LAJMI I FUNDIT:

Në Tetovë gjithnjë e më pak taksistë të licencuar

Në Tetovë gjithnjë e më pak taksistë të licencuar

Mësohet shumë kompani që nuk kanë vazhduar licencat i janë bashkangjitur punës në mënyrë jolegale, pasi nuk kanë mundur të mbijetojnë në një konkurrencë jolojale, ku pjesa dërmuese e këtyre të fundit nuk posedojnë licenca.

Nga viti në vit, numri i auto-taksive të licencuara në territorin e Komunës së Tetovës shënon rënie. Nëse para katër vitesh në Tetovë kishte mbi 400 auto-taksi që kishin licenca, tashmë ky numër është rreth 110, shkruan gazeta KOHA. Në Sektorin për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësor thonë se problemi me auto-taksitë është problem në nivel të shtetit dhe jo vetëm në Tetovë. “Jo vetëm vitin e fundit, por në tre vitet e fundit shënohet një rënie drastike e interesit për marrje të licencave, shkaku nuk e dimë se ku është, por mendoj se sa më shumë të dilet në terren nga ana e inspektoratit të komunikacionit, aq më shumë e shohim se vetura me licencë, kurse këtë vit kemi 110 vetura”, deklaroi Memet Jonuzi, ndihmës-udhëheqës i Sektorit për Komunikacion në Tetovë. Sipas, tij, konkurrenca jolojale ka dëmtuar në masë të madhe ata që kishin vendosur që marrin licenca.


“Sipas njohurive tona, problemi është se shumë auto-taksi funksionojnë në mënyrë ilegale, dhe këta dëmtojnë ata që kanë licenca, prandaj edhe ata pak që kanë – nuk i vazhdojnë të njëjtat dhe funksionojnë në mënyrë ilegale”, thotë Jonuzi.

Në rrugët e qytetit të Tetovës, qytetarët por edhe turistët e huaj të cilët e vizitojnë këtë qytet, mund të hasin në vetura taksie të shumta të cilat lëvizin pa licenca e që krahas kaosit në komunikacion, ato i shkaktojnë buxhetit komunal dëm të madh, pasi krahas mos pajisjes me licenca, nuk paguajnë as edhe një taksë që detyrohen sipas Ligjit. Ndryshe, në qytetin e Tetovës komuna ka përcaktuar leje për rreth 400 taksi vetura, ndërsa momentalisht përllogaritjet janë se në Tetovë ka rreth 800 taksistë ilegal.

Komuna e Tetovës, gjegjësisht Sektori për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësorë dhe natyrës ka caktuar 40 lokacione me kapacitete të ndryshme për parkim të auto-taksive. Në këto 40 lokacione ka 268 vende për parkim edhe atë të auto-taksive, të cilët kanë marrë licencë për kryerje të kësaj veprimtarie. Numri maksimal i auto-taksive në Tetovë duhet të jetë 400.

Nga kompanitë që aktualisht janë duke zhvilluar këtë veprimtari nënvizojnë se konkurrenca e pandershme gjithnjë ka ndikuar negativisht në punën e tyre, pasi shumë taksistë punojnë në mënyrë ilegale, ndërsa janë të detyruar të paguajnë kontributet për vozitësit, por edhe licenca për punën e tyre. Kjo situatë, sipas tyre, është shumë e vështirë ngase detyrimet ndaj shtetit janë të larta, kurse shumë të vogla janë hyrjet nga puna që kryejnë.

Jo zyrtarisht mësohet se shumë kompani që nuk kanë vazhduar licencat i janë bashkangjitur punës në mënyrë jolegale, pasi nuk kanë mundur të mbijetojnë në një konkurrencë jolojale, ku pjesa dërmuese e këtyre të fundit nuk posedojnë licenca. Sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Komunës së Tetovës ka rreth 22 kompani që kryejnë transport. /koha.mk/