LAJMI I FUNDIT:

Viti i Ri ishte atëherë kur bredhi zbukurohej me pambuk e të shijonte një portokall

Viti i Ri ishte atëherë kur bredhi zbukurohej me pambuk e të shijonte një portokall

Alma Nikolli

Si për shumë gjëra të tjera, ndoshta edhe për Vitin e Ri e ka fajin komunizmi. Duke zhdukur çdo festë fetare, regjimi totalitar “lulëzoi” mbrëmje si ajo e 31 dhjetorit. Të fajësosh për festim është paksa absurde, megjithatë të shumtë janë ata që refuzojnë të gëzojnë për hir të një kalimi normal nga një vit në tjetrin, duke marrë parasysh që vetë viti është një term konvencional.

Nejse…


Larg zbukurimeve moderne a postmoderne, dua të flas për kohën kur njerëzit kishin nevojë për fundvitin që të qeshnin, a të hanin një portokall.

Na ishte njëherë…

Tiktak ore kishte, por jo alarm. Kënga e gjelit mjaftonte që fëmijët të hidheshin nga krevati për të vrapuar te oxhaku, pasi kishin sistemuar batanijet në shtrat, normalisht. Një copë bukë në dorë dhe vrap në mal për të prerë bredhin. E shkundnin nga dëbora lumturisht dhe drejt e në shtëpi.

“Vidhnin” një kusi dhe siguroheshin që bredhi të mos lëvizte. Nga pesha nuk do kishte si, se pak pambuk do vendosnin mbi të, ama mund ta rrëzonte era kur hapej dera.

Sfida e radhës ishte për të gjetur pambuk. Infermierët nëpër fshatra ishin heronjtë. Përherë do të kishin pak dëborë të pambuktë për të vegjlit këpucëshqyer.

Jashtë ishte një “gju” dëborë, ama brenda mbi bredh mezi mblidheshin ca grimca pambuku. Në vend të dritave shumëngjyrëshe, cepat e dhomave zbukuroheshin me letrat e famshme ngjyra-ngjyra. Një gërshërë, ca fije të prera hollë që ngjiteshin me njëra-tjetrën me brumë dhe ja ku u stolis shtëpia.

Ngrohtë, ngjyra, hare dhe ndonjë program humoristik në televizor, kaq u mjaftonte fëmijëve e të rriturve mbrëmjen e 31 dhjetorit. Mollët dhe portokallet ishin kënaqësi më vete. Dhe, pastaj gjumë. Nuk ekzistonte fjalia “deri në 12 me të shpisë, pastaj me shoqninë”. Nuk kishte orë 00:00 dhe fishekzjarre, jashtë ishte vetëm një qen që për hir të Vitit të Ri kafshonte ca kocka.

Më fatlumët vishnin një palë çorape të reja mëngjesin e 1 janarit, kurse të tjerët prisnin datën 2, 3, 4, 5, 6, 7, a 8 për të rinisur jetën ngjyrapak, me sofra pa portokalle mbi të.

Kurse…

Tani e dini vetë. Pjesa më e madhe urrejnë urimet klishe, kartolinat që nuk dërgohen më, portokallet, njerëzit, Vitin e Ri. Jo pak miq virtualë ankohen vazhdimisht për mesazhe uruese “copy-paste”. Ankohen për bakllavanë, apo për rrëmujën në qytet. S’e di pse por më duken si ai xhuxhi nevrik i Borëbardhës, që vetëm fytyrën kishte të trishtë, ndërsa në zemër i ndizeshin drita.

E di që tani bredhat quhen pemë, se janë artificiale dhe zgjasin me vite. E di që pambuku mungon prapë nëpër spitale, ama për në pemë do gjendej kollaj, ndoshta prej faktit se askush nuk e do më. E di se portokallet nuk kanë më aromë e ngjyrë, shërbejnë vetëm për të zbukuruar tavolinën.

E di se blerja e një palë çorapeve duket qesharake, në një kohë kur qendrat tregtare kanë bërë ulje “drastike”. Ama ajo që di me shumë siguri është se njeriu ka përherë nevojë të gëzojë e të festojë. Dhe nëse tani refuzon ta bëjë ndodh, sepse nuk di më t’i gëzohet kënaqësive të vogla të jetës. /27.al/

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori