LAJMI I FUNDIT:

S’është Macroni, budalla!

S’është Macroni, budalla!

“It’s the economy, stupid”, është togfjalëshi i thurur nga James Carville, strategu i fushatës elektorale të Bill Clintonit të vitit 1992, i cili gjeti një sukses të madh në kontekstin ekonomik në të cilin ndodhej Amerika atëbotë. Përsëritja e përditshme, e palodhshme, gati pedante e një slogani, bëri që një temë jetike të mbetej në qendër të debatit, dhe dihet se po arrite t’i diktosh kundërshtarit agjendën, por edhe retorikën, je fitues.

Një strategji komunikimi që sot po përdoret në mënyrë tinëzare nga mazhoranca për të hedhur gjetkë përgjegjësitë për mosçeljen e negociatave. ‘Është Macroni, budalla!’. Ky refren kumbon tashmë prej ditësh në Shqipëri, ndërkohë që në shtetin fqinj, përballë të njëjtit fat, Zaev mori përsipër përgjegjësitë për përgjigjen negative, dhe po e çon vendin në zgjedhje. Këto histori paralele, të Ramës që nxjerr Cakaj të thotë se s’kemi premtuar negociata si Zaev, dhe këtë të fundit që nuk negocion mëshirë për fatin e tij zgjedhor, tregojnë se historia e një vendi është edhe historia e liderëve të tij. Prandaj, përpara se të rrekemi të analizojmë fajet e Macronit, duhet më së pari, të bëjmë një bilanc me kryesuesin e forcës politike që drejton vendin prej vitit 2013.

Në fakt talenti i Ramës për të penguar rrugën evropiane të Shqipërisë fillon përpara ardhjes në pushtet. Atëkohë nuk bëhej fjalë për negociatat, por për marrjen e statusit të vendit kandidat. ‘E pra, nuk është një zgjedhje mes Fierit dhe Brukselit, po është një rrugë që lidh Fierin me Brukselin’, deklaronte Rama në vitin 2012, duke treguar se midis partisë dhe Shqipërisë, e para është partia, dhe nga pozitat e pakicës bllokuese, mohonte votën për tri ligjet e famshme që do t’i shkurtonin vendit kohëzgjatjen e procesit.


Një humbje kohe që do të rezultonte fatale, pasi Këshilli i Bashkimit Evropian na dha statusin e vendit kandidat në qershor 2014, kur humori në BE kishte filluar të ndjente efektet e zgjedhjeve evropiane të mbajtura në muajin maj.

Evropës së re Rama do t’i ofronte një Shqipëri me më shumë halle se sa e kishte trashëguar. Nuk bëhet fjalë vetëm për largimin e qytetarëve, për pasojë të shfryrjes së populizmit me të cilin kishte fituar zgjedhjet e vitit 2013, por edhe për kanabizimin e krejt vendit. Diçka që do të përbënte gosti për skeptikët ndaj vendit tonë dhe do të forconte kërkesat që kumbonin nga Bundestagu, ku përbri pesë prioriteteve kyçe, kushtit të kudondodhur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i bashkëngjitet kushti i ‘luftës kundër drogës’. Një masë e domosdoshme, pasi Shqipëria e drejtuar nga Rama do të bëhej e njohur si ‘Kolumbia e Evropës’.

Në tufën e shtatë kushteve të prezantuara nga Berlini në vitin 2016 për çeljen e negociatave, do të dallohet edhe kërkesa për zbatimin e një ligj ad hoc, i cili kishte autorësinë e opozitës, por që erdhi në jetë për të kundërshtuar gjynahet e mazhorancës, Dekriminalizmi. I hartuar për të luftuar shejtanët që Rama kishte nxjerrë nga shishja, ky kusht tregoi se kriminelët e futur në Parlament dhe bashki e rënduan edhe më shumë peshën e ‘gurit të Sizifit’, duke e bërë ngjitjen e malores drejt Brukselit edhe më të vështirë.

I po atij viti është edhe kushti për Reformën në Drejtësi. Ndonëse një nga temat më të nxehta për jetën politike të vendit tonë, tri vite më vonë ajo është ende e pakryer. Kryeministri ia faturon vonesën frikës që disa politikanë kanë prej saj, madje i fshehur mbas kësaj shqyte, çoi përpara betejën në opinionin publik për të kryer reformën sipas orekseve të tij. Një zgjedhje që rezultoi efektive në funksion të përmbushjes së qëllimeve politike, sigurisht e mbështetur gjerësisht edhe nga mediat e joshura nga benefitet që ofron pushteti, por e dëmshme për vetë Reformën. Jo vetëm shkatërroi konsensusin me të cilin u miratua në korrik 2016, duke votuar ligjet organike pavarësisht kundërshtimit të opozitës, por duke mos i dhënë rëndësi konkluzionit të Raportit Interim të Komisionit të Venecias në fundin e vitit 2015, në të cilin thuhej se ‘si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin.’ Arrogant dhe konfliktual, me fjalën burg që i paraprinte fjalës konsensus, imponoi një ‘Reformë’ pasqyrë e së cilës është shkretëtira në të cilën ndodhet sot gjyqësori, për të cilën kushtet e vendosura nga matanë Adriatikut përbëjnë një arsye të qenësishme për të na ndalur avancimin e mëtejshëm.

Ndonëse në dukje një demokraci hibride mund të gjallojë pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese, ajo nuk është asfare e tillë kur në apel mungojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Një tjetër viktimë e këtyre gjashtë viteve, e cila bëri që lista e re Bundestagu, e prezantuar pak javë më parë, të pasurohej me dy kushte: Ndëshkimi i krimit zgjedhor dhe shqyrtimi i legjitimitetit të 30 qershorit. Dhurata këto që mbajnë autorësinë e kësaj mazhorance dhe sigurisht përgjegjësinë politike të kryeministrit.

Kjo renditje e shkurtër ngjarjesh, të cilat na kujtojnë se një politikan e bën evropian konstruktiviteti dhe jo veshja, përkthehen në orë, ditë, javë, muaj dhe vite debatesh, sherresh, protestash, të cilat çojnë në deduksionin se ishin vonesat dhe problemet shqiptare ato që u bënë përcaktuese për Jo-në. Andaj kur kryeministri kërkon të shkarkojë gjetkë përgjegjësitë, dhe bëhet një nga ata shqiptarët për të cilët Konica shkruante se ‘kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku’, i duhet kujtuar vonesa për të cilën është fajtor dhe duhet përmbysur togfjalëshi që propaganda e tij ka ndërtuar; sepse s’është Macroni, budalla!