Gjyshi im nga nëna, ndjesë pastë, pasi e përfundova shkollën normale në Prishtinë, që aso kohe ishte pesëvjeçare, kishte durim të më dëgjonte me vëmendje, gjersa flisja për historinë e popullit shqiptar. Historinë e popullit shqiptar kishim filluar ta mësonim aty nga viti 1968. Vet gjyshi kishte një jetë goxha të vështirë, pasi nga regjimi i kohës ishte konsideruar për një kohë të gjatë, si armik i popullit.
Kur unë i flisja për historinë e popullit shqiptar, ai më dëgjonte me vëmendje, nuk e di nëse me besonte në krejt atë që dëgjonte, por, më shikonte drejt në sy. Gjyshi im të gjithë njerëzit kur flisnin i shikonte në sy. Besoja se i vinte mirë sepse më donte shumë. Kur për ndonjë çështje i jepja pak si shumë zjarr (se mosha ishte e tillë, plot energji idealiste dhe iluzione), ai me qetësinë e njeriut që kishte kaluar jo pak vështirësi në jetë, me një shikim plot besim, më thoshte: “Biri im, ky regjim është i huaj, kudo i ka veshët e tij, në shkolla, në fakultete, oda e ara, livadhe e male. Ata veshë e flasin dhe e kuptojnë mirë gjuhën tonë, kujdes biro!”
“Po gjysh”, i thosha, “e di, por rrugën e lirisë duhet ta vazhdojmë, se edhe rilindësit tanë, punuan në zemrën e Stambollit për Shqipërinë. Në raste të tilla ia përmendja, Samiun, Naimin, Pashko Vasën e shumë të tjerë. Ne e kemi më lehtë, se po punojmë në mesin e popullit tonë.”
“Po, populli është i yni, por, biri im, vërtet i yni është, por ka shumë që i bëjnë argatin të huajit”, ma kthente gjyshi plak. Kur unë këmbëngulja në timen me vendosmëri, ai më shikonte, më dëgjonte me vëmendje dhe mendonte të më thoshte diçka, por fjalën nuk ma ndërpriste.
Kur unë mbaroja fjalën e gjatë, nëse ishte i shtrirë, se ai ishte në moshën tetëdhjetëvjeçare, ulej këmbëkryq dhe vazhdonte me një qetësi prej të urti.
“Biri im, unë nuk kam kryer shkollë, veç shkollës së odave tona, dhe dëgjo me vëmendje”, do të më thoshte. Unë i premtoja se do ta dëgjoja me vëmendje dhe ç’është e vërteta edhe e dëgjoja, pasi gjyshi im njihej për gjuhën e rrjedhshme dhe qartësinë e mendimit. Kur vinte tek ne, të gjithë fqinjët dëshironin t’i dëgjonin fjalët e tij.
Ai më thoshte: “Njerëzit tanë kanë pasur shumë vështirësi, kanë vuajtur shumë, por, para se t’i fillonin punët e vështira, për të cilat po flet edhe ti, biri im, janë menduar shumë, kanë pyetur njerëzit me përvojë dhe i kanë matur e peshuar punët shumë. Kur i kanë bërë hesapet mirë e mirë, i kanë hyrë punës duke i menduar mirë të gjitha vështirësitë, por edhe pasojat dhe, kur e kanë bërë këtë, kanë filluar së punuari dhe kthim prapa për të gjallë nuk ka pasur! Se biri im, prej të parëve kam mësuar se nëse kokën e fut në rrezik, fjalët e mira e shpëtojnë nga rreziku! Por, nëse fjalën e len peng, koka shkon! Mbaje në mend biri im: Koka nuk e shpëton fjalën e fjala e mirë e shpëton kokën! Pra, biro, do të vazhdonte gjyshi, “kokën fute edhe ngusht, ama fjalën jo! Se fjala, kur del nga goja, nuk kthehet më mbrapa! Është si fëmija kur lind, o jeton o vdes, por kthim mbrapa nuk ka”.
Kaq të rreptë ishin të parët tanë.
Nga këto fjalë në thelb sentenciale, të urta, që m’i thoshte gjyshi, përpiqesha të nxirrja mësimin e duhur. E them me plot besim, asnjë pune nuk i kam hyrë pa e menduar mirë. Këtë mësim, veç të tjerash e mora me bindje të plotë edhe nga fjalët e gjyshit tim! Cilëndo rrugë që kam nisur i kam shkuar deri në fund, bile kam shkuar edhe përtej asaj që nuk e kisha planifikuar. Po, kjo më la edhe një cen. Sepse aq lehtë njerëzve nuk u besoj tashmë! Sepse të shpeshtë njerëzit, siç e thotë një fjalë, fjalët i kanë si Demushi e punët si kurrkushi!
Edhe gjyshi më thoshte: “Shumë njerëz kanë fjalë shumë e punë pak. Madje biro, këtu Beogradi mes nesh ka mbjellë një farë të keqe që është si pirravina. Pirravina biro është një bari i tokës, i cili edhe kur duket i tharë, kur bie në dhe edhe nëse e ke mbajtur në tavan, i fut rrënjët e tij përsëri. Populli ynë, o bir, të huajve u bën shumë temena. Të vetit i bënë më shumë karshillëk. Siç e di biri im, berishët i kemi miq. Kur u vra Rifati në Gajrak (1949) me të afektet e tij, më vonë disa të tjerë për shkak të ndjekjeve u detyruan te shkonin në Shqipëri, pasi rrugë tjetër nuk u pat mbetur. Në një rast Tahirin e kam dëgjuar të thotë: ‘Ne, shqiptarët kemi qasi mashkuj që edhe po të donte shkau të largohet nga Kosova, disa u shkojnë mbrapa deri te Molla e Kuqe, duke i lutur që të ktheheshin, se nuk mund të bënim pa ta”!
