LAJMI I FUNDIT:

Integrim apo izolim me BE?

Integrim apo izolim me BE?

Avazi i vjetër me Brukselin

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Shqipërinë e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Mesazhi politik kryesor i saj ishte se e ardhmja e shteteve tona ishte brenda Bashkimit Evropian. Për Tiranën e Shkupin ajo tha se ishte personalisht e vendosur që konferenca ndërqeveritare e BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit të mblidhej sa më parë, mundësisht brenda vitit. Udhën drejt së ardhmes së përbashkët liderët e Bashkimit Evropian tok me ata të Ballkanit – premtoi ajo – ne do ta ravijëzojmë në Samitin e Lubjanës.

Njëkohësisht me këto deklarata, agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi se BE (shtetet anëtare) nuk kishte rënë dakord që në samitin e Lubjanës t’u garantonte shteteve të Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit. Letër-ftesa dyfaqëshe për në samit, e nënshkruar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në paragrafët e fundit informon se ditën e dytë, më 6 tetor, do të flitet për Ballkanin, për nevojën për ta stabilizuar atë, për zhvillimin social-ekonomik mbas pandemisë, për bashkëpunimin strategjik etj. Asnjë fjalë për zgjerimin e BE-së, d.m.th anëtarësimin e ardhshëm të shteteve tona.


Ndërkohë që për kryeministrin slloven Janez Jansha (Sllovenia ka aktualisht Presidencën gjashtëmujore të Bashkimit) zgjerimi i BE-së në Ballkan ishte objektivi i parë e i vetëm i këtij samiti të iniciuar prej tij. Publiku shqiptar jo gjerësisht i familjarizuar me arkitekturën institucionale e kompetencat vendimmarrëse në BE, prej disa vitesh sheh konfuzion në këto qëndrime të politikanëve evropianë. Por, edhe qeveria shqiptare, që supozohet e mirinformuar për këto gjëra, u bë qesharake kur në qershor 2018 festoi me dekorata e shampanjë pikërisht çeljen e negociatave. Prej vitesh ne shohim nga Komisioni Evropian, një pjesë e Parlamentit Evropian dhe e shteteve anëtare një vlerësim pozitiv, por në thelb dorëlëshuar e zbukurues për kriteret e demokracisë e shtetit ligjor. Pjesa tjetër është më objektive në vlerësim e më rigoroze në qëndrim..

Prej vitesh argumentoj se një vlerësim objektiv e qëndrim rigoroz, por korrekt ndihmon më shumë një Shqipëri (e një Ballkan) evropiane në kuptimin e kritereve të Kopenhagës siç njihen vlerat bazë të kontinentit tonë: liria, shteti ligjor, demokracia e të drejtat e njeriut. Qasja dorëlëshuar ngre fasada propagande, problemet mbeten pazgjidhur dhe sigurisht shfaqen të agravuara më vonë (siç ka ndodhur me Serbinë post-milosheviqiane që ka shënuar regres sidomos në këto shtatë vite negociatash me Brukselin apo edhe me ndonjë shtet anëtar në BE). Të gjitha këto çështje do të vazhdojnë të diskutohen në muajt e vitet e ardhshme pavarësisht nëse konferenca ndërqeveritare arrin të mbahet para Krishtlindjes. Çfarë është gjithsesi e dëshirueshme.

Rreziku që vjen nga emigrimi pa kufi i shqiptarëve …

Krahas lajmeve për zgjerimin e BE-së në Ballkan, një lajm tjetër tërhoqi gjithashtu vëmendjen: një numër i mirë i shteteve anëtare, përfshi edhe ato që janë tradicionalisht pro zgjerimit, kishin ngritur shqetësimin për abuzimin me lëvizjen e lirë nga shtetas të Ballkanit. Sipas raportimit të Gjermanisë pranë instancave evropiane në renditje (1 deri 10; ku 1 është shumë keq e 10 më pak keq) problem ishin Shqipëria (2) e Serbia (7). Edhe të tjera shtete të Evropës Perëndimore janë ankuar për shkeljen e rregullave nga ana e shtetasve shqiptarë dhe po kërkojnë pezullimin e liberalizimit të vizave. Kur Holanda në prill 2019 kërkoi pikërisht këtë për Shqipërinë hasi në refuzim, sepse ishte një zë i vetmuar. Tashmë kjo po kërkohet nga një numër i konsiderueshëm shtetesh anëtare; që do të thotë se arritja më e madhe e më e prekshme e Shqipërisë në këtë dekadë, udhëtimi pa viza në Evropë, po vihet seriozisht në rrezik.

