LAJMI I FUNDIT:

Kthimi, takimi, kullat

Kthimi, takimi, kullat

Pas një kohe të gjatë të vuajtjeve nëpër burgjet e Serbisë, erdhi dita e lirisë, dita e kthimit në Kosovë. Isha i gëzuar se erdhi dita e bashkimit me familje, shokë e farefis dhe momenti i bashkimit me Atdheun tim, me djalin tim.

Gëzimi im ishte i pjesërishëm, pasi që në burgjet e Serbisë lash me qindra shqiptarë, të cilët po vuajnë në kushte të rënda, pa ushqim të mjaftueshëm, veshmbathje, pa shtrojë e mbulojë dhe më shumë maltretime. Zoti iu ndihmoftë dhe të kenë shëndet e jetë të gjatë!

Rruga e kthimit ishte e gjatë: nga burgu famëkeq i Pozharecit, nëpër Serbi. Së pari në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, në qytetin e Nishit, ku pritëm një shok, i cili u lirua sot me vendimin e gjykatës serbe. U hap dera dhe punëtorja e Kryqit të Kuq i thotë një të riut që të ulet dhe të presë. Djaloshi ishte rrahur dhe ende nuk e kishte të qartë se ku gjendet.


– Nga je, nga cili burg të liruan!?

Djaloshi mbeti i shtangur dhe, pas pak, shtoi:

– Po, mos, jeni ju shqiptar!?

– Po. Unë jam Jahjaja. Ky është Ganiu, Ekremi, Avniu, ky është Fatmiri…!

– Unë jam Sali Baruti! Çka po pritni këtu?

– Po e presim njëfarë Baruti. Pastaj po shkojmë në Kosovë. Për disa orë do të jemi në Kosovën e lirë…

– More Jahë, nëse del kështu si thua ti, atëherë të kam krushkun e parë!

Të gjithë u qeshën, pa ndonjë koment.

Prej Nishi ishte rrugë e gjatë deri në Rozhajë .Aty na priti policia sllave, e cila filloi të na provokojë,por, njëri prej tyre iu drejtua kolegëve të vet:

– O të mjerë, mos i ngacmoni se ata pas pak do t’i presin si heronj. Nuk e vëreni tërë atë popull që po i pret atje lartë!

Erdhi edhe momenti i takimit me familjen, me nënën, fëmijët, me gruan, me qindra shokë, miq dhe farefis. Kishte këtu lot gëzimi, puthje, por dëgjohej edhe daullja dhe kënga e bukur shqipe.

Nga Rozhaja zbresim nëpër Kullën e Zhlebit, drejt Pejës. Dola në dritare të automobilit dhe shikoja Pejën, Qytetin e Haxhi Zekës, me kullat e kohës që e zbukurojnë, madhështojnë. Kullat? Kulla e Bardhë e Besa Besës, aty ku burrat shqiptarë lidhën besën për komb e atdhe.

Automobili po i afrohej qytetit tim të dashur… Një kohë gjatë e ëndërruar.

– Po kullat s’duken?! Pyeta vajzën time. Linda, bija ime, cili është ky qytet?

– Peja, Babi!

– A je e sigurt, mos po më mashtroni!

– S’ka shaka. Peja është…

Tani Kosova e fitoi lirinë, populli i saj befasoi gjithë botën me kthimin biblik. Kjo nuk është shënuar ndonjëherë në historinë e botës.

Tani kemi për detyrë ta rindërtojmë atdheun, ta bëjmë më të bukur se kurrë ndonjëherë më parë.