LAJMI I FUNDIT:

VAR-i poli(e)tik: Inati me çmimet dhe paralajmërimi i “dimrit të vetmisë së madhe” nga KEDS-i

VAR-i poli(e)tik: Inati me çmimet dhe paralajmërimi i “dimrit të vetmisë së madhe” nga KEDS-i

Gjithë këto vetura dhe gjithë kjo rrëmujë në komunikacion. Gjithë ky kallaballëk në kafehane e restorante. Gjithë ata njerëz në qendra tregtare …

Nuk e di njeriu nëse jemi në kulmin e zbritjes apo të ngritjes së çmimit të karburanteve i cili, krahasuar me fillimvit, u ngrit për mbi 40 për qind.

Nuk e di njeriu nëse makiato nga 70 ra në 50 centë, apo shkoi në një euro e diku edhe më shtrenjtë. Edhe byreku u shtrenjtua.


Nejse.

Te byreku mund të kursejmë, nëse e hamë pa jogurt.

E, për artikujt e konsumit të përditshëm të mos flasim. Çmimi mujor i shportës familjare është bërë i papërballueshëm.

Ngritja e çmimeve ka prekur xhepat, edhe ashtu të zbrazur, por nuk ka prekur kokat tona. Çmimet po ngriten çdo ditë dhe askush nuk protestoi e as do të protestojë. Çdo ditë raportohet për ngritje të reja çmimesh, por askush nuk bëri as edhe një veprim që të ndalet ky trend, që po rrit varfërinë.

Përkundrazi.

Kjo sikur ka rritur inatin që t’i rivalizojmë çmimet me më shumë shpenzime. S’ka dert nëse para 5-6 muajsh me 10 euro në rezervuar të veturës tuaj janë derdhur mbi 11 litra naftë, e tash i merr mbi tetë litra. S’ka rëndësi që gjysmën e rrogës, prej diku rreth 400 euro si nëpunës shteti, do ta shpenzojë për karburante e makiato. Me rëndësi kerrin mos me ndalë. Zotnillakun me e ruejt. Mos me korit kravatën dhe gellin.

Kanë thanë – qejfi (lexo inati) ma i madh se Stambolli.

Nejse.

Çmimet u ngritën dhe po vazhdojnë të ngriten pa paralajmërim.

Por, po paralajmërohen protestat dhe grevat e të punësuarve në shëndetësi, arsim dhe administratë shtetërore. Kërkojnë nxjerrjen e Ligjit të pagave. Ky ligj rrafsh qe 10 vjet është në proces. Madje, në shkurt të vitit 2019 ai u miratua, por nuk u zbatua. Një vit e gjysmë më vonë u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese. Dhe, si të mos zhvlerësohej kur më shumë ishte një fontanë dëshirash e interesash të sajuesve të tij dhe deputetëve, sesa një ligji që do të vendoste rregull dhe të evitonte anomalitë dhe diferencat e mëdha në paga në sektorin publik. Përveç gjatë fazës së hartimit, Ligji u plotësua sipas interesave të deputetëve edhe në Kuvend. Amendamentohej pothuajse secili nen e pikë, duke ua ngritur pagat grave e burrave, motrave e vëllezërve, djemve e vajzave të tyre, tezeve e dajave, miqve e shokëve – të cilët më parë i kishin punësuar nëpër institucione dhe agjenci shtetërore.

Krejt e natyrshme. Kur i kanë punësuar u kanë treguar se njëherë s’ka rrogë të mirë, por me Ligjin e pagave do të kenë paga të majme.

***

Jemi në prag të dimrit. Meteorologët thanë se javën tjetër mund të bie borë.

Por, a di dikush të tregojë se si do të ngrohemi sivjet?

Qymyrin e ndaluan. Çmimi i druve shumë i lartë, sepse ata që na i shesin drutë malet e shtetit i kanë pre pamëshirshëm që 20 vjet, tash po ju duhet edhe vetë t’i blejnë nga pronarët privatë të maleve.

Bota është në krizë energjetike. Ne i kemi termocentralet e KEK-ut, por duket se kjo s’do të bëjë punë. Ministrja e Ekonomisë ka apeluar te qytetarët të mos ngrohen me rrymë, sepse mund të ketë shtrenjtim diku kah prilli.

KEDS-i të enjten dha një alarm të frikshëm. Thanë se të mërkurën (25 nëntor 2021) importi i një megavati të energjisë elektrike u ka kushtuar 325 euro – për dallim nga dita e njëjtë e vitit të kaluar që ka kushtuar 63 euro. Pra, mbi pesëfish më shtrenjtë.

Pra, ky është një paralajmërim ogurzi nga KEDS-i.

Njerëz, nxirrni frigoriferët nga priza dhe qitni në tarracë. Temperaturat natën do të bien nën zero. Ndalni dritat. Rrobat lani me dorë.

Harrojeni pasulin, se ai do kohë me u zie. Ma lirë u del ta hani në gjellëtore – pa mish, kuptohet.

Ta kalojmë këtë dimër me supë.

Nejse.

I përballon ky popull të gjitha.

Kemi jetuar edhe pa rroga. Kemi jetuar edhe nën okupim.

Kemi jetuar edhe duke vjedhur rrymë. Po jetojmë edhe duke ua paguar të tjerëve faturat e rrymës.

Në krejt këtë situatë që jemi, analogjia mund të mos jenë adekuate, por paralajmërimi i KEDS-it ma kujtoi titullin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, që ia kushtoi prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve komuniste, Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, në dimrin mes viteve 1960-61.

Jemi në prag të dimrit të vetmisë së madhe, që mund të na shkaktojë KEDS-i.

Prandaj, furnizohuni me batanije. Çmimi i tyre mund të dhjetëfishohet! Por, edhe mund të ketë mungesë të tyre, në acarin më të madh!

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre

Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre

Premier League
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë

"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK

Magazina
Kalo në kategori