Në 2014-ën, katër vjet mbas heqjes së vizave, filloi vala e emigrimit masiv nga Shqipëria drejt Gjermanisë, Francës etj. Asokohe Saimir Tahiri dhe Edi Rama na “shpjeguan” në Kuvend se bëhej fjalë për emigrantë shqiptarë prej vitesh në Greqi, të cilët mbas krizës financiare atje, nisnin mërgimin e dytë. Për këtë gënjeshtër të trashë Rama nuk ka kërkuar ndonjëherë ndjesë. Por më vonë ai e justifikoi emigrimin nga Shqipëria si nevojë sociale të papërballueshme; edhe përballë qortimeve të evropianëve. E vazhdoi kështu edhe kur emigrantët e Shqipërisë tejkaluan si vlerë absolute, si dhe u bënë shumëfish në përqindje krahasuar me çdo vend tjetër nga Baltiku deri në Bullgari. Në fakt, BE aprovoi heqjen e vizave vetëm kundrejt garancive se nuk do të kishte ortek emigrantësh. Ndërkohë që nevojat e tregut të punës i kënaqte në rrugë ligjore.

Me gjasë qeveria Rama nuk ka vullnet që përmes mirëqeverisjes të ngjallë shpresë për një të ardhme të mirë në atdhe. Mbase qeveria nuk do t’ia dijë se shoqëria po humbet profesionistët dhe shtresën e mesme. Madje ajo mund të ketë kalkuluar edhe avantazhin elektoral. Por mbase edhe shqiptarëve u nevojitet një e shkundur që të reagojnë ndaj hemorragjisë rrënuese.

… dhe i bangladeshasve

Vizita në Tiranë e ministrit të Brendshëm të Austrisë, Karl Nehammer, njëkohësisht me zonjën Von der Leyen, u perceptua si vizitë rutinë për bashkëpunimin në luftën kundër kriminalitetit e emigracionit të paligjshëm, sidomos nga Lindja e Mesme e Azia Qendrore. Por, media austriake zbuloi edhe një detaj interesant: problem në Shqipëri është se masa njerëzish nga këto areale vijnë pa vizë në Shqipëri. E pastaj, sipas Policisë austriake që heton të dhënat e celularëve të tyre, rishfaqen ilegalisht në Austri. Dhe aty disa syresh sjellin andralla lidhur me sigurinë publike, kriminalitetin e terrorizmin. Para dy vjetësh Rama pretendoi se mungesën e fuqisë punëtore në vend do ta zgjidhte me bangladeshas punëdashës e fjalëpakë.

Ndërkohë, të dhënat janë se ata arabë apo aziatikë që ligjërisht vunë këmbë në vatanin tonë u zhdukën pas pak muajsh sepse morën drejtimin e emigrantëve të paligjshëm: Evropën e pasur që ofron paga të larta e ndihmë sociale bujare. Mbase Rama e bëri këtë i ndikuar nga idetë globaliste të mentorit të tij në Nju Jork, i cili lufton për një botë pa kufij e migracion pa pengesa; mbase Rama u investua në një skemë të mirëfilltë të trafikut njerëzor me plot “biznesmenë” rreth tij të gatshëm për të bërë para të shpejta. Në çdo rast është një dështim i nismës së “bangladeshasve punëtorë”. Dhe një siklet më shumë që Evropa merr veresie nga qeveria jonë. Si dhe një rrezik që shqiptarët të fillojnë të mbajnë radhë për viza si aktualisht kosovarët. Kjo e fundit për ata që kanë harruar si ishte para vitit 2010.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre

Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre

Premier League
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë

"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK

Magazina
Kalo në kategori