralit te masat e gjëra, por gjithmonë në interes të klasës sunduese dhe ruajtjes së paprekur të pushtetit që kjo klasë ka kapur. Për më tepër, sistemet fashiste, naziste e sidomos ato komuniste, pra diktaturat, vënë të gjithë arsenalin e tyre të propagandës, për të ndërtuar një njeri-robot, të bindur e të nënshtruar deri në humbjen e personalitetit.


Të gjithë duhet të mendojnë njësoj, të veprojnë njësoj e mundësisht edhe të vishen po njësoj. Regjimet krijojnë heronjtë e tyre që duhen ndjekur dhe tregohen mjaft të ashpra me ata që sillen tjetërsoj, duke e justifikuar këtë edhe me ligjet absurde që miratojnë. Pa u shpërndarë shumë, mjafton të evokojmë përpjekjet e pareshtura që u bënë në Shqipërinë e viteve 1945-1990 për krijimin e njeriut të ri, sipas normave të moralit komunist, të cilat jo vetëm na bënë qesharakë në sytë e botës, por rezultuan edhe mjaft të dëmshme dhe me pasoja shpesh tragjike.

Gjithçka e orientuar, e kontrolluar, e orkestruar që nga paraqitja e jashtme, prerja dhe krehja e flokëve, gjerësia e pantallonave, gjatësia e fustaneve, shijet në muzikë, dhe arte e letërsi, shkuarja e detyruar në aksione, stërvitje ushtarake, pjesëmarrja në format e edukimit politik, verifikimi i biografisë para martese, dhe sidomos vetëcensurimi në ato që thoje dhe demaskimi e ndëshkimi kur heshtje ndaj gabimeve të shokut etj. etj. Kur diktatura në vendin tonë ra me turp dhe u fitua liria dhe të drejtat e njeriut, natyrisht që edhe parimet bazë të moralit do të ndryshonin.

Dhe, këtu i dilte një detyrë parësore si familjes, që ndofta u kap disi e papërgatitur, ashtu edhe shkollës që po reformohej, shoqërisë në tërësi, institucioneve të reja të pushtetit dhe patjetër mediave që fatmirësisht u shtuan në mënyrë të pabesueshme. Dhe, në fakt, të paktën në aspektin ligjor, pas çoroditjes dhe rrëmujës së fillimit, dukej se gjithçka po merrte formë për mirë. Mirëpo, kaluan mbi tri dekada dhe konstatojmë me keqardhje se disa tregues në këtë drejtim, jo vetëm që po lënë shumë për të dëshiruar, por dhe po ngjallin disa dukuri krejt të panjohura edhe gjatë viteve të komunizmit.

Është e tepërt t’i rreshtoj ato, se jo vetëm që i kam përmendur në një shkrim të mëparshëm me titull: “A duhet të shqetësohemi nga sjellja dhe morali i të rinjve tanë?”, por tani gjithkush i ka parë e përjetuar vetë në praktikën e përditshme. Rrugaçëri, gojështhurje, lakuriqësi, tualete vajzash ende të vogla edhe gjatë orëve të mësimit, ku frekuentimi lë për të dëshiruar, jetë nate, cigare e pije pa hesap, tatuazhe të frikshme që mbushin trupat e tyre ende të njomë, varëse të shtrenjta floriri, drogë, mungesë respekti për të rriturit e mësuesit, makina luksoze, dashuriçka e puthje në sy të njerëzve, bashkëjetesa, ndarje pa gjë të keq, prostitucion, ndesh ngado që të kthehesh.

Askush nuk lexon një libër dhe s’i ndahen për asnjë çast celularëve të shtrenjtë. Kështu që askush jo që nuk ka dëgjuar për atë thënien e Anton Çehovit se “Njeriu duhet ta ketë gjithçka të bukur: edhe fytyrën, edhe shpirtin, edhe mendimet, edhe sjelljen, edhe veshjen”, por as që e njeh fare atë dhe gjigantët e tjerë të letërsisë. Provojini dhe do të shihni se shumica e tyre nuk dinë t’u recitojnë edhe një poezi të vetme. Ka një parim në të drejtën romake, përmendur edhe nga Ciceroni: “Is fecit cui prodest”, që do të thotë se “duhet të numërohet fajtor edhe ai që përfiton prej tij”. Po hajde e gjeje se kush është ai që ka interes të çoroditet e të dalë nga binarët brezi i ri.

