LAJMI I FUNDIT:

Át Paulin Margjokaj, mea culpa dhe shqiptarët

Át Paulin Margjokaj, mea culpa dhe shqiptarët

Át Paulin Margjokaj, një autor i rëndësishëm françeskan i diasporës, ndonëse pak i “njohur” për shkak të moskomunikimit në regjimin e kaluar, teksa bën një analizë të shkoqitur politike-historike të shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, gjashtëdhjetë vite më parë, shkruante nga Austria, ku qëndroi nga viti 1941 deri në fund të jetës, më 1975: “Asht shum vshirë qi nji shqiptar të thotë ndojherë mea culpa (për fajin tim); ai nuk ia ven për kurrgja fajin vetes, por përherë tjetërkujt…”, duke treguar se cilat ishin fajet e tyre konkretisht, si “në lëshimin e koncesionit të Bankës Kombëtare në duer italiane (1925), ku patën ndodhë mjaft shrregullime të randa” etj.

Edhe pse bëhet fjalë për afro një shekull më parë, thua se At Margjokaj është duke përshkruar të sotmen në Shqipëri, kur thotë: “Të gjithë e dijmë se hajnia dhe korrupsioni e përcuellën gjithkund jetën politike shqiptare të asaj kohe. Le të mos harrohet se krejt mendësia shqiptare e kohës e favorizonte qind për qind kët korrupsion të gjithmbarshëm të njerëzve me ndoj zyre shtetit. Çdo njeri i popullit – l’uomo della strada! – ishte i mbushun mendësh dhe e mbate si një gja krejt të natyrshme qi nji zyrtar i naltë a i ultë i shtetit do të vente dorë në kashen e përbashkët të popullit. Dhe sa ma nalt, aq ma e arrijtshme ishte kjo kashë!…”.

Kur lexon këto radhë, duket se politika ka qenë një fatalitet për shqiptarët, të cilët nuk kanë mundur as atëherë e as sot të “prodhojnë” një qeverisje të pakorruptuar, që nuk zhvat, nuk mashtron, nuk përlyhet në afera dhe nuk favorizon krimin. Të vetmit që të vijnë ndërmend në këtë rast, janë disa politikanë të stilit perëndimor që i janë ofruar qeverisjes në këto tridhjetë vite tranzicion, por kur kanë parë se atje lart nuk rrinin dot të ndershëm, siç kishin qenë, kanë ikur andej nga kishin ardhur, jo pak herë në Perëndim. Ata kanë ikur pa bërë zë, pa treguar se çfarë kishin parë të “gatuhej” atje lart, në zyrat e shtetit (pse të ngatërroheshin, përderisa po iknin!), kurse të tjerët, që kanë qëndruar për të bërë karrierë e pará në kurriz të popullit, kanë vazhduar avazin e vjetër shekullor, pse jo, të prejardhur qysh prej kohës së Turkisë. Në këtë mënyrë s’kishte mea culpa të tipit: o njerëz, që na keni besuar t’iu qeverisim, ne qeveritarët tuaj të lartë, presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, drejtues vendorë, kemi gabuar!…


Askund, asnjëherë nuk është shqiptuar kjo frazë magjike, që do të ishte shenja se gjerat aty e mbrapa mund të ndryshonin. Thuhet disa herë dhe me të drejtë se askush nga ish-qeveritarët e djeshëm nuk ka kërkuar falje as për gjënë më të vogël, jo më për persekutimin e thellë politik, varfërimin e popullit, izolimin etj. E vetmja “mea-culpa” e tyre ka qenë: “Ashtu ishte ligji, sistemi”. Mirë se ajo ishte diktaturë dhe e “përligj” veten ashtu, por as në këtë kinse demokracinë e sotme, nuk ka ndodhur asnjëherë të kërkohet falje, për aq shumë mbrapshti që i janë shkaktuar këtij populli nga qeveritarët e tij, as për 2 prillin, as për firmat piramidale dhe ‘97-ën, as për 21 janarin… për vjedhjen drastike të votës, thuajse në çdo fushatë zgjedhore, për grabitjen e pasurive kombëtare nga pushtetarët dhe një dorë njerëzish të lidhur përmes aferash me ta, për lejimin e një sistemi drejtësie krejtësisht të kalbur etj.

Përkundrazi, udhëheqësit me siguri kanë filluar të shkruajnë kujtime se si kanë mbetur apo do të mbesin në histori… që zor t’ua lexojnë dhe nipërit e mbesat! Por, a kanë faj vetëm të naltit e shtetit? Át Margjokaj na thotë jo, kanë faj, sipas tij, dhe “të vegjlit”, tregtarucët (do t’i vinin në ndihmë ne) që “gjithësa herë i bashin hile fshatarit a malsorit të thjeshtë me kandar e me peshë, gjithësa herë e përbuzshin dhe e merrshin nëpër kambë…” ashtu si sot, një shekull më vonë, kur, paturpësisht, nga tregtarët e farmacive etj., çmimi i maskave dhe i dorezave plastike është rritur së tepërmi, pa dashur t’ia dinë për ministren e përkushtuar Manastirliu dhe organet tatimore.

