LAJMI I FUNDIT:

Me ndjesitë e Antigona Gashit: ‘Ma jep një vuajtje, ta dhuroj një vepër’

Me ndjesitë e Antigona Gashit: ‘Ma jep një vuajtje, ta dhuroj një vepër’

Ambientit tonë krijues po i shtohet edhe një pendë e re, plot pasion, vullnet të çeliktë, pavarësisht atmosferës jo shumë të favorshme që po mbretëron aktualisht tek ne.

E reja Antigona Gashi, tashmë ka hyrë në botën e quajtur fantazi krijuese. Në karakterin e saj ndërthuren mjaft bukur ironia dhe sensualiteti.

Ajo ka kurajën për t’u përballur me jetën reale, duke e çmitizuar the zhveshur atë deri në eros, duke mos i bërë përshtypje mendimet paragjykuese dhe satanizuese të të tjerëve. Sepse, tek e fundit, në momentin që të duket se u shua pasioni, është magjia e poezisë që e rikthen sërish.


Poezi dashurie, malli, dhimbjesh, e proteste – kjo mund të themi se është jeta reale në poezi e Antigona Gashit. Megjithatë si e kupton ajo aktin krijues dhe gjithçka që ka të bëjë me të, mësoni nga intervista në vazhdim.

Secili ka një ëndërr te fshehur. Ju e keni plotësuar ëndrrën, apo jeni në kërkim të saj?

Në fakt, ëndrrat jo gjithmonë realizohen në tërësi, madje nuk thuhet kot: “ruaju nga realizimi i ëndrrave, sepse ka mundësi që të realizohen një ditë dhe, pastaj, si të jetohet pa ëndrra”. Personalisht konsideroj se pjesërisht e kam realizuar synimin tim dhe jam në rruge që t’ia vë kapakun e artë. Këtë e mbështes, ngase deri më tashti kam botuar tre libra.

Në poezinë tuaj ka shumë erotizëm dhe sensualitet. Ka të bëjë kjo me natyrën tuaj femërore apo me natyrën tuaj poetike?

Do të thosha se mund të jetë që është e ndërthurur me natyrën time poetike, gjë që ndodh edhe te femrat e tjera. Mbi këtë bazë konsideroj se shumë njerëz janë të brumosur me fantazitë, por shumicës prej tyre i mungon guximi për t’i shprehur ato publikisht. Pra, e ‘dhunojnë’ fantazinë duke e ngulfatur dhe duke e ndrydhur pamëshirshëm.

Çfarë kërkoni të “ndreqni” me poezinë tuaj: botën, vetveten…apo thjeshtë doni të ndiheni e plotë dhe e çliruar?

Mendoj se përmes krijimeve të mia, jam duke e thyer një temë tabu, e cila po gjen teren ende në provincë. Ndërkaq, unë po mundohem që këtë temë ta bëj të zakonshme. Pse duhet te mos thuhet ajo që ndjehet? Poezia ime e shpalos ndjenjën e lirë, si përjetim poetik, pse jo edhe moment edukativ. Këto shkrime, në fakt nuk synojnë ‘degjenerimin’ e gjeneratave të reja, por përkundrazi njohjen e një bote të panjohur.

Ku e ka burimin inspirimi juaj, në ngjarje, frymëzim të grumbulluar, romantikë apo…?

Inspirimi im varet herë-herë nga gjithçka nga pak, mirëpo më së shumti nga disponimi i çastit. Por që, ai gjithmonë është aty diku i pranishëm, gjithmonë ekziston. Qoftë të jetë ndonjë ngjarje, ndonjë thyerje emocionale, ndonjë romantikë, inspirimi gjithmonë është përreth meje dhe brenda meje.

Poezia erotike si e tillë në vetvete është provokuese. Mund të ngjallë reagime, ngacmime, buzëqeshje, pse jo edhe të qeshura…A është shoqëria jonë e hapur ndaj shkrimeve të tilla?

