Atyre që kanë qenë nëpër plazhe të botës nuk mund t’u kenë shpëtuar sysh animatorët turistikë, të cilët paguhen për të argëtuar pushuesit. Janë ata që organizojnë e improvizojnë lojëra, kërkojnë ndërveprimin me spektatorin, hedhin batuta që janë “me t’futme”, e në përgjithësi bëjnë një lloj humori të lehtë 20-qindarkësh që, duke qenë se është fjala për një plazh, nuk të rëndet; përkundrazi.
Këtë formë ka marrë edhe fushata elektorale në Shqipëri. Është një “tourist entertainment”. Votuesit janë pushuesit. Ndërsa, politikanët janë gaztorët, janë ata që bëjnë gallatë, që tregojnë barsoleta, që i ftojnë spektatorët-votues që të ndërveprojnë me ta. Meta është rrekur ta prish këtë atmosferë “pushimesh”, pasi ka folur për armë (do të kthehem më pas te ky argument), por nuk ia ka dalë dot.
Kjo fushatë ka mbetur e lehtë, çlodhëse, zbavitëse. Gati-gati ka qenë një “nxemje” që shqiptarët po bëjnë para shtendosjes së pushimeve të verës. Nëse bëjmë një krahasim me fushata të shkuara, nuk është për t’u ankuar. Fushatat e shkuara kanë qenë të egra, të dhunshme e të zbrazëta prej ideve. Kjo e tanishmja ka ruajtur veç zbrazëtinë. Për të tjerat, është thjesht një spektakël banal.
Në gjithë këtë spektakël bie në sy Edi Rama. Ai po sillet sikur të kishte lindur për të qenë një animator turistik. Ndoshta e ka edhe ai vetë këtë ndjesi. Kur çohet në mëngjes e vesh tutat e atletet e fushatës, tok me bluzën e këmishën e bardhë (me që ra fjala, kështu vishen dhe animatorët turistikë), me siguri jeton me idenë se jashtë shtëpisë nuk e presin votues që duan përgjigje për shqetësimet e mëdha të tyret, por spektatorë që duan të vrasin kohën me qyfyre e gallatë. Të jep përshtypjen se gjatë ditës, sidomos gjatë kohës që e bartin me makinë nga një plazh (oh, kërkoj ndjesë: tubim) në tjetrin, mendon veç për batutat e radhës, të cilat i hedh ashtu shpenguar mes fjalëve kazan, tepsi, timon, tavë, byrek etj. etj. Dhe, në fund, kur kthehet në shtëpi, si për t’i vënë një qershizë tortës së ditës elektorale, hap laptopin e futet në Facebook.
Ky është momenti që ai e shijon në mënyrë të veçantë. Bashkëbiseduesit i ka në largësi, anonimë, rëndom idiotë, sikur t’i kishte zgjedhur dikush me dorë në mënyrë që Rama vetë të shkëlqejë si kallaji mes bakëreve. Dhe, fillon me ta një bashkëbisedim në të cilin ai i lejon të tjerët të jenë të paedukatë me synimin që ai të ketë një motiv për t’i fyer, për t’i përbuzur, për t’i vënë në lojë. Bën vaki që ndonjë mik Facebooku mund të tentojë t’i ngrejë ndonjë çështje me rëndësi, apo ta fusë në një si “brainstorming session”, por ai është i dhënë pas atyre që nuk dinë të shkruajnë, që nuk dinë të lidhin dy fjalë e që mezi presin të shijojnë animacionin turistik të radhës. Mes këtyre e ka të sigurt shkëlqimin, ashtu siç e ka të sigurt që nëpër portale ku ai çon pasazhe nga këto biseda Facebook-u, do ketë lexues që do thonë: “Ça garipi që është! Ku i shkon mendja, mor aman?”. Dhe, këtyre më shumë se gjithçka u pëlqen veshja me tuta e me atlete. Se mos vetëm atyre?!
Edhe Edi Ramës vetë i pëlqen shumë që vishet me tuta e atlete. Të ngjan se i ngjan se ka bërë gjetjen e shekullit dhe se është duke u çuditur se si në shtypin e huaj nuk po flasin për këtë personazh novator që po u jep dermën të gjitha praktikave botërore në lëmin e etikës e etiketës politike e publike. As që i shkon në mendje se me poturet e tij, me të cilat shfaqet në mitingje, në studio televizive, në zyrën e kryeministrisë apo edhe në Parlament, thjesht i ka shtuar banalitetin kësaj fushate, që banale do ishte, gjithsesi.
