LAJMI I FUNDIT:

Si të shmanget një luftë në Venezuelë?

Si të shmanget një luftë në Venezuelë?

Jeffrey D. Sachs

Një muaj pasi Juan Guaido, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, tha se ai po merrte pushtetin e presidencës venezueliane, aktualisht e mbajtur nga Nicolas Maduro, kriza politike e vendit nuk ka marrë fund ende. Tensionet janë përshkallëzuar deri në atë pikë saqë një luftë e plotë civile – një skenar në dukje i papranueshëm vetëm pak javë më parë – po bëhet gjithnjë e më e mundur. Të paktën katër vetë vdiqën dhe qindra u plagosën në përleshjet e dhunshme në kufijtë e Venezuelës gjatë fundjavës së kaluar, pasi forcat qeveritare hapën zjarr ndaj një përpjekje për të sjellë ndihma në vend.

Regjimi Maduros është autoritar, i militarizuar dhe i gatshëm për të vrarë civilët për të ruajtur pushtetin. Shoqëria ndahet midis revolucionarëve të frymëzuar nga Hugo Çavez, paraardhësi i Maduros, dhe një opozitë e madhe dhe e hidhëruar. Secila palë e përçmon tjetrën. Prandaj, çështja është komplekse dhe praktike: çfarë duhet të bëjmë për ta ndihmuar Venezuelën të largohet nga lufta civile dhe të shkojë drejt një të ardhme paqësore dhe demokratike?


Në këtë sfidë të madhe, administrata e presidentit amerikan Donald Trump i ka bërë llogaritë gabim. Kur Shtetet e Bashkuara zgjodhën të njohin Guaidon si presidentin e Venezuelës, së bashku me një grup të vendeve të Amerikës Latine – dhe ndaluan tregtinë e naftës me qeverinë e Maduros, ishte bast i sigurt se presioni do të ishte i mjaftueshëm për të rrëzuar regjimin. SiÇ tha një ish0zyrtar i lartë amerikan për Ëall Street Journal, “ata mendonin se ishte një operacion 24-orësh”.

Kjo lloj përllogaritje e gabuar ka ndodhur edhe para Administratës Trump. Në mesin e vitit 2011, presidenti Barack Obama dhe Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton njoftuan se presidenti sirian Bashar al-Assad duhej “të largohej”. Ngjashëm, në vitin 2003, George W. Bush deklaroi “Misioni Përfundoi” pak pas pushtimit të Irakut nga SHBA-ja. Të gjitha këto raste tregojnë arrogancën e një superfuqie që vazhdimisht nuk vë re realitetet lokale.

Aftësia e Maduros për t’i bërë ballë presionin e fortë të Shteteve të Bashkuara nuk është një befasi për vëzhguesit e ushtrisë së Venezuelës. Strukturat e centralizuara të komandimit dhe kontrollit të inteligjencës ushtarake, si dhe interesat personale të zyrtarëve të lartë që kontrollojnë pjesë të mëdha të ekonomisë, e bëjnë shumë të vështirë që ushtria t’i kthehet kundër Maduros. Provokimi i SHBA-së mund të krijojë një përçarje midis komandantëve ushtarakë dhe oficerëve më të rinj, por kjo do të bënte më shumë të mundur kalimin në një luftë civile të përgjakshme. Deri më sot, nuk ka pasur defekte midis oficerëve të rangut të lartë me kontroll të drejtpërdrejtë të trupave.

Të gjendur përballë mundësisë që ndryshimi i regjimit nuk do të vijë shpejt, administrata Trump dhe disa pjesë të opozitës së Venezuelës kanë filluar të marrin seriozisht veprimet ushtarake. Duke i bërë jehonë gjuhës së përdorur kohët e fundit në një fjalim nga Trump, Guaido shkroi të shtunën se ai do të kërkonte zyrtarisht komunitetit ndërkombëtar “të mbante të hapura të gjitha opsionet”. Në mënyrë të ngjashme, senatori republikan Marco Rubio, i cili ka vepruar si një guri i vetëshpallur për Trumpin në Venezuelë , paralajmëroi në Twitter se veprimet e Maduros kishin hapur derën për “veprime shumëpalëshe që nuk ishin në tryezë vetëm 24 orë më parë”.

Në fakt, këto ide duket se kanë qenë në mendjen e Trumpin për disa kohë. Siç zbuloi ish-drejtori i FBI-së, Andrew G. McCabe, së fundmi në librin e tij “The Threat”, Trump tha në një takim të vitit 2017 se ai mendonte se Shtetet e Bashkuara duhet të shkonin në luftë me Venezuelën. McCabe citon Trumpin të ketë thënë: “Ata kanë të gjithë atë naftë dhe janë shumë pranë nesh.” Komentet i bëjnë jehonë deklaratës së Trumpit të vitit 2011 se Obama e lejoi veten të “shqyhej” duke mos kërkuar gjysmën e naftës së Libisë në këmbim të ndihmës amerikane në përmbysjen e diktatorit Muammar Gaddafi.