Poezia erotike është sikur femra. Mund të jetë pafundësisht monotone, e parashikueshme, e pavlerë, por mund të jetë joshëse, emocionuese dhe e përjetësisht e bukur. Kur është fjala për këtë lloj poezie, mendoj që është personale dhe diçka që manifestohet nga një individ tek individi tjetër. Unë preferoj që tua lë lexuesve që ta nxjerrin konkluzionin për poezitë e mia, por kam për qëllim që ato poezi të ndjehen emocionalisht.

A jemi pak të pasinqertë me veten dhe me njëri-tjetrin, kur e refuzojmë poezinë erotike dhe shfaqjen e erosit?

Pak a shumë, po. Pse të refuzohet diçka e pranuar botërisht! Zaten, tema e erosit është trajtuar edhe më herët, madje edhe nga krijuesit tanë dhe vazhdon të kultivohet si një temë fare e zakontë.

Hemingway shprehej se shkruante mirë vetëm kur ishte i dashuruar. Sa ndikon gjendja emocionale te shkrimtari?

Çdo gjë në botë, në kuptimin e plotë, është dashuri. Nuk thuhet kot se, dashuria i mund të gjitha dhe është çelësi që i bie çdo dere.

Sa ndikon një dhembje apo një histori personale te poeti?

Poetët janë të veçantë, emocional dhe të ndjeshëm. Ata botën e shijojnë ndryshe nga realja, prandaj shpesh edhe nuk kuptohen. Femrat duet të falënderojnë poetët për himnizimin që ua bëjnë. Po të mos ishin poetët, dashuria do të ishte e zbehtë dhe patetike. Prandaj, me të drejtë thuhet: ma jep një vuajtje, ta dhuroj një vepër.

A janë shkruar këto vargje mes lotësh të nxehtë, apo mes buzëqeshjesh?

Në librin e parë “Meditime rinore”, i cili është prozë poetike ka shumë shtërzime të cilat shndërrohen në formulime poetike ku hyjnë dashuria për të afërmit, nostalgjia, pritjet e lindjeve të reja dhe kalimet nga fëmijëria në një rreth tjetër; të të rriturve, ku fëmijëria mbetet një proces kohe, sepse bota e rritur merr një daulle tjetër me ritmin e jetës. Dy librat tjerë, “Udhëtim nëpër parajsë”, dhe “Stërpikat e qumështit”, janë të shkruara në trendin bashkëkohor me një dozë erotike, e pranueshme për mua dhe, besoj, edhe për lexuesit e mi besnik.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Në shtjellimin tim poetik zënë vend shumë heronj dhe heroina, mu sikur në botën e përrallave. Vazhdimisht mundohem që krijimet e mia të bëhen pjesë e “prekshme” nga të gjithë dhe natyrisht të pranueshme sikur ndodh ne perceptimin real me Hirushën, zanat e malit, sirenat dhe shumë figura tjera të dashura, mbi të cilat e ndërtoj vargun tim poetik. Nëse i referohemi realitetit, do të veçoja poetin e pavdekshëm Dritëro Agolli si dhe filozofitë e Nangako Oshoos për kuptimin e jetës, ndërsa në prozë do të veçoja romanet e Danielle Steel.

Cili është shkrimtari që preferoni ta keni mbi kokën e shtratit, para gjumit?

Do të dëshiroja atë që di të vlerësoj të bukurën, emocionalen, pse jo edhe vulgaren. Në rastin konkret do të preferoja, shkrimtarin Remzi Limani.

Ju, jeni e pasionuar pas kukullave. Ç’domethënie kanë kukullat për ty dhe a do të thotë se keni bërë një parantezë mes teje dhe kukullave?

