LAJMI I FUNDIT:

Shteti mafioz hungarez

Shteti mafioz hungarez

Balint Magyar

Hungaria është bërë një shtet post-komunist mafioz. Hungaria nuk udhëhiqet nga një parti, por nga kryeministri Viktor Orban dhe klani i tij politiko-ekonomik, i cili e trajton shoqërinë si një domen privat ndërkohë që formalisht ruan një fasadë demokratike. Veprimet e shtetit hungarez nuk janë jopersonale, por janë diskrecionare dhe kanë synimin që të rrëzojnë kundërshtarët e klanit dhe të rishpërndajnë pasurinë dhe asetet te besnikët. Orbani përdor mjete pa gjak të shtrëngimit burrokratik, megjithatë ai sërish vepron në mënyrë të paligjshme: korrupsioni dhe zbatimi i ligjeve në mënyrë politikisht selektiv janë tipare themelore të sistemit të tij.

Karakteri i ngjashëm me mafinë i regjimit të Orbanit, shpjegon edhe sjelljen e tij. Një organizatë kriminale, qoftë publike apo private, ka tre nevoja thelbësore: burim parash, aftësi për t’i pastruar ato dhe pandëshkueshmëri për anëtarët e vet. Kjo e fundit kërkon neutralizimin e zbatimit të ligjit, gjë që Orbani po e gjen shumë më të vështirë për ta bërë në nivel të Bashkimit Evropian sesa në shtëpi.


Përgjatë dekadës së fundit, shteti mafioz i Hungarisë ka arritur mjeshtëri në dy imperativat e para – plaçkitje dhe pastrim parash. Klani i oligarkëve të Orbanit merr rreth 90 për qind të të ardhurave të veta totale nga projektet e prokurimeve publike me financimet e BE-së. Sipas Qendrës për Studimin e Korrupsionit në Budapest, kontratat për këto projekte janë 1.7 deri në 10 herë të mbiçmuara – gjë që tregon për procese gare jokonkurruese me nivel të lartë korrupsioni.

Regjimet autokratike gjithkund gjetkë sigurojnë financime shtesë. Këtu përfshihet një kredi 10 miliardë euroshe nga Rusia për të financuar zëvendësimin e termocentralit bërthamor në Paks, tre miliardë dollarë nga Kina për të ndërtuar një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë, si dhe bashkëpunimi në industrinë ushtarake me Turqinë. Secila nga këto marrëveshje, të cilat në fund paguhen nga taksapaguesit hungarezë, i shtohet bilancit të Orbanit dhe oligarkëve të tij. Ato e bëjnë gjithashtu Orbanin një vasal të shantazhueshëm të autokratëve Lindorë, rrjedhimisht një kalë Troje i aftë për të minuar integrimin e mëtejshëm të BE-së dhe pengimin e ambicieve politike globale të Evropës.

Për shkak se lakenjtë e Orbanit janë të përfshirë në biznese të ligjshme si ndërtimi dhe media, ata mund të pastrojnë paratë e fituara ilegalisht nga fondet publike thjeshtë duke i paguar vetes dividentë të stërmëdhenj.

Babai i Orbanit, burri i vajzës dhe ballina ekonomike e tij, Lorinc Meszaros – një ish-pompist karburanti që është bërë njeriu më i pasur në Hungari brenda pak vitesh përmes projekteve të prokurimeve publike – ka marrë në total 170 milionë euro dividentë vetëm në vitin 2018.

Nevoja për pandëshkueshmëri shpjegon ndërkohë qëndrimin anti-BE të Orbanit. Shteti mafioz ka siguruar sakaq pandëshkueshmëri të brendshme, duke marrë nën kontroll policinë, zyrën e Prokurorisë, dhe Gjykatën Kushtetuese, institucione që nuk autorizojnë më hetime ndaj klanit të Orbanit dhe pushtetin e paranë e tyre. Por, regjimi hungarez ka nevojë gjithashtu për pandëshkueshmëri ndërkombëtare. Kjo është arsyeja se pse Orbani ka nisur betejën kombëtare për liri,” dhe kundërshton anëtarësimin e Hungarisë në zyrën evropiane të Prokurorisë Publike, dhe ankohet për një “shkelje të sovranitetit” kurdoherë që të huajt ngrenë problemet e korrupsionit. Qëndrimi i tij nacionalist nuk është asgjë më shumë se sa një gjethe fiku për kërkesën lakuriqe të organizatës kriminale për të pasur pandëshkueshmëri: që të lihet më vete për të vjedhur nga taksapaguesit evropianë, e lirë nga mbikëqyrja e BE-së.

