LAJMI I FUNDIT:

Eprori i policisë filmohet në fanellën e ekipit të biznesit të Millan Radojçiq

Eprori i policisë filmohet në fanellën e ekipit të biznesit të Millan Radojçiq

Zyrtari policor, Goran Milivojeviq ishte shef i ndërrimit në pikën kufitare të Bërnjakes në ditën kur nga kjo pikë u arratis i kërkuari Milan Radojiçiq.

KALLXO.com raporton se ai ka një lidhje bukur interesante me njeriun i cili u arratis nga duart e shefit të ndërrimit në pikën kufitare.

Nënkryetari i Listës Serbe i përshkruar edhe si njëri nga njerëzit më me ndikim në veriun e Kosovës u arratis nga duart e policëve pasditen e së enjtes ndërsa rrethanat e arratisjes zbuluan probleme të mëdha.


Policia konfirmon se Milan Radojiçiq iku me veturë nga Bërnjaku
Lexo po ashtu Policia konfirmon se Milan Radojiçiq iku me veturë nga Bërnjaku

Përpos rrethanave që në pikën kufitare atë ditë nuk kishin punuar kamerat, KALLXO.com ka zbuluar se eprori i policisë, Goran Milivojeviq është pjesë e ekipit të futsallit i cili zhvillon gara në Mitrovicën e Veriut, e që është i financuar nga biznesi i cili është në pronësi të Millan Radojiçiq.

Restorant “Grey” që ndodhet në Mitrovicën e Veriut është në pronësi të Radojiçiq, ndërsa ekipi ku luan futsall eprori i Policisë, e mbanë emrin e këtij restoranti në fanella.

KALLXO.com ka siguruar pamje të lojës e po ashtu fotografi ku shihet Millivojeviq tek mbanë fanellën e klubit.

Në një rast të paprecedentë Millan Radojqiq u arratis nga pika kufitare ndërsa për arratisjen e tij u suspenduan nga puna Kapiten Milosh Dancetovic, rreshteri Goran Milivojevic dhe polici Jovan Jokovic.

Arratisja e tij nuk u incizua pasi kamerat e vendosura në disa pika të ndryshme në kufirin në Bërnjak nuk funksiononin.

Për këtë çështje, hetime ka urdhëruar edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku. Ky i fundit para disa ditësh ka vendosur në “stop-listë”, Radojiçiqin për rastin “Brezovica”.