LAJMI I FUNDIT:

Demokracia dhe aritmetika: “Formula magjike” zvicerane, për qeverisjen e mirë

Demokracia dhe aritmetika: “Formula magjike” zvicerane, për qeverisjen e mirë
Ilustrim

Jonas Marti

A është e mundur që e djathta, e majta dhe populistët të mund të bëjnë pjesë në të njëjtën qeveri? Po, dhe ndodh në Zvicër, ku nuk ka nevojë për një shumicë, por të gjitha forcat politike udhëheqin së bashku vendin. Në të gjitha nivelet. E quajnë “formula magjike”, por për zviceranët është një koncept kaq i ndërfutur natyrshëm në traditën politike, saqë në çdo fund zgjedhjesh, mrekullia ndodh spontanisht: kur vjen momenti për t’i dhënë jetë një qeverie të re, partitë kryesore të pranishme në parlament e formojnë së bashku. Duke respektuar (pothuaj) gjithmonë një praktikë të konsoliduar, që merr parasysh raportet e forcës mes formacioneve të ndryshme politike, pa patur nevojë për goditje të befta, konsultime pa fund dhe shumica të çala.

2 + 2 + 2 + 1, ky është sot përpjesëtimi mes përbërësve, receta magjike e marrëveshjes helvete: dy vende për Partinë Socialiste (e majtë), dy për Partinë Liberale Radikale (e djathta ekonomike), dy për Unionin Demokratik të Qendrës (e djathta populiste dhe euroskeptike) dhe një për Partinë Popullore Demokratike (e qendrës dhe me frymëzim kristian). Një kokteil ndjeshmërish dhe programesh politike, që funksionon jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe lokal. Qeveritë me marrëveshje të gjerë në Zvicër janë të pranishme në çdo nivel, nga ai federal, deri në atë të kantoneve dhe bashkiak. Gjithmonë duke kërkuar, rast pas rasti, territor pas territori, pasqyrimin e forcës reale elektorale të partive. Një përrallë e bukur, në këtë Evropë të mbushur me luftëra postelektorale. Në Gjermani, Merkelit iu deshën pesë muaj për të gjetur një marrëveshje, dhe në fund ia doli me socialdemokratët e Schulzit. Tre vjet më parë, në Spanjë as nuk ia dolën të formojnë një qeveri dhe u desh të rikthehen në kutitë e votimit, gjashtë muaj më vonë. Në Itali, e dimë se çfarë po ndodh.


Për të thënë të vërtetën, në konfederatën helvetike nuk është gjithçka fushë me lule. Sa për të marrë një shembull, formula magjike ka nevojë për kohë që të përshtatet me përfaqësimin real të partive. Në 1928 socialistët ishin formacioni më i fortë në vend, por u desh të prisnin mbi tridhjetë vite, deri në 1959, për të patur dy ministra. Në 11 vitet e fundit, ka patur disa trazira. Partia popullore e djathtë, UDC, sot më e votuara në Zvicër, në 2003 arriti t’i marrë një vend Partisë Popullore Demokratike, që për herë të parë pas disa dekadash mbeti në qeveri me vetëm një ministër. Katër vjet më vonë, Unioni u nda pasi parlamenti nuk zgjodhi kandidatin e propozuar nga udhëheqja e partisë. Ekuilibri u prish për tetë vite, por në 2015 gjithçka u rikthye në normalitet. Dridhje të vogla, po t’i krahasosh me tërmetet që shkundin rregullisht gjysmën e Evropës.

Në Zvicër, qytetarët kanë perceptimin që në nivel institucional gjërat funksionojnë, për shkak edhe të sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë, që i lejon të shprehen me referendume për shumë tema. Madje zviceranët i shohin shpesh përvojat politike të fqinjëve me një krenari të hapur për sistemin e tyre, që betohen se nuk duhet ndryshuar kurrë. Dialog konstant, kompromis, refuzim i parimit shumicë/pakicë. Politologët e quajnë demokraci konsociale, që bën kontrast me atë konkuruese. Unus pro omnibus, omnes pro uno. “Një për të gjithë, të gjithë për një”, shkruhet nën kupolën e Pallatit Federal në Bernë. /La Stampa/Bota.al/

Në trend

Më shumë
Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, Prokuroria Speciale jep detaje

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, Prokuroria Speciale jep detaje

Drejtësi
Duda Balje: Nuk do ta pranoja kurrë fëmijën tim nëse do të ishte pjesë e komunitetit LGBT+, as femrat që bëjnë IVF pa partner s'i kuptoj

Duda Balje: Nuk do ta pranoja kurrë fëmijën tim nëse do të ishte pjesë e komunitetit LGBT+, as femrat që bëjnë IVF pa partner s'i kuptoj

Magazina
BE-ja po i ofron Ukrainës një marrëveshje për mineralet e ralla

BE-ja po i ofron Ukrainës një marrëveshje për mineralet e ralla

Evropa
Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Botë
Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Botë
Lojtari i Real Madridit nuk do të luajë më këtë sezon për klubin pas vendimit të Ancelottit

Lojtari i Real Madridit nuk do të luajë më këtë sezon për klubin pas vendimit të Ancelottit

La Liga
Kalo në kategori