Ndërhyrjet ushtarake amerikane nuk drejtohen vetëm nga interesat ekonomike dhe ato të biznesit. Qëndrimi i ashpër me Maduron është shumë popullor edhe me shumë votues kubano-amerikanë dhe venezuelas-amerikanë në shtetin e Floridës, i cili do të jetë një fushë beteje kryesore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Përkrahësit e ndërhyrjes ushtarake amerikane zakonisht citojnë rastet e Panamasë dhe Grenadës si precedentë për ndryshimin e shpejtë të regjimit të udhëhequr nga SHBA-ja. Megjithatë, ndryshe nga këto dy vendeve, Venezuela ka një ushtri të armatosur mirë me më shumë se 100 mijë ushtarë. Natyrisht, SHBA-ja mund të mposht ushtrinë venezueliane, por nuk duhet të jesh i verbër ndaj mizorive të regjimeve autoritare për të kuptuar se, siç ka ndodhur vazhdimisht në luftërat amerikane në Lindjen e Mesme, përpjekjet për të përmbysur regjime të tilla shpesh përfundojnë në katastrofa.

Edhe pa ndërhyrje ushtarake, politikat e sanksioneve të SHBA-së, nëse janë të qëndrueshme, janë të detyruara të krijojnë një zi urie. Duke ndërprerë tregtinë e naftës së Venezuelës me SHBA-në dhe duke kërcënuar të sanksionojë firmat jo-amerikane që bëjnë biznes me kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, Administrata Trump ka krijuar një nga regjimet më ndëshkuese të sanksioneve ekonomike në historinë e kohëve të fundit. Por, në vend që të provokojë një grusht shteti, izolimi ekonomik i një vendi që në thelb ushqehet me të ardhurat e eksportit të naftës mund të sjellë zi masive buke.

Fqinjët e Venezuelës dhe liderët botërorë duhet të lënë mënjanë opsionin e ushtrisë amerikane. Venezuela ka nevojë për ndërmjetësim që çon në zgjedhje të reja, jo në luftë. Ajo gjithashtu ka nevojë për një periudhë urgjente dhe të përkohshme të armëpushimit politik në vitin 2019 për t’i dhënë fund hiperinflacionit shkatërrues, rivendosjen e flukseve të produkteve ushqimore dhe ilaçeve dhe rindërtimin e listave dhe institucioneve zgjedhore për një zgjedhje paqësore dhe të besueshme në vitin 2020.

Një qasje pragmatike mund të përfshijë vazhdimin e kontrollit të ushtrisë nga qeveria aktuale, ndërsa teknokratët e mbështetur nga opozita marrin kontrollin mbi financat, bankën qendrore, planifikimin, ndihmën humanitare, shërbimet shëndetësore dhe çështjet e jashtme. Të dyja palët do të binin dakord për një afat kohor për zgjedhjet kombëtare në vitin 2020 dhe për një demilitarizim të mbikëqyrur ndërkombëtarisht të jetës së përditshme, me rivendosjen e të drejtave civile dhe politike dhe sigurinë fizike në vend.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të mbikëqyrë një zgjidhje të tillë. Kapitulli VII i Kartës së OKB-së i jep Këshillit të Sigurimit mandatin për “të përcaktuar ekzistencën e çdo kërcënimi për paqen, shkeljen e paqes ose aktin e agresionit” dhe për të ndërmarrë veprime për “rivendosjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”. Këshilli i Sigurimit është gjithashtu vendtakimi i duhur në mënyrë pragmatike, pasi SHBA-ja, Kina dhe Rusia kanë të gjitha interesa financiare dhe politike për të gjetur një zgjidhje paqësore në Venezuelë. Të tria vendet mund të bien lehtësisht dakord për rrugën e zgjedhjeve në vitin 2020. Për më shumë inkurajim, Papa Françesku dhe qeveritë e Meksikës dhe Uruguait gjithashtu kanë ofruar të ndihmojnë ndërmjetësimin për të gjetur një rrugë paqësore.

Trump dhe liderë të tjerë amerikanë thonë se ka ikur koha për negociata. Ata besojnë në një luftë të shkurtër dhe të shpejtë, nëse është e nevojshme. Liderët botërorë – dhe ata në vendet e Amerikës Latine, para së gjithash – duhet të hapin sytë ndaj rreziqeve të një lufte shkatërruese, e cila mund të zgjasë me vite dhe përhapet gjerësisht. /Project Syndicate/BIRN/