Dhe, në këtë teatër banal japin një dorë edhe të tjerët. Merrni Lulzim Bashën, për shembull. Ky ka guximin që askush në politikë nuk do ta kishte për të krijuar një fabul nga hiçi. Ju kujtohet? Ai foli si pa dashje në një tubim elektoral, për një takim të tijin me Trumpin që do të ndodhte në ditët e ardhshme. Pas kësaj, mori rrugën i biri botës për në Amerikë. Prej andej na dërgoi një fotografi, ku duket ky e Trumpi. Dihet se si është marrë kjo fotografi, ashtu siç dihet se e gjithë kjo histori nuk është asgjë më shumë sesa kjo fotografi. Mirëpo, Lulzim Basha nuk është se mjaftohet të dërgojë në Tiranë fotografinë, dhe të vihet të presë që ndonjë votues-peshk i tipit të atyre miqve të Edi Ramës në Facebook, ta hajë këtë karrem. Jo, ai porosit rrethin e gazetarët e tij në Tiranë që takimin fluturak me presidentin Trump ta shesin si një ngjarje të madhe. Këta këshilltarë e gazetarë shtyhen edhe më tej. Lajmërojnë militantët të dalin në Rinas e ta presin Bashën pas kësaj vizite që veç vizitë nuk mund të quhet. Dhe, Basha as kuqet, as zverdhet prej bujës së inskenuar. Përkundrazi, fillon e flet para tyre për “takimin e madh” që ka pasur me Trumpin.
Dhe, nuk ndalet këtu. Shkon dhe te “Zona e Lirë” që të flasë për faktin që ai ka vendosur kontakte të rëndësishme me shpurën e Trumpit, që ai është kanakari i vetëm i Washingtonit në Tiranë, e që ai i ka shpjeguar kreut të Shtëpisë së Bardhë programin e vet ekonomik gjatë takimit katër-minutësh që ai ka pasur me të!! Më vjen t’i them: Lulzim Basha, në këto momente të jetës së vet politike, Donad J. Trumpi do të të kishte kushtuar katër minuta veç nëse ti do të kishe qenë ndonjë fotomodele që ai për qejf të vet e siç e ka patur zakon, do të mund ta ndukte nga p… Ndryshe, katër minuta nuk mund të t’i jepte. Të kuptohemi, në thelb asgjë nuk ndryshon edhe sikur të kesh folur katër minuta, apo më shumë sesa kaq. Por, unë jam i sigurt se ti ke qëndruar me Trumpin aq sa i është dashur fotografit zyrtar të veprimtarisë, ku ke marrë pjesë në këmbim të një pagese, për ta shkrepur aparatin, d.m.th. e shumta 10 sekonda. Sikur të më japësh prova se ke qëndruar qoftë edhe një sekondë më tepër me Trumpin, unë të jap fjalën se do të bëj deri në zgjedhjet e ardhshme, pa pagesë, artikuj pro teje në gazetën RD.
Vijmë tani te rasti i Ilir Metës. Më saktë, te zotimi që ai mori: “Unë do të armatos popullin…”! Tani secili mund ta kuptojë gjendjen e Metës. Dy të mëdhenjtë janë bërë bashkë me synimin për ta zhdukur LSI-në nga faqja e dheut. Pas marrëveshjes Rama e Basha jo vetëm po bëjnë një fushatë të koordinuar kundër Metës, duke e paraqitur LSI-në si të keqen e madhe të vendit (deri para marrëveshjes, qoftë njëri, qoftë tjetri, çfarë nuk do jepnin që Meta të shpallte aleancën me ta), por edhe kanë filluar aksionin e spastrimit të administratës prej LSI-stëve. Dhe, keqardhja nuk është se po largohen ca LSI-stë. Jo, puna është se kanë filluar të krijojnë që tani vendet bosh në administratë për demokratët. Shtojmë këtu edhe rastin e aktivistit të Lezhës që nuk dihet se kush, e se pse e ka dhunuar, por dihet që nuk është as i PS-së, as i PD-së; është i LSI-së. Shtojmë edhe thirrjen e Ramës në Kuçovë për të mobilizuar policët si agjentë elektoralë të tijtë (Të lë pa fjalë kjo thirrje. Të ketë qenë i dehur, vallë? Dhe nga PD-ja nuk pati asnjë reagim!).
Shtojmë edhe ndonjë gjë tjetër, po të doni. Por, asgjë nga këto, madje edhe shumë më tepër sesa kaq, nuk i jep asnjë kuptim apelit për t’u armatosur. Britma e Metës, ashtu si dhe britma e Bashës gjatë kohës së çadrës se “nëse duan luftë, luftë do kenë”, janë – për ta thënë me mirësjellje – të çmendura.
Meta ka edhe një rrethanë rënduese në këtë mes. Ai është duke bërë fushatën e jetës së vet këtë herë, mirëpo ka zgjedhur momentin më të gabuar, pasi ndërkohë ai është zgjedhur president i Republikës. Sikur të mundte të shkëputej për fare nga LSI-ja, ai mund të bëhej një president i mirë. Por, nëse nuk ka fuqi të shkëputet (e gjasat janë që të mos ketë fuqi: LSI-ja është gjithçka për të), ai do bënte mirë të tërhiqej nga detyra e presidentit. Sa nuk është vonë. E, kjo nuk do të thotë se në këtë rast do të ishte i përligjur të bënte thirrje për armatosje. Jo, thirrje të kësaj natyre do të ishin të çmendura, gjithsesi.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje