LAJMI I FUNDIT:

A prodhuan zgjedhjet, zgjidhje apo krizë?!

A prodhuan zgjedhjet, zgjidhje apo krizë?!

Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit u dëshmua së nuk prodhuan zgjidhje, përkundër se Qeveria u rrëzua pikërisht me këtë arsyetim, gjoja për të nxjerrë vendin nga status quoja e krijuar për temat e ashtuquajtura të mëdha, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe krijimi i Ushtrisë.

Edhe pse me një koalicion prej mbi dy të tretave të shumicës parlamentare, për temat e sipërpërmendura nuk u arrit të gjendej një konsensus as brenda vetë partnerëve të koalicionit PDK-LDK e lëre më me partitë opozitare.

Në këto rrethana, partneri me i madh i koalicionit PDK vendosi që në mënyrë të panatyrshme të përkrahë mocionin e iniciuar nga opozita duke rrëzuar qeverinë në të cilën vetë ishte partneri më i madh.


Këtë vendim të saj PDK-ja e arsyetoi duke akuzuar partnerin e saj, LDK-në dhe Kryeministrin Isa Mustafa për mungesë vendimmarrje dhe stagnim të proceseve.

PDK, apo më saktësisht lideri i saj Kadri Veseli, pretendonte se do të arrinte të jepte zgjidhje për temat e vështira – siç i quante – duke i fituar zgjedhjet dhe duke udhëhequr vet qeverinë.

Për të arritur qëllimin që t’i fitonte zgjedhjet, ai bëri koalicion parazgjedhor me AAK dhe NISMA-n, vetëm pak minuta para skadimit të afatit për dorëzimin e listave, nga frika se do të dilte humbës në zgjedhje. Me këtë rast nominoi Ramush Haradinajn e AKK-së për kryeministër, duke treguar kështu një pasiguri dhe panik para futjes në garë.

Rezultati i të dielës mbrëma doli të jetë befasues për shumëkënd, e ndoshta më së shumti për vet PDK-në dhe aleatët e saj parazgjedhor. Tashmë i tërë ky koalicion “i madh” mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, si dhe një alamet partish tjera më të vogla, arriti të fitojëi aq sa PDK kishte fituar si e vetme në kohën kur kjo parti udhëhiqej nga Hashim Thaçi – tashmë president i vendit.

Me sa duket, koalicioni PAN do të ngelet në kotën e 34 përqindëshit, pa asnjë gjasë që ta formojë as shumicën e brishtë të nevojshme sa për të formuar Qeverinë, e lëre më që të ketë një shumicë të kualifikuar për t’i kaluar “temat e mëdha”.

Në anën tjetër, Vetëvendosje e cila shënoi rritje spektakolare në këto zgjedhje, duke e befasuar edhe vetveten me sa duket, se lëre më partitë rivale, arriti të pozicionohet në vendin e dytë në skenën politike – për herë të parë me mbi 27 për qind.

LDK, po ashtu me koalicionin tjetër, AKR-në dhe Alternativën, zbritën në vendin e tretë me rezultat zhgënjyes për më pak se VV.

Tashmë zgjedhjet, që u proklamuan se do të prodhonin zgjidhje, duket se kanë bërë të kundërtën: kanë futur vendin në një krizë politike nga e cila vështirë se do të dilet shpejt.

PAN-it i takon mandati – sipas Gjykatës Kushtetuese – që ta provojë e para formimin e Qeverisë. Por, bazuar në atë si qëndrojnë shifrat, asaj do t’i duhet edhe një partnerë tjetër – VV ose LDK. Bazuar në qëndrimin e VV dhe konsistencën politike që ka treguar kjo parti, të cilat janë të njohura dhe nuk po zgjatemi t’i përkujtojmë, duket se PAN nuk mund të llogarisë në bashkëpunimin me të. Aletrnativa tjetër i mbetet rikthimi te ish-partneri i saj LDK. Por, në rrethanat se si PDK e prishi koalicionin me LDK-në dhe qëndrimin e eksponentëve të kësaj të fundit në lidhje me koalicionin e kaluar, vështirë se mund të llogaritet rifillimi i një “dashurie të re” në rrethanat kur “plagët e tradhtisë” janë ende të freskëta.

Kështu mund të vijmë në situatën kur PAN-i e djeg mundësinë që të formojë Qeverinë dhe mandati i kalon VV-së, gjithnjë nëse zyrtarizohet si e dyta. Kjo mundësi ekziston bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, në lidhje me të drejtën që Qeverinë ta formojë partia apo koalicioni që ka shumicën në kuvend. Rast të ngjashëm kishte në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, ku përkundër rezistencës së presidentit maqedonas, Qeverinë e formon Zoran Zaev, lider i LSDM-së, që ishte e dyta në zgjedhje. Kjo ndodhi pas dështimit të Gruevskit me VMRO-DPMNE-në i cili edhe pse ishte i pari nuk arriti të sigurojë shumicën duke e humbur rastin të udhëheqë qeverinë.

Duke e ditur se VV nuk ka pothuajse asnjë gjasë të hyjë në një qeveri me PDK-në, duket se negociata më serioze do t’i zhvillojë me LDK. Një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, sado që do të dukej simpatik nga anëtarësia e të dy subjekteve politike dhe sado që numerikisht do t’u jepte komoditet të mjaftueshëm për të qeverisur, vlerësohet si mjaftë vështirë i arritshëm. Kjo për faktin se qëndrimet e prera të LVV-së në lidhje me disa tema si dialogu, Asociacioni, Demarkacioni etj., bien ndesh me qëndrimin ndërkombëtar ndaj tyre. LDK dihet se nuk e preferon thyerjen e shtizave me ndërkombëtarët dhe harmonizimi i qëndrimeve në këto apo pika tjera divergjente do të jetë shumë i vështirë.

Në këto rrethana, do të mund të vije deri tek opsionet tjera si prishja e koalicioneve parazgjedhore dhe vërtitja e partive në pole tjera, sa për të bërë ndonjë vend në ndarjen e pushtetit. E, nëse këto kombinacione nuk prodhojnë zgjidhje për një qeveri të re, mund të vije në pah një koalicion i gjerë me një soj qeverie teknike, duke mbetur në opozitë eventualisht vetëm VV. Kjo mund të vije në shprehje vetëm në rrethana të ndërhyrjes së ashpër ndërkombëtare, duke pasë parasysh qëndrimet dhe premtimet e LDK-së për një bashkëpunim të ri me PDK-në apo edhe divergjencat që mund të ngjall rezultati i dobët i koalicionit PAN dhe detyrimin e tij për të rishikuar pozicionet për të cilat ishin marrë vesh. Kjo e fundit është vështirë e arritshme për shkak të qëllimit jetësor të Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër.

Të gjithë skenarët e lartcekur, apo edhe të tjerë që nuk janë përmendur, e sjellin vendin në një krizë të thellë politike të atillë sa që më e mundshme do të jetë të shkohet në një palë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme sesa të arrihet një marrëveshje për krimin e një qeverie stabile.