LAJMI I FUNDIT:

Faktorizimi i shqiptarëve të Zvicrës

Faktorizimi i shqiptarëve të Zvicrës

Pa marrë parasysh se çka flasin injorantët, budallenjtë, gojëkëqijtë dhe antishqiptarët, dhe pa marrë parasysh se si do të përfundojë ky kampionat botëror i futbollit, Xherdan Shaqiri, sipas ekspertëve dhe shtypit britanik të sportit, i ka siguruar vetes vend solid në ‘Top World Players’. Prandaj, është paralajmëruar një garë e madhe në mes ekipeve angleze për marrjen e Shaqirit në mesin e tyre. Momentalisht çmimi i Shaqirit në tregun britanik është 123 milionë funta, me tendencë të rritjes.

Ky fakt shënon histori jo vetëm për Shaqirin, por edhe për Zvicrën dhe tërë shqiptarët. Gëzimi duhet të jetë edhe më i madh nëse e kemi parasysh që edhe Xhaka, Behrami e Xhemalji nuk janë larg Shaqirit.

Këta futbollist edhe një herë e sollën Kosovën në faqet e para të shtypit botëror duke bërë me dije për problemet të cilat ende i rëndojnë marrëdhëniet shqiptaro-serbe që po e mbajnë Ballkanin të tensionuar.


Por, pozitivitetin e këtyre futbollistëve duhet ta shohim në kontributin e tyre në Zvicër, në të cilin vend, komuniteti shqiptar është më i rëndësishmi në Evropë. Për shkak të tyre, Zvicra për herë të parë ka festuar privatisht nëpër shtëpi dhe publikisht nëpër sheshe. Kjo është një shenjë e cila vërteton që shqiptarët në Zvicër më nuk duhet të jenë inferiorë. Pa marrë parasysh se çka mendojnë djathtistët zviceranë, të cilët më shumë se shpesh kanë shfaqur tendenca fashiste ndaj shqiptarëve, komuniteti shqiptar është bërë faktor i rëndësishëm në këtë vend.

Në Zvicër shqiptarët nuk janë të rëndësishëm vetëm në futboll, në ‘baushtella’ e restorante. Ata, gjithnjë e më të rëndësishëm janë duke u bërë në të gjitha fushat tjera të ekonomisë dhe i gjeni duke shënuar sukses në vendet më të specializuara, përfshirë edhe sallat e operacioneve të komplikuara të spitaleve me renome në këtë vend.

Edhe përkundër këtij suksesi, shqiptarët, pa nevojë, ende vuajnë nga barra e inferioritetit që e bartin nga e kaluara. Por, kjo nuk duhet të zgjas shumë pasi që gjeneratat e reja janë duke e thyer këtë barrierë. Barriera do të thyhej më shpejt sikur shqiptarët ta kishin zërin e tyre në sferën publike të Zvicrës. Ky zë duhet të lajmërohet së shpejti dhe të bëjë me dije se shqiptarët e duan Zvicrën sikur zviceranët e shpesh më shumë se vetë zviceranët. Shqiptarët në Zvicër janë për të jetuar aty përgjithmonë dhe kjo duhet të pranohet nga zviceranët, por edhe nga shqiptarët të cilët duhet ta ndjejnë veten zvieëranë. Prandaj, shqiptarët në Zvicër duhet të pranohen si pjesë e plotënisë së shoqërisë zvicerane me të gjitha karakteristikat poseduese.

Derisa të ndodhë kjo, do të ballafaqohemi ende me deklarata të individëve dhe organizatave që shkaktojnë pezmatim në të dyja anët. Por, kur shqiptarët e marrin vendin e merituar në Zvicër, më nuk do t’i shihni duart e tyre duke e bërë shqiponjën. Vizitat e tyre në Kosovë, së bashku me dërgesat e parave, do të rrallohen dukshëm.