LAJMI I FUNDIT:

A është vërtet i padukshëm roli rus në Ballkan?!

A është vërtet i padukshëm roli rus në Ballkan?!
Ilustrim

Skënder Minxhozi

Ndodhemi në një lojë diplomatike pasqyrash në Ballkanin Perëndimor. Pse folën pikërisht tani krerët e Serbisë e Kosovës për lëvizje kufijsh? Sa ka gisht këtu SHBA dhe politika “prej tregtari” e Donald Trumpit në rrafshin global? Po Rusia si influencon në këtë mishmash ballkanik? A do të shpërthente lufta nëse kufijtë do të ribëheshin në tavolinë dhe sa peshë mund të ketë precedenti Kosovë-Serbi për situata në ngjashme në të gjitha anët e botës?

Këto dilema janë tashmë materia e parë e diplomatëve, politikanëve, analistëve e aktivistëve të ndryshëm kudo në Evropë e jashtë saj. Ballkani dhe kumti i tij historik i errët, fusin në mendime shumë kancelari, edhe shumë larg nga pikëpamja gjeografike.


Në një ndër pikëpyetjet që qëndron mbi kryet e paqes ballkanike ka qenë dhe mbetet roli i Rusisë në rajon. Shumëkush ende e kujton turbullirën malazeze nja dy vjet të shkuara, kur rusët u akuzuan se tentuan të vrisnin kryeministrin Milo Gjukanoviq, me qëllimin për të penguar hyrjen e Malit të Zi në NATO. Para asaj ngjarjeje, republika e vogël buzë Adriatikut përjetoi një rritje të dukshme të prezencës ruse në ekonomi e turizëm. Në Budvë mund të blije gazetat ruse të ditës dhe të dëgjoje radiot që transmetonin lajme e muzikë në rusisht.

Me kalimin e viteve hija ruse në Ballkan ka ardhur duke u fryrë. Si mit më së pari, e më pak si realitet. Me të drejtë një ekspert kosovar vinte në dukje këto ditë se Rusia nuk ka këllqe të garojë me amerikanët e evropianët në Ballkan, pasi ka një ekonomi që vlen pak a shumë sa ajo e Italisë dhe një buxhet ushtarak shumë më të vogël se Britania e Madhe. Në shifra kjo është e vërteta e thatë e prezencës ruse në rajonin tonë.

Por, medalja ka dhe një anë tjetër. Dhe, ana tjetër ka të bëjë me mënyrën sesi një shtet e përdor fuqinë që ka në dispozicion. Kur vjen fjala tek rusët dhe roli i tyre në Ballkan, duhet pranuar se ka indikatorë që dëshmojnë se Moska po përpiqet të luajë politikisht me faktorët kryesorë ballkanikë. Nuk përbën lajm aleanca e vjetër me Serbinë (zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse deklaroi së fundi se në bisedimet me Kosovën, pala ruse do mbështeste çdo version që do ishte i leverdishëm për Beogradin). Por përtej këtij boshti ortodoks, Putin ka hedhur hapa të forta drejt një aleance të ngushtë me Turqinë, e cila duket se ka ngjallur xhelozi dhe mosaprovim edhe tek Greqia fqinje. Por, ndoshta ka mërzitur edhe SHBA-të (meqë ra fjala, këto ditë lira turke pësoi një rënie të fortë pas një sherri mes Ankarasë dhe Uashingtonit)!

Në anën tjetër mbetet për t’u verifikuar sesi do të pasqyrohet në Ballkan, fenomeni okult i influencimit të proceseve politike nga ana e rusëve. Një provë të kësaj influence e pamë në krizën e fundit maqedone, ku e djathta maqedone u përpoq të mbështetej tek rusët, në përplasjen me të majtën dhe shqiptarët e bashkuar me të. Shumëkush e kujton deklaratën e ministrisë së Jashtme ruse kundër Edi Ramës, pa harruar akuzat që shtypi rus ka bërë ndaj kryeministrit shqiptar, në rastin maqedon. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë dhe banale në dukje: nëse Perëndimi, në rradhë të parë SHBA, kanë akuzuar hapur Rusinë si faktor ndotës në proceset politike që ndodhin aty, a nuk vlen kjo edhe më shumë për Ballkanin?! Një mjedis të prapambetur dhe pa rregulla loje, e sisteme demokratike të korruptuara?!

Nëse vijmë tek bisedimet serbo-kosovare, nuk mund të mos bëjë përshtypje misioni diplomatik i Moskës në Beograd dhe përkrahja energjike që ajo i dha tezës së ndryshimit të kufijve. Rusia qe i vetmi shtet që u investua me entuziazëm në favor të nismës së mbetur në tentativë të presidentëve të Serbisë e Kosovës, ndërkohë që pjesa tjetër e botës bënte thirrje për mos ndryshim kufijsh. Rusët, ashtu si serbët, e ndjejnë se kjo shkartisje eventuale e kufijve në një zonë tejet sensitive si Kosova e Veriut, është në rast i artë për të hedhur de facto në kosh të gjithë filozofinë e paqes e stabilitetit ballkanik të pas viteve ’90.

Një tjetër aspekt për t’u verifikuar, është influenca ruse në mediat ballkanike, kryesisht ato online. Lajme që pasqyrojnë “fuqinë ushtarake të Rusisë”, armët e saj, situatën “rozë” ekonomike, shpikjet më të fundit apo edhe anë të tjera të realitetit rus, gjithnjë në optikë pozitive, nuk janë të vështira për t’u gjetur në të gjitha gjuhët ballkanike. Kjo prani tashmë është e perceptueshme kudo në Ballkanin Perëndimor dhe të paktën për diçka jemi të sigurt: që nuk ka qenë aty më parë. Si shumëçka kur flitet për Rusinë dhe rusët, edhe ky element merr një vello misteri, të cilën e ke të vështirë ta shquash. Nuk duhet mbivlerësuar, por as nënvlerësuar.