LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia e Veriut një javë në fushatë zgjedhore, liderët partiak flasin mbi gjyqësorin në vend

Maqedonia e Veriut një javë në fushatë zgjedhore, liderët partiak flasin mbi gjyqësorin në vend

Fushata për zgjedhjet e 15 korrikut po intensifikohet. Bartësit e listave edhe sot do të vazhdojnë me tubimet dhe takimet me qytetarët

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski mbrëmë në debat televiziv kërkuan mbështetjen e qytetarëve dhe debatuan për disa çështje. Njëra ndër çështjet ishte edhe gjyqësori në vend, njofton Telegrafi Maqedoni.

Zoran Zaev në duelin televiziv me Hristijan Mickoski në “TV24” tha se politikën që ai e ka premtuar dhe paraqitur e ka bërë përmes Kuvendit dhe Qeverisë.


“Organet gjyqësore vendosin në mënyrë të pavarur, politika nuk ka asnjë ndikim brenda. Legjislacioni ishte detyrimi ynë dhe ne e bëmë atë. Pastrimi i gjyqësorit është ende në proces, në mënyrë që të mund të pastrohet nga të gjitha strukturat kriminale”, tha Zaev.

Kreu i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski tha se Zaev gjatë katër viteve nuk ka bërë asgjë për gjyqësorin.

“Ne kemi një dallim, dhe kjo është se ju keni hyrë në këtë proces të reformës gjyqësore me një aktakuzë, aktakuzën për “Ryshfet”, dhe unë hyj pa asnjë akuzë. Një person që është i ngarkuar me një proces gjyqësor nuk mund të jetë një reformator i mirë. Te kuptoj, por sot jemi 4 vjet më pas. Ju keni pasur katër vjet për të treguar se jeni duke bërë të paktën diçka”, tha Mickoski.

Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në debat televiziv foli për gjyqësorin në vend duke thënë se për disa raste duhet të ketë hetim dhe monitorin ndërkombëtar.

“Jo një herë e kam thënë, ne kemi kërkuar nga aleatët tanë ndërkombëtar edhe zyrtarisht që të ndihmojnë të zbardhet e vërteta dhe të jenë pjesë e monitorimit të procesit gjyqësor për rastin e Kumanovës. Përgjigja zyrtare e tyre ka qenë se i besojnë monitorimit të OSBE-së. Edhe ne kemi patur dyshimet tona nëse është proces transparent, nëse ka mungesë vullneti për drejtësi dhe jorastësisht e kemi ngritur çështjen e vetingun jo vetëm për rastin e Kumanovës, por edhe për raste tjera”, tha Ahmeti.

Dje kryetari i PDSH-së zhvilloi takime në disa fshatra të Komunës së Zhelinës dhe një nëndegë të Tetovës.

“Në parlament PDSH do të propozojë sjelljen e një ligji që obligon firmat të respektojnë proporcionalitetin e grupeve etnike”./Telegrafi/