Kukullat e mia i dua pafundësisht, ato janë shoqet e mia; janë të sinqerta, dinë të mbajnë sekrete, dinë të ma zbukurojnë ditën. Tek ato njoha heshtjen, lojën, pafajësinë. Ato më dëgjojnë, nuk më qortojnë, siç mund të qortojë njeriu i kohës së marrë. Kukullat e mia përveç që janë aq të bukura, buzëqeshja e tyre janë jetë për mua, besnikëria e tyre është absolute, ato s’janë si njerëzit, ato s’kanë zili, as smirë, janë aq pozitive sa që në hapjen e parë të syve unë shohë diell. Ato kanë dhe emra si, Betka, Lizza, Dëbora, Bletta, Alda, Melodia, etj. Ato kanë dhe ditëlindje, sepse në momentin që i blej, po në atë datë, gëzojnë ardhjen tek unë. Sa të bukura janë: ato dinë të këndojnë, të flasin, dinë të më emitojnë fjalë e mia sa për shaka dhe unë ja plas gazit me buzëqeshje, ndërsa dhoma ime me shije e mobiluar mbushet plot tinguj hareje. Të gjitha përgjigjet i gjej tek ato, ato dinë të më korrigjojnë kur unë jam në kulmin e nervozës, por edhe me heshtjen e tyre më zbusin…Do t’i njihni të gjitha dhe do më thoni që s’kam faj pse i dua. Thonë: me kënd rri – bëhesh. Tashti, nuk e di, u bënë ato si unë, apo unë u bëra si ato.

A e cilëson veten një femër të fortë? Kam parasysh opinionet e dhëna në çështje të ndryshme, ku ke marrë përsipër të dalësh hapur, dhe të thuash mendimin tënd, pa dorëza?

Para së gjithash i gëzohem faktit që kam lindur femër, sepse e mbështes fuqishëm mendimin se sot, tek femra tona e shoh guximin e shprehjes, vendimmarrjen, dretpërdretshmërinë, sinqeritetin…kategori këto që dikur as që mund të imagjinoheshin, e lërë më të guxonin të flisnin publikisht.

Çdo kush prej nesh ka lënë nëpër sirtarë ndonjë peng… por fatmirësisht poetët i nxjerrin në shesh të gjitha pengjet e tyre.

Unë mund të them se asgjë nuk e mbaj peng. Krejt çka kam për të thënë, do ta bëj pa asnjë kompleks, keqkuptim, apo paragjykim. Nëse duhet të më ‘gjykoj’ dikush, le ta bëj; lexuesi im.

Vargjet e tua, a kanë “një mashkull” pas vetes? Një mashkull, një dashuri, një kujtim, një dhembje, një harresë?

Në kohën kur kam krijuar, isha e “mëkatuar” në dashuri, e cila sikur u shndërrua në një lojë që i është nënshtruar harresës. Aktualisht, nuk shfaq ndonjë interesim për boten në dysh, sepse ajo botë do të vijë befasisht dhe këtë ia lë kohës.

A janë të gjitha femrat, të brishta, të pafuqishme, të mundura nga padurimi për t’iu dorëzuar dikujt. Tani të pyes ty, pse femrat janë të dobëta gjer në dhimbje?

Secila femër ka formën dhe aromën e vet. Mbi këtë mit, edhe unë i përkas botës së luleve. Mirëpo, jo të gjitha lulet janë të ndjeshme, dhe jo të gjitha i qëndrojnë stuhive të jetës. Ndjeshmëria e femrës është e natyrshme dhe natyrshëm reagon ndaj përplasjeve dhe goditjeve që mund t’i marr nga jeta. Femra është nënë dhe vetëm nëna, ndjen dhembjen në brendinë e saj. Natyrisht se femrat janë të brishta dhe gjithmonë e kanë një fjalë më tepër se meshkujt.

Çfarë kërkojnë femrat nga meshkujt?

Dëshirat tona vazhdimisht ndryshojnë, mirëpo kemi një e cila gjithmonë është e qëndrueshme. Dëshirojmë të na lexoni mendimet.

Dhe çfarë nuk dinë meshkujt për femrat, por që do të duhej të dinin?

Do të duhej të dinin që është e pamundur që na kënaqin, që është e pamundur të na kuptojnë, mirëpo që kurrë nuk bën të ndërpresin përpjekjet.

Çfarë je e gatshme të bësh për dashurinë, dhe çfarë është e ndaluar në dashuri?

Vallë, a ekziston diçka që njeriu nuk do të ishte në gjendje të bënte për dashurinë? Në luftë dhe në dashuri çdo gjë është e lejuar!

Cilën gjë nuk do t’ia kishe falur kurrë mashkullit?

Nuk do t’ia kisha falur të çonte dorë në mua dhe të më linte të ikja. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Kalo në kategori