LAJMI I FUNDIT:

Kërkesa problematike e Putinit, për Jaltën e Re

Kërkesa problematike e Putinit, për Jaltën e Re

Gjatë shënimit të 75-vjetorit të Konferencës së Jaltës (4-11 shkurt 1945), presidenti rus Vladimir Putin e hodhi idenë e mbajtjes së një Samiti të pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB-së (Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara): SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës dhe Rusisë. Një shpjegim i thjeshtë e jo bindës i Putinit është se gjoja një Samit i tillë do të jepte përgjigje ndaj një varg problemesh me të cilat përballet bota. Franca e Macronit, përkrahësja tradicionale e Rusisë, menjëherë e ka përkrahur propozimin. Kina po ashtu, kurse Britani e Madhe ka kërkuar sqarime plotësuese. Deri tani, vetëm SHBA-ja nuk është prononcuar. Sidoqoftë, pikërisht në kontekst të gjeopolitikave të reja e në prizmin e agresivitetit të shtuar neo-imperialist të Rusisë, mund t’i veçojmë disa aspekte të cilat burojnë nga të panjohurat e kësaj iniciative ruse.

E para: Propozimi rus vjen 75 vjet pas vendimeve të Konferencës së Jaltës e cila, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kishte vendosur themelet e një sistemi të ri ndërkombëtar, i cili determinoi rrjedhat e Luftës së Ftohtë: ndarjes Perëndim-Lindje. Rusia pra si trashëgimtare e BRSS-së së Stalinit, doli përfituesja më e madhe nga vendimet e Konferencës, përkatësisht nga ndarja e atëhershme e sferave të interesit.


E dyta: Vendimet e Konferencës së Jaltës – siç dëshmoi historia – ishin të padrejta ndaj shumë popujve dhe shteteve, ndër ta edhe për popullin shqiptar. Kjo Konferencë ishte vendimtare përse Shqipëria dhe çështja shqiptare ngeli në orbitën e Lindjes e Perëndimit. Hapja e arkivave, shqyrtimi i tyre kritik po dëshmon se me sa mospërfillje diplomacia e kohës e injoroi çështjen shqiptare, duke na shkaktuar pasoja shkatërrimtare!

E treta: Iniciativa më e re e Putinit vjen në kohën kur Rusia po i forcon bindshëm dhe pamëshirshëm pozicionet neo-imperialiste, kur po shpërfaq ambiciet e pansllavizmit modern – të ideologjisë së Rusisë perandorake në simbiozë me Kishën Ortodokse Ruse!

E katërta: Federata Ruse po i kundërvihet Rendit të Ri Botëror, i cili edhe ashtu është i përfshirë nga një krizë jo vetëm ideologjike, por edhe të përçarjeve në raportet SHBA-BE. Këtë mungesë vendosmërie të BE-së dhe mungesën e guximit të saj që t’i dalë përballë Rusisë, Moska zyrtare po e shfrytëzon.

E pesta: Putini nuk po zgjedh mjete që të imponohet si burrështetas i cili gjoja është i pazëvendësueshëm jo vetëm për vendin dhe popullin e tij, por edhe për zhvillimet e sotme botërore.

E gjashta: Propozimi vjen nga presidenti i cili më 2014, përmes pushtimit ushtarak e mijëra civilëve të varë, e aneksoi Krimenë – territor i shtetit të pavarur të Ukrainës. Pushtimi rus ndodhi përballë heshtjes bizare të BE-së dhe të botës demokratike perëndimore! Realisht, aneksimi rus i Krimesë është akt i mbyllur!

Është e qartë se prapa propozimit më të ri të Putinit qëndron synimi që përmes një Samiti të pesë anëtarëve të përhershme të KS të OKB-së, të rishqyrtohet funksionaliteti i Rendit të Ri Botëror të cilit i prinë SHBA-ja, pra Perëndimi! Rusia synon ta prish ekuilibrin e ideuar pas rënies së Murit të Berlinit – pas rënies së komunizmit dhe veçmas pas shpërbërjes së ish-BRSS-së. Prandaj, Moska zyrtare, me doktrinën e putinizmit – të pansllavizmit modern – po u bëjnë thirrje ish-republikave sovjetike për ribashkim. Një ofertë e tillë i bëhet p.sh. Bjellorusisë duke e kushtëzuar me gaz, ndërkohë që forcohet aleanca ushtarake Rusi-Serbi.

Neve – nëse mbahet një Samit i tillë, ku nën ndikimin rus dhe kinez do të shqyrtohej ekuilibri i tashëm i sistemit ndërkombëtar – na intereson çështja shqiptare, sidomos ajo e shtetit të Kosovës. Shqetësimi bëhet më real kur kemi parasysh se në pesëshen e anëtareve të përhershme të KS të OKB-së, janë dy vende që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Në lidhje me interesat e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duhet parë me shqetësim jo vetëm këtë propozim, por edhe vizitën e mëparshme në Beograd të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergej Shojku, si dhe deklaratën e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bocan Harçenko, sipas të cilit “asnjë marrëveshje Prishtinë-Beograd nuk vjen në konsideratë nëse Moska nuk pyetet”!

Sidoqoftë, Perëndimin – në radhë të parë BE-në e pakoordinuar – po e pret një shtrëngatë e re diplomatike ruse! Ndaj, faktori shqiptar duhet të jetë shumë vigjilent, i zgjuar e i bashkuar për t’i renditur veprimet me aleatët, në radhë të parë me SHBA-në!

Në trend

Më shumë
Stërvitja më e madhe e NATO-s që nga Lufta e Ftohtë - paralajmërim për Putinin

Stërvitja më e madhe e NATO-s që nga Lufta e Ftohtë - paralajmërim për Putinin

Evropa
Pasi u shpall fituese e Big Brother VIP Albania, Egla Ceno bëri veprimin e papritur në Instagram që habiti të gjithë

Pasi u shpall fituese e Big Brother VIP Albania, Egla Ceno bëri veprimin e papritur në Instagram që habiti të gjithë

Magazina
Efekti

Efekti "TikTok", mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre

Arsim
Kompany ka gjetur tre problemet më të mëdha të Bayern Munich

Kompany ka gjetur tre problemet më të mëdha të Bayern Munich

Bundesliga
Barcelona do të marrë një 'shpëtim financiar' nga sponsori i madh

Barcelona do të marrë një 'shpëtim financiar' nga sponsori i madh

La Liga
Rusia po i afrohet me shpejtësi një “rekordi të zi” të humbjeve të automjeteve të blinduara të personelit në Ukrainë

Rusia po i afrohet me shpejtësi një “rekordi të zi” të humbjeve të automjeteve të blinduara të personelit në Ukrainë

Botë
Kalo në kategori