LAJMI I FUNDIT:

Gara në bartjen e grave në shpinë: Një zakon i çuditshëm, një traditë rurale finlandeze

Gara në bartjen e grave në shpinë: Një zakon i çuditshëm, një traditë rurale finlandeze

Bartja e një gruaje është një sport në të cilin konkurrentët meshkuj vrapojnë kundër njëri-tjetrit, ndërsa secili prej tyre bartë një garuese

Vrapimet janë shumë të njohura, ndaj janë zhvilluar një numër i madh disiplinash dhe teknikash deri në organizmin e Kampionatit Botëror në vrapimet në bartjen e femrave.

Kampionati i bartjes së gruas është një traditë finlandeze, e cila që nga viti 1992 është shndërruar në garë të përvjetshme sportive.


Kjo lloj gare i ka rrënjët në fund të viteve 1800-ta, kur gangsteri i quajtur Rosvo-Ronkainen, nga Sonkajärvi i Finlandës, pranonte në bandën e tij vetëm burrat të cilët me sukses vidhnin gra nga fshatrat fqinje.

Sipas rregullave të Komisionit Ndërkombëtar të kësaj gare, gjatësia zyrtare e pistës së shtruar me rërë duhet të jetë 253.5 metra. Ajo duhet të ketë tri pengesa, ku një prej tyre është gropa e mbushur me ujë.

Gruaja që bartet në shpinë mund të jetë gruaja e garuesit, e fqinjit, ose ndonjë vullnetare e rastit, dhe në të tri rastet ajo duhet të jetë mbi 17 vjeçe.

Pesha minimale e gruas që do të bartet është 49 kilogramë. Nëse ajo peshon më pak se kjo peshë, atëherë, asaj i ngarkohet në shpinë një çantë që mban peshë shtesë të nevojshme për ta arritur peshën totale të kërkuar.

Pajisjet e vetme të lejuara gjatë garës janë rripi i bartësit dhe përkrenarja e të barturës. Fituesi ndërkaq, është çifti që përfundon garën në kohën më të shkurtër.

Gara e Bartjes së Gruas ka dy kategori: atë Zyrtare dhe atë të Seniorëve – për pjesëmarrës të moshës mbi 40 vjeç.

Me çmime të veçanta shpërblehen edhe çifti më i këndshëm, kostumi më i mirë, dhe bartësi më i fortë .

Përveç Finlandës, ky sport është i përhapur edhe në Australi, SHBA, Hong Kong, dhe Estoni, ku kjo e fundit me 55.5 sekonda, e mban dhe rekordin botëror. /Telegrafi/