LAJMI I FUNDIT:

​Sonte Festa e Krishtlindjes

​Sonte Festa e Krishtlindjes

Ipeshkvia e Kosovës sonte organizon programin e Festës së Krishtlindjes 2020, në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, duke filluar nga ora 23:30.

Në ora 23:30 mbahet Koncerti i Krishtlindjes nga një grup studentësh të Akademisë së Muzikës dhe fëmijët e Famullisë së Prishtinës në Katedralen Shën Nënë Tereza.


Ndërsa, në ora 24:00 Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza Prishtinë, të cilën do të udhëheq Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë të dioqezës.

Për të marrë pjesë në meshën e mesnatës në Katedrale, duhet të respektohen masat, që janë ndërmarrë në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ipeshkvisë sonë.

Të respektohen masat sipas Manualit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 si në vijim:

Dezinfektimi i hapësirave në të gjitha objektet (kishat), ku do të bëhen ceremonitë fetare (meshat).

Të respektohet distanca prej 2 metra.

Gjatë gjithë kohës të mbahen maskat nga pjesëmarrësit në ceremoni.

Të ketë dezinfektues në hyrje dhe brenda objektit kishtar.

Të ju ndalohet pjesëmarrja në meshë e të sëmurëve kronik dhe të moshuarve.

Mundësohet mbajtja e Meshës së Krishtlindjes me datë 24.12.2020 në mesnatë sipas kërkesës së Ipeshkëvisë. Koha e lejuar është, prej orës 23:00 të datës 24.12. deri në ora 02:00 të datës 25.12.2020.

Pas përfundimit të meshës së mesnatës, Ipeshkvia e Kosovës është e obliguar të respektojë Vendimin e Qeverisë si dhe vendimet e Ministrit të Shëndetësisë.