E gjetur është që televizionet, sidomos televizionet me programet e tyre shpesh banale, por dhe një pjesë e shtypit të shkruar, qoftë me ndonjë shkrim të papërgjegjshëm apo me moskokëçarje për t’i trajtuar problemet e moralit dhe sjelljes së të rinjve, po gabojnë rëndë. Ne kemi një AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive), me ekip të aftë, të plotësuar dhe mirëpaguar, i cili si në çdo vend të qytetëruar, në bazë të ligjit Nr. 97/2013, dekretuar më 15.03.2013, me ndryshimet përkatëse si ato të dt. 18.12.2019, ka detyrë ndër të tjera, verifikimin, dhe në rast mospajtueshmërie me normat e moralit të një vendi normal, i cili ka dhe veçoritë e veta, duhet t’i ndalojë dhe ndëshkojë tendencat, minimumi, jo korrekte të personave përgjegjës.

Dhe, ja si thuhet tekstualisht atje: “AMA, në ushtrimin e funksioneve të veta, siguron: a) që të gjitha shërbimet audiovizivë të përmbushin sa më mirë nevojat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, duke respektuar gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve”. Po mirë, mor vëllezër e motra, por a ka familje që nuk i bën përshtypje dhe i lë një shije të keqe, kur vend e pa vend thirren nëpër studio homoseksualët që të na japin përvojat e tyre të shpifura? Po si mund të flasin e krenohen dy gra intelektuale në një program mjaft të ndjekur, mbi mrekullinë e martesës mes tyre dhe nevojën që edhe kjo çështje kaq “vitale” të rregullohet me ligj, se duan edhe të rrisin fëmijë? Po e drejtë është kur një dështake e ardhur nga jashtë ku banon prej disa vitesh, predikon duke u spërdredhur, domosdoshmërinë e braktisjes së familjes, atavizmin e martesës së rregullt, bërjen ç’të dojë me trupin e saj, teksa harron atdheun e vet dhe na drejtohet me përbuzje se “ju shqiptarët jeni të prapambetur”.

Po ajo që deklaron se e shijoj jetën deri në aventura dhe në këtë rrugëtim të këndshëm, ku shkoj me kë të dua, ndalem në atë stacion që më mbushet mendja. Qeshin shikuesit pa u menduar gjatë me lojërat e fjalëve të ndyra të emisioneve humoristike, pa u kujtuar se kështu po u bëjmë një dëm të madh fëmijëve tanë. Po mirë është artikulimi i fjalës seks në çdo orë e minutë, madje dhe i disa skenave të nënkuptueshme pornografike, në sy të mbesës sime, Perla, dhe nipit Rubin, në lloj-lloj programesh pa asnjë vlerë kulturore apo artistike. Por, a ka turp më të madh, ose më thoni, çfarë është turp në shoqërinë tonë sot. Nuk dua ta besoj se këto janë kushtet që na vë Evropa për të na pranuar në gjirin e saj, se po qe kështu kurrë mos u pranofshim.

Ka mjaft programe serioze si fjala vjen ato që drejtojnë Ardit Gjebrea, Alketa Vejsiu, Zhani Ciko, Enkel Demi, Gjergj Leka, Marin Mema, Dëfrim Met’hasani, Rudina Çupi, Ilnisa Agolli, Ivi Kaloçi etj., etj. që duhen përshëndetur për vlerat e larta edukative. Se ne kemi edhe një bela tjetër: shpesh karagjozë bëhen edhe politikanët e rangjeve të larta, që pa gjë të keq, nxjerrin nga goja pisllëqe prej rrugaçësh deri në sallën e Parlamentit. Media nuk ka pse t’u bëjë jehonë atyre. Ata me fjalë e sjellje duhet të predikojnë moralin, se fundja edukimi me normat e larta morale është detyrë kryesore e tyre. Platoni (427-347), i jepte shumë rëndësi nevojës për edukim.

Ai thoshte se “Qëllimi i edukatës është që trupit dhe shpirtit t’u japë tërë bukurinë dhe tërësinë që mund të kenë”. Dhe vetëm njerëzit e edukuar mirë, mund të ndërtojnë një shoqëri të moralshme në tërë kuptimin e kësaj fjale. Anëtarët e nderuar të AMA, veç detyrës funksionale, patjetër që kanë edhe vetë fëmijë, ndaj duhet të tregohen të rreptë me ata që shkelin ligjin gjatë transmetimeve audiovizive. Ne e dimë se pronarët e tyre janë “të fortë”, me para dhe krahë të ngrohtë, falë lidhjeve me ata lart. Por askush nuk është më i fortë se ligji. Dhe ligji në këtë rast është me AMA dhe popullin që do programe të pastra, të shëndetshme dhe të moralshme.