E pabesueshme por e vërtetë! Në mos shumë interesante! Këto ditë kur i shikoj me vëmendje shumë zhvillime në jetën tonë politike, me duket se po e dëgjoj gjyshin duke folur për veset e njerëzve tanë. Vese që edhe sot veç sa janë trashur! Edhe sot, tetëmbëdhjetë vjet pas lirisë, disa nuk i dëgjon të flasin për vrasjet e shkatërrimet që Serbia ia ka bërë popullit tonë! Krejt mllefin e hedhin mbi çlirimtarët! Mbi ata që na sollën lirinë e pavarësinë. Tani po bindem se ai kishte folur nga mësimi i tij i jetës dhe këtë përvojë populli ynë e kishte përcjellë gjeneratë pas gjenerate, përmes kujtesës, tregimeve dhe filozofisë popullore.
Duke bashkëjetuar gjatë e ngushtë me filozofinë popullore, ka bërë që njerëzve të mos ju besoj, për shkak të mashtrimeve, pabesive, labilitetit e pavendosmërisë për t’ju shkuar gjërave deri në fund në shumë iniciativa, që nisin e nuk përfundojnë askund! Në ketë jetën time politike mbi dyzetvjeçare, jam kujdesur që fjalën të mos e zë ngushtë, kokën e kam futur shpesh jo pak ngushtë dhe ende vazhdoj ta kem ngushtë. Nëse e kam filluar një rrugë, leqe nuk kam bërë, i kam shkuar deri në fund. Kam qenë i bindur se, kur e ke drejt, edhe nëse mbetesh i vetmuar, duhet të ecësh, duke mos u ndalur në rrugën e filluar.
Njerëzit tanë kanë ecur edhe në rrugë më të vështira, por të paktë janë ata që hapin shtigje të reja. Shumica shkojnë rrugëve të hapura!
Prandaj e kujtoj dhe vazhdoj ta dua gjyshin tim, sepse më përgatiti jo vetëm që të eci nëpër shtigje të gjata e të vështira, por edhe fjalën ngushtë të mos e fus e nga vështirësitë të mos tërhiqem. Kokën edhe e kam shtirë ngushtë ndonjëherë, por ajo një jetë e një vdekje e ka! Po, sepse këtë gjyshi shpesh do të ma thoshte: “Njeriu një lindje e një vdekje duhet ta ketë!” Ndonëse dikush, siç po e shohim, vdes përditë e gajle nuk e ka.
Njëherë i kishin pas thënë gjyshit tim: “Bashkëpuno me ne (me UDB-ën), djalin për dy javë do ta sjellim nga Goli Otoku.” Gjyshi im e kishte djalin e madh (dajon tim) të burgosur në burgun famëkeq. Ai i kishte thënë “mikut” të paftuar: “Djali kurrë i gjallë të mos kthehet, se me ju nuk bëhem kurrë!” Gjyshi im ishte mjeshtër i fjalës dhe fjala e tij kishte peshë të madhe. Në motin e tij, ndonjëri edhe ishte përpjekur t’i bënte karshillëk, por shpejt ishte bindur se gjyshi qe një majë ku s’mund të arrihej lehtë! Ai nuk kishte pushtet, por fjalët e urta, mendimet e qarta e lakonike e bënin të pushtetshëm. Pushteti i tij burim kishte urtinë.
Ky ishte gjyshi im, prandaj e dua pafundësisht shumë! Kur ai pat vdekur, unë me shokë veç kishim nisur rrugën e lirisë. Atëherë nuk e dija se deri ku do të arrinim me shokët e idealit, por ishim të bindur se fitoren nuk do të na e sillte askush në pjatë! Atë duhej ta sillnin ata që kishin integritet e nuk pyesnin për vështirësitë për të marshuar drejtë Lirisë e Pavarësisë!
Brezi ynë eci sipas porosive të gjyshërve dhe arritëm atë që brezi i tyre nuk e kishin arritur dot! Kush lufton edhe mund ta humbë ndonjë betejë, por pa luftuar askush nuk e fiton luftën! Nuk e fiton LIRINË! Është pikërisht ajo që e ka thënë me plot të drejtë Sharl dë Gol: “Franca e ka humbur betejën, por jo luftën”.
Edhe sot, si zile në veshë me rrinë fjalët e Gjyshit: “Biro, para se t’i hysh një rruge të vështire, mati punët tua mirë, se kur del fjala, kthim prapa nuk ka më”! “Liri a vdekje”, thoshin rilindësit tanë të urtë!
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëGjesti habit me deklaratën: Nëse kam aq shumë fansa, atëherë po ia fus gjumit dhe po e fitoj Big Brother-in
Xum Allushi pas eliminimit nga gara e Big Brother: S’mund të isha një Johnny Depp shqiptar
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Elon Musk nuk shkoi i vetëm në inaugurimin e Trump, shoqërohej si rrallëherë nga Shivon Zilis
Real Madridi befason me objektivin e fundit për sulmin
Flick vlerëson mentalitetin e Barcelonës pas fitores së çmendur ndaj Benficës në Ligën e Kampionëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Gjesti habit me deklaratën: Nëse kam aq shumë fansa, atëherë po ia fus gjumit dhe po e fitoj Big Brother-in
Pas Lojërave Olimpike, hakohen edhe faqet e Bloomberg në Facebook dhe Instagram - publikohet fotografia e Gjestit
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Real Madridi po ia rrëmben Barcelonës top shënjestrën nga dora
Trump deklaroi se Spanja është pjesë e BRICS, reagon qeveria spanjolle
Përfundon dueli i nëntë golave: Nga turpërimi, kalon në ngadhënjim - çfarë Barcelone!