LAJMI I FUNDIT:

Katër gënjeshtrat rilindase kundër Macronit

Katër gënjeshtrat rilindase kundër Macronit

Propaganda e rilindjes, e cila një vit më parë u rek të na mbushte mendjen se negociatat ishin hapur, tani po stërmundohet, sërish, të gjejë alibitë se pse dështuam në to. Në qendër të saj është vënë “armiku Macron”, presidenti francez që na paskësh përdorur si mish për top për interesat e tij.

Që prej të premtes së shkuar, kur Edi Ramës i’u ndez për të tretën herë me radhë semafori i kuq, një luzmë terrorristësh të fjalës, po merren edhe me moshën e gruas së presidentit francez, po evokojnë “urrejtjen historike” të Parisit ndaj nesh, po e shesin Shqiprinë si viktimë kolaterale të një politike me qëllime krejt të tjera.

Me synimin e thjeshtë që të shmangin çdo përgjegjësi nga banda kleptokratike që sundon në Tiranë, ata po fabrikojnë një sërë mashtrimesh që duhen çmontuar një e nga një.


Gënjeshtra e parë, “vetëm macroni na tha ‘jo’”: Ky pohom nuk është i vërtetë. Në konferencën e tij për shtyp, presidenti francez përmendi gati gjysmën e vendeve anëtare që nuk mendonin për ne njësoj si për Maqedoninë. Ai pranoi se për fqinjët tanë qenë pro një shumicë dërrmuese shtetesh, gjë që nuk ndodhi për Shqipërinë. Së paku Holanda, Danimarka, Spanja i kishin bërë të ditura me kohë rezervat e tyre. Pra, do të mjaftonte dhe vetoja e njërit prej këtyre shteteve që ne të mbeteshim jashtë. Por, ky është një fakt që lihet si pa dashje në harresë, për të mos parë në sy të vërtetën, se dështimet tona të brendshme na diferencuan edhe nga Maqedonia. Prandaj, na duhet “armiku” i ri Macron.

Gënjeshtra e dytë, “Macroni na përdori për politikë të brendshme”: Nuk ka akuzë më qesharake sesa kjo. Po ti hedhësh një sy gazetave kryesore franceze (Le Monde, Liberation, Le Figaro) që prej të premtes pothuajse nuk gjen asnjë rresht për “djegien” e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Aty flitet për Brexit-in, armëpushimin Trump-Erdogan, por aspak për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor. Atëherë ç’vlerë ka të instrumentalizohet një temë për të cilën askush nuk bën debat? Ç’dobi sjell të gënjesh për diçka që nuk i intereson askujt?

Propagandistët e rilindjes pretendojnë se Macroni na përdori ne si mish për top për të luftuar Frontin Kombëtar të Marine Le Pen, por kush e njeh sadopak politikën franceze e kupton se sa absurde është kjo. Votuesit kokëgdhë të ekstremit të djathtë, madje dhe ata që mëtojnë të bëhen të tillë, as e kanë idenë se ç’do të thotë hapje negociatash ose jo. Ata as i kanë shqetësim, para miliona afrikano veriorëve që janë instaluar tashmë në Francë, as shqiptarët dhe as maqedonët. Prandaj, askush nuk është aq idiot sa ta përdorë këtë problem si alibi në politikën e brendshme të Francës. Këtë gënjeshtër e thonë vetëm ata që duan të largojnë vëmendjen nga mëkatet e Ramës.

Gënjeshtra e tretë, “Macron na përdori ne për inat të BE-së”: Në fakt, ka një doktrinë të presidencës franceze që do të krijojë Evropën e dy shpejtësive. E iniciuar që pas krizës me refugjatët që provokoi ish ministri i brendëshëm italian Salvini, gjatë së cilës vendet e Evropës së re (Hungaria e Polonia) nuk u treguan solidarë me anëtarët themelues, ajo e detyroi Francën të eksplorojë një mënyrë të re të funksionimit të BE-së. Macron e ka thënë hapur këtë dhe në kuadër të kësaj, ai, ka qenë goxha pengues edhe për vijimin me metodat e tanishme të procesit të zgjerimit.

Teza e Parisit është: fillimisht të ndryshojmë rregullat, më pas të vijojmë procesin. Por, paralelisht me të, Franca ka theksuar edhe defektet e vendeve si yni për të bërë përpara. Jo vetëm azilantët, por edhe problemet me mafian, krimin, korrupsionin janë theksuar me forcë. Prandaj ta paraqesësh “Jo”-në franceze thjesht si një dëm kolateral të politikave Evropiane është të thuash një gjysmë të vërtetë për të fshehur gjysmën tjetër, problemet tona të brendëshme.

Gënjeshtra e katërt, “Azilantët, një alibi”: Është e vërtetë që edhe presidenti Macron dhe kryeministri i tij Édouard Philippe, e kanë përmendur disa herë çështjen e pesë mijë azilkërkuesve shqiptarë të këtij viti. Dhe, në pamje të parë ky mund të jetë një ekzagjerim, në një vend ku më radikalët mendojnë se milionat e emigtantëve po zhbëjnë identitetin francez. Por, përpara se të merremi me këtë teprim, ne duhet ti ngremë një pyetje vetes: A bënim dot më shumë për këtë? A e kënaqnim dot këtë “kapriço” franceze, që qeveria e këtij vendi na e kërkon që prej 2016?

Të gjithë ministrat e brendshëm francezë, që në kohën e Bernard Cazeneuve, që erdhi të takohej enkas në Tiranë me Saimir Tahirin, ia kanë kërkuar homologëve të tyre shqiptarë këtë. Pra, kjo histori ka nisur që në kohën kur Macroni ishte një këshilltar i thjeshtë i presidentit Hollande dhe as që nuk e dinte se do ta përdorte këtë alibi. Ndaj, në vend që të merremi me të, ne më parë duhet të shqetësohemi: pse kjo hemorragji nuk nisi pasi u liberalizuan vizat, por vetëm pas viteve të para të pushtetit të Ramës?

Të përpiqesh ti shmangesh kësaj përgjigjeje duke akuzuar qarqet albanofobike, është të duash që të mbrosh ata që shkaktuan këtë fenomen.

Pra, nuk është e vështirë të kuptohet se urrejtja e beftë kundër Macronit është një formë e kamufluar e atyre që, në këtë rast, nuk e shprehin dot hapur dashurinë për Ramën. Dhe, për t’u bindur për këtë nuk ka nevojë të lodhemi. Boll të shohim se janë po të njëjtët që na thanë një vit më parë se negociatat u hapën, po ata që tani anatemojnë presidentin francez se i pengoi ato. /Lapsi/

Në trend

Më shumë
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina

"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK

Magazina
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori