LAJMI I FUNDIT:

Turqia rrit varësinë nga Rusia

Turqia rrit varësinë nga Rusia

Në samitin e tre presidentëve, atij turk Erdogan, presidentit rus Putin dhe atij iranian Rohani, në Ankara, në qendër ishte lufta në Siri. Por, presidentët Erdogan dhe Putin, krahas kësaj e përdorën samitin edhe për të zgjeruar marrëdhëniet mes tyre duke rritur me këtë varësinë e Turqisë nga Rusia. Që në ditët para samitit u vu re se Turqia është një nga vendet e pakta anëtare të NATO-s që nuk e nënshkroi aksionin e solidaritetit kundër Rusisë pas sulmit me gaz nervor ndaj agjentit të dyfishtë, Skripal. Për Turqinë, as që bëhej fjalë të dëbonte diplomatët rusë

Përkundrazi – marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës po bëhen më të ngushta. Kështu, Turqia është i vendi i vetëm anëtar i NATO-s që do të instalojë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse S400. Madje, furnizimi është afruar me një vit, në vitin 2019. Po ashtu, Turqia është vendi i parë i NATO-s ku Rusia ndërton një central atomik. Blerja e sistemeve ruse S400 mund të bëjë që në të ardhmen SHBA të mos e furnizojë më Turqinë me aeroplanë ushtarakë dhe centrali atomik në Akkuyu do të rrisë varësinë e Turqisë nga Rusia, sepse vetëm Moska mund të ofrojë shufrat djegëse.

Sipërmarrja ruse Rosatom do të ndërtojë centralin atomik Akkuyu dhe do ta menaxhojë më vonë. Presidenti Erdogan e vlerëson kaq shumë këtë, saqë ai ka rënë dakord për një çmim të garantuar për rrymën e prodhuar. Për Rosatom-in një pazar me leverdi. Kjo sipërmarrje ndërton 34 centrale atomike në 12 vende. Ndërtimi në Turqi është shumë i rëndësishëm për presidentin rus, Putin, sepse ai kërkon të shkëpusë hap pas hapi Turqinë nga NATO. Prandaj ai erdhi personalisht për vendosjen e gurthemelit me homologun e tij.


Erdogan ka një argument të mirë në anën e tij – rritja e nevojës për energji rritet në Turqi vit për vit me nëntë për qind, ndërkohë që Turqia mund të prodhojë vetë vetëm 26 për qind të energjisë së kërkuar. Por, ndërkohë që Evropa po e zvogëlon varësinë e saj energjetike nga Rusia, Turqia po e rrit. Kësaj i shtohet edhe ndërtimi i një gazsjellësi nga Rusia në Turqi, Turkish Stream. Putin u shpreh se kjo e rrit sigurinë energjetike në rajon. Por, ajo zgjat edhe levën që ai ka në dorë në të ardhmen kundrejt partnerit të tij më të vogël.