Orbani është përpjekur të sigurojë pandëshkueshmëri duke shfrytëzuar një nga defektet strukturore të BE-së: të drejtën e vendeve anëtare për të ushtruar veto kombëtare mbi vendimmarrjet e bllokut. Dikush mund të shohë një paralele mes BE-së së sotme dhe Polonisë së shekujve të shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, ku vetoja e fisnikërisë së lirë (liberum veto) solli dy herë kryengritje – dhe eventualisht ndasi mes fuqive fqinje – në atë që në atë kohë ishte perandoria më e madhe e Evropës. Shpresat e Orbanit për krijimin e aleancave shantazhuese me qeveri të tjera me mendësi autokratike në BE do të ndalojë integrimin e mëtejshëm të Evropës dhe do të pengojë sulme të mundshme nga BE ndaj shtetit të tij mafioz.

Orbani fillimisht u përpoq të krijonte një aleancë të tillë me vende të tjera të Vishegradit. Megjithatë kjo rezultoi e pasuksesshme. Sllovakia së fundmi zgjodhi një presidente liberale pro-BE, ndërsa Republika Çeke ka përjetuar demonstrata masive kundër korrupsionit që këtu është në nivele më të ulëta se sa në Hungari. Në fund, megjithëse udhëheqësi de facto i Polonisë Jarosłaë Kaczynski ka bashkë me Orbanin tendenca autokratike dhe anti-BE, ai është i motivuar nga ideologjia, jo nga pasuria. Ndryshe nga Orbani, Kaczynski nuk po ndërton një klan politik dhe ekonomik për të grabitur vendin e tij.

Pasi dështoi të krijojë një aleancë shantazhi në Evropën Qendrore, Orbani u kthye te forcat e tjera populiste nëpër BE. Iniciativa “Evropa e Kombeve” ofroi një mjet ideal për lidhjen e nacionalizmit të populistëve të Evropës Perëndimore dhe nevojave të shtetit mafioz hungarez për pandëshkueshmëri. Orbani u përpoq të fuqizojë staturën e tij mes këtyre forcave duke shfrytëzuar krizën e migrimit në BE, dhe, më në përgjithësi, duke përshtatur interesat e tij me ata të padronëve të tij pagues autokratikë në Lindje.

Por, kjo aleancë populiste ka dështuar gjithashtu të ngrihet, siç treguan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare evropiane të muajit të kaluar. Nëpër të gjithë Evropën, partitë liberale dhe të gjelbra kanë fituar terren dhe populistët nuk kanë arritur të çajnë përpara.

Shteti i vetëm mafioz brenda BE-së është gjithnjë e më i paskrupullt në përdorimin e shtrëngimit në shtëpi, duke ndihmuar koalicionin në pushtet të Orbanit të sigurojë 52 për qind të votës kombëtare në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Por, në rang ndërkombëtar, regjimi hungarez tashmë ka pak hapësirë për të manovruar. Shtetasit e BE-së kanë kuptuar se vetëm përmes integrimit të mëtejshëm Bashkimi mund të rritet nga një fuqi thjesht ekonomike në një aktor politik botëror i barabartë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Për më tepër, BE po ndërmerr hapa për të luftuar korrupsionin brenda vendeve anëtare duke u përpjekur të kushtëzojë financimet me kriterin e sundimit të ligjit.

Qëndrimi anti-BE i Orbanit nuk reflekton një vizion të ndryshëm mbi Evropën. Në fakt ai rrjedh nga nevoja për të izoluar veten dhe klanin e tij nga zbatimi i ligjit. Ai vepron si një kriminel – dhe duhet të luftohet si i tillë. /Project Syndicate/BIRN/