E vijon Át Margjokaj me shtjellimin e korrupsionit në atë që ne e quajmë bazë: “Të mendojmë at zyrtarin ma të voglin në çdo katund a qytet qi s’çanë kryet për ankesat ase nevojët e njerit të ligshtë… se si zyrtari e len të shkretin me pritë me orë, pse ai asht shumë i zanë tue ça kopalla me shokë… Të kujtojmë at mjek ase infermier qi s’e kqyrë as me sy të papasunin…”. Skaneri politik kritik i fratit mendjemprehtë është i njëjtë me atë që ndodh përditë në “mejhanet” tona publike, a thua se asgjë nuk ka ndryshuar nga fillimet e shekullit XX: “Natyrisht, sa ma pak të dijë njeri, aq ma shum flet. E për politikë, nuk âsht kush qi flet aq shum sa shqiptarët… Tue ndigjue fjalët qi flasin ata kafehanevet e mejhanevet, dita më ditë e nata më natë, kujton njeri se për së shpejtit Shqipnija do të bahet nji Kaliforni e dytë…”.

Sarkazëm e merituar! Këtë psikologji shqiptare, – do ta quanim parapolitike, e kanë vërejtur dhe të tjerë mendimtarë të klerit katolik që kemi skeduar kohë pas kohe, sigurisht në rend me mendimtarë të shquar të vendit, të të gjitha besimeve e rrymave politike, si Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani apo Mustafa Kruja – me të cilin ka pasur një letërkëmbim At Margjokaj. Kështu, At Anton Harapi, në vitin 1918, duke kundruar jetën e malësive nga Gruda, në anë të Cemit, ku ishte famullitar, cek dhe ngasjet politike gjatë një dreke të madhe pajtimi (pas disa vrasjeve) mes bajrakut të Grudës dhe atij të Triepshit, ku në sofra ishin ulur rreth 60 vetë. “S’vonoi e kuvendi u suell mbi politikë. Aty ndodhshin gjithfarë kokrrash, gjithnduer brumi e gjithfarë partie… Veti me veti shkojshëm tue kërkue kah vjen se shqiptari, analfabet tue kenë, shkëputë, të thuesh, prej tanë jetës botnore, mbledhë me mentalitet e me nevojë vetëm mbrenda trollit të vet, mezi pret rasën të flasë e të merret me punë të mbretnivet. Ky fenomen në jetën shqiptare, njimend me ndryshime, por i njajtë, shfaqet jo vetëm ndër male, por edhe në fushë e ndër qytete… Shqiptari, prej natyre, asht shqyrtues e analitik, don të shtyhet e të shofë, ndoshta dhe ku nuk mundet me pa, don të mbahet disi në të madh e të flasë e të gjikojë mbi punë të mëdha”. (“Andrra e Pretashit”, Romë 1959, f. 192, 193.)

Shkrimtari Dom Lazër Shatoja, një tjetër shkrimtar mendjendritur nga radhët e klerit, shumë dekada më parë, në njërin nga shkrimet e veta, shkruante gjithë pezëm e ironi: “Po, zotní. Pse ai deputet, sikur të gjithë deputetnit e tjerë në kët vênd, ka nji profesjon. Âsht veterinar. Luksin me bâ profesjon zyret politike mund t’ia lejojë vetes vetëm Shqipnija e ndoshta ndoj shtet tjetër ballkanik. Zvicra e shkretë nuk ka mbërrîjtë ende n’at shkallë…”.

Çfarë do të thoshin, pas kësaj, deputetët e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë, që me daljen e opozitës prej tij, me këtë “opozitën e re parlamentare” ka prekur fundin e përtejfundit? Dhe, mbi të gjitha, çfarë do të thoshin shqiptarët, që pas një viti do të votojnë për Kuvendin e ri? Me lista të hapura apo më lista të mbyllura, e rëndësishme do të ishte që mendjet e politikanëve të mos vazhdojnë me qenë “të mbyllura” si deri më sot. Përndryshe, kujt do t’ia kërkonim nesër mea culpa-n? Fajin tonë si shqiptarë, më të madhin fajin tonë (!), që kemi kaq mote që riciklojmë një politikë shterpë që nuk na çon askund, veç majm të vetët?…

E, pra, At Margjokaj, si çdo meshtar tjetër katolik, e niste meshën me lutjen e pendimit, shqiptuar së bashku me besimtarët: Për fajin tim, për ma të madhin fajin tim… o Zot!… na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë…

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Kalo në kategori