LAJMI I FUNDIT:

Gafa e “Bild”-it që i nxori blof të gjithë

Gafa e “Bild”-it që i nxori blof të gjithë

Një shaka prej medije bulevardeske e tabloidit gjerman “Bild”, që publikoi dhe fshiu brenda disa orësh artikullin ku hidheshin dyshime mbi financimet ruse të PD-së, ka nxjerrë edhe njëherë në pah hipokrizinë e barrikaduar të bipartizanizmit tonë.

Rilindasit, duke harruar të shkuarën e afërt, përjetuan për pak orë një lumturi orgazmike duke ngritur lart gazetën që tani po groposte Bashën.

Krejt në të kundërt, demokratët filluan t’u besonin teorive konspirative me blerje mediash ndërkombëtare, madje duke identifikuar edhe korruptuesit e mundshëm shqiptarë, pa ngurruar të përsërisin të njëjtat fjalë që socialistët kishin thënë për gazetën me tirazhin më të lartë në Gjermani. Madje ata u krekosën si triumfatorë kur “Bild” e zhduku artikullin nga faqja.


Në fakt, është e vështirë të hamendësohet se ç’ndodhi mes mbrëmjes të së dielës dhe orëve të mëngjesit të së hënës, deri sa vetë tabloidi gjerman nuk ka dhënë një shpjegim serioz.

Por, edhe pa e ditur atë, disa gjëra mund të thuhen me bindje.

Fakti që e përditshmja, në mënyrë amatoreske e fshiu shkrimin me titull: “A qëndron Rusia pas fushatës kundër anëtarësimit në BE”? – nuk do të thotë automatikisht se Lulzim Basha është i pastër për mbi gjysmë milionë euro të paguara për lobistët e tij. Pavarësisht se artikulli nuk ekziston më online, pavarësisht se akuzat për rusë dhe lobim kundër negociatave ngjajnë qesharake, në këtë aferë ka qindra mijëra dollarë që PD-ja nuk i justifikon dot. Ato janë deklaruar ndryshe në Uashington dhe ndryshe në Tiranë. Historia e pagesës për fotot me Trumpin është për kreun e PD-së, po aq e pasqaruar sa ajo e çiftëzimit të Ramës me taksistin e dënuar në Amerikë, Bilalin. Prandaj, “korrigjimi” i “Bild”-it nuk është ndonjë nga ato raste që të japin të drejtën të thërrasësh fitore.

Nga ana tjetër, as pretendimi i socialistëve për mungesën e kredibilitetit të “Bild”-it, nuk është i përligjur. Ndonëse, ndërmjet dy historive të publikuara nga gazeta, ajo njërës i qëndroi deri në fund, ndërsa nga tjetra me sa duket u tërhoq, ky nuk është ndryshimi i vetëm mes tyre.

Në rastin e përgjimeve të vjedhjeve të votave në Durrës dhe Dibër, ne nuk lexuam vetëm shkrimet dhe komentet e gazetarit Piter Tiede. Ne dëgjuam me veshët tona pazaret për blerjen e votave, provuam funksionimin e makinerisë kriminale shtetërore, shpërblimin e punonjësve të rendit që i kryenin këto akte dhe lidhjen e pamohueshme me trafikantët e përfshirë në ndryshimin e rezultatit të votimeve.

Ndërsa, për lidhjet ruse të PD-së dhe financimet e pazbardhura të Bashës, gazeta nuk u soll njësoj. “Bild” nuk bëri asgjë më shumë sesa i përsëriti publikut ato fakte që pati lexuar në investigimin e “Mother Jones”, duke hedhur ndonjë pandehmë të pafaktuar se PD qe implikuar me Rusinë për të penguar integrimin e vendit drejt BE-së.

Pra, edhe sikur “joseriozja ‘Bild’” mos të ishte “penduar” për shkrimin që godiste PD-në, mes dy historive nuk mund të vihet shenja e barazimit. Goditja që iu bë sistemit kriminal të blerjes së zgjedhjeve nga Rama ishte e plotë dhe e pakundërshtueshme. Prova për këtë është se të njëjtat fakte i rimori si të vërteta edhe një media skrupuloze si “Der Spiegel”. Prandaj, pretendimi për t’i futur të dyja “goditjet” në një thes, duke hamendësuar se gjithçka që publikohet nga tabloidi gjerman nuk duhet marrë shumë për bazë, përbën një manipulim perfid.

Po aq manipulative janë edhe versionet e përhapura aty- këtu se gjithçka kundër qeverisë e botuar në “Bild”, është vepër e një këshilltari gjerman të PD-së, apo se ato që s’i shkojnë për shtat opozitës, i ka paguar Taulant Balla.

Këto lloj gënjeshtrash që u serviren militantëve të të dyja kampeve, janë shumë larg të vërtetës. Ato janë tagjia bajate me të cilën ushqehen fanatikët, që duan ta shohin liderin e tyre të pastër si engjëll dhe kundërshtarin e tij të zi si djall.

Prandaj, shpikësit e tyre flasin për “tabloid të pabesueshëm” kur nuk u shkon për shtat dhe për gazetën më të madhe në Gjermani kur e kanë në favor.

Në fakt, e vërteta është disi më ndryshe.

Me tërheqjen e artikullit të publikuar të dielën në mbrëmje, “Bild” ndoshta e kuptoi se nuk ka asnjë provë evidente për një bashkëpunim ruso-opozitar për të penguar përparimin e vendit drejt BE-së. Por, nga ana tjetër, kjo zmbrapsje nuk përbën asnjë alibi se Basha nuk e ka shkelur ligjin shqiptar të financimit të partive me mbi gjysmë milioni euro që i dalin tepër. Ndërsa, pala tjetër as nuk mund të shfrytëzojë atë që shkroi gazeta për të noterizuar propagandën e saj, as mund të përdorë atë që ajo fshiu për të vënë në pikëpyetje seriozitetin e denoncimeve për vjedhjen e zgjedhjeve. /Lapsi/

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre

Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre

Premier League
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë

"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK

Magazina
Kalo në kategori