Jahja Drançolli
Kriza Lindore e shoqëruar me një sërë ndryshime politike, kishin sjell në jetë përveç tjerash edhe shtete moderne të Ballkanit, si Greqia, Bullgaria, Serbia e ndonjë tjetër – shtete këto të cilat aspironin edhe territore të reja. Ndërkaq, territoret e Shqipërisë Etnike, të cilat gjatë kësaj kohe kishin mbetur ende nën osmanët, ishin bërë temë më e preferueshsme e penave intelektuale të shteteve të përmendura. Në këtë kontekst, sipas ngjarjeve të cilat pasuan, sidomos në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës (1878, 1912-1913), bëhet e qartë se ndryshimet e reja të shoqëruara me copëzimin e territoreve shqiptare ishin në funksion të homogjenizimit të shteteve të përmendura dhe lehtësimit të tyre me rastin e ndryshimeve politike eventuale në rrjedhat historike ballkanike ose evropiane.
Brenda këtij kuadri, që zhurmshëm ishte imponuar nga qarqet politike e shkencore beogradase, ishte “shpikja” e konceptit “Metohija” për pjesën jugperëndimore të Kosovës së sotme. Në dritën e ngjarjeve të sotme na bëhet e qartë se riaktualizimi i emërtimit “Metohi” edhe sot e gjithë ditën është në funksion të politikës së ditës.
Është interesante të theksohet se ky kuptim i imponuar ose artificial pa ndonjë mbështetje historike, në karta që shtypën edhe sot me qëllime propagandistike, merr kuptim edhe më të gjerë sesa ishte fiksuar nga përfaqësuesit e shkollës garashaniane dhe të shkollës antropologjike cvijiqiane. Konkretisht, kur është fjala për emërtimin “Metohija”, që tash e sa kohë është duke zënë vend edhe në jetën zyrtare të qarqeve beogradase si një kuptim gjeografik që i destinohet një pjese të territorit të sotëm të Kosovës, përkatësisht territorit midis Pejës dhe Prizrenit, duke i përfshirë edhe qytetin e Pejës, e në ndonjë rast të çasteve politike edhe qytetin e Prizrenit.
Në të vërtetë, në terminologjinë e leksikut mesjetar të burimit të Kishës Ortodokse, termi ”Metohi“, “Meteh“ etj., sipas dokumenteve mesjetare latine, greke dhe sllave, nuk përmban atributin e një kuptimi gjeografik, por gjithherë në dokumente të kohës del si një term që ka kuptimin e një prone kishtare (metohion ose terra monasterio) a pronë fshati, shtëpie, vreshti, pemishte etj. Gjithashtu, edhe në dokumente osmane, prej vitit 1431 kur ndeshim në regjistrimin e parë të Arbërisë e deri në vitin 1912, vit ky kur Perandoria Osmane iku nga Shqipëria, nuk ndeshet asnjë e dhënë për kuptimin gjeografik të termit “Metohija“.
Është me interes të theksohet këtu se çfarë toponimësh u gjetën në Kosovë në fund të shekullit XII deri në fund të shekullit XIII, para se të vendosej këtu administrata e formacioneve politike nemanjide. Për këto të dhëna të dorës së parë, veç tjerash ndeshim edhe në biografitë e Shën Savës dhe të Stefanit të Kurorizuar kushtuar babait Stefan Nemanja. Në biografinë e të parit hasim këtë të dhënë: “Mori nga bregdeti vendin Zeta me qytete, nga Rabani (Arbëria) të dy Pultet, nga toka greke, ndërkaq mori Patkovën (territori i Gjakovës së sotme), Kostërcin dhe Dërshkovën (fshatra në territorin e Pejës e të Drenicës), Podrimën (treva e Rahovecit), Sitnicën, Llapin dhe Lipjanin […]”. Ndërkaq, në biografinë e të dytit ndeshim në këtë njoftim: “Mori […] territorin e Prizrenit dhe të dy Pologët në tërësi […]“.
Siç shihet nga dokumentet në fjalë, edhe pse në to përmendën gati të gjitha pjesët e rajonit të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit të sotëm, atëbotë fare nuk ka ekzistuar emërtimi a koncepti gjeografik “Metohija“. Koncepti në fjalë nuk përmendet as në Kartën e Hilandarit të përpiluar në vitet 1200-1202, si dhe në krisobula, hagiografi, prosopografi, biografi nemanjide e bizantine të kohës së nemanjidëve. Gjithashtu, është për të vënë re se, edhe në përmbledhjet më përfaqësuese të dokumenteve rasiano-nemanjide, emërtimi “Metohija“ ndeshët shumë shpesh, por gjithherë në kuptimin e një prone kishtare dhe asnjëherë si kuptim gjeografik që do të kishte kuptimin e territorit të Pejës, Gjakovës ose të Prizrenit.
Gjatë tërë kohës së sundimit nemanjid (shek. XIII – XIV) dhe më pas, krahas territoreve të Prizrenit, Hvosnës dhe Patkovës, të cilat u zunë në gojë më lartë, përmendet edhe në territorin Altini, trevë kjo që përfshinte rajonin midis Deçanit dhe Gjakovës.
Në anën tjetër, pas zhbërjes së formacionit politik nemanjid (1371), në këtë pjesë të Kosovës i ndeshim zotërimet e formacioneve politike arbërore: Balshaj, Dukagjini e Kastrioti. Me pushtimin e territorit të sotëm të Kosovës nga osmanët (1455-1462) dhe me vendosjen e administratës osmane në këtë rajon, territoret e Pejës dhe të Gjakovës zunë të quheshin Dukagjin, përkatësisht hynë në kuadrin e Sanxhakut të Dukagjinit, i cili ishte shtrirë midis Adriatikut dhe sanxhaqeve të Hercegovinës, Vuçiternit, Prizrenit dhe më vonë Shkodrës.
Së këtejmi, udhëpërshkruesi i njohur osman, në shekullin XVII, në kuadër të Sanxhakut të Dukagjinit, kishte përfshirë Pejën, Plavën, Gjakovën, Shkodrën, Lezhën dhe Zadrimën. Ndërkaq, ipeshkvi kotoras, Marjan Bolica, në një relacion nga viti 1614, brenda konceptit Dukagjini, përveç Shkodrës, Zadrimës, përfshinte edhe rajonin e Pejës. Territoret e Pejës dhe të Gjakovës ishin pjesë të kësaj njësie administrative osmane deri në vitin 1783, kur Sanxhaku i Dukagjinit pushoi së ekzistuari. Atëherë kuptimi gjeografik u ngushtua vetëm në nahijen e Pejës, trevë kjo që hyri në kuadrin e Sanxhakut të Shkodrës.
Me përfshirjen e njësive të reja administrative osmane, përkatësisht të vilajeteve, Peja si qendër e kadiut hyri në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit në vitin 1874, e qyteti në fjalë hyri në kuadrin e vilajetit të Kosovës.
Është për të vënë re se apelativi Dukagjin në gjuhën serbe, prej shekullit XIX, ka pasur kuptim të dyfishtë. Në radhë të parë si emër personi dhe principate, pastaj si kuptim gjeografik. Këtu është më rëndësi të përmendet fakti se themeluesi i linguistikës serbe, Vuk Karaxhiq, në fjalorin e vetë bën dallimin ndërmjet emrit personal Dukagjin dhe territorit Dukagjin. Ky studiues për herë të parë në fjalorin e vet, krahas apelativit Dukagjin “shpiku” edhe konceptin gjeografik “Metohija“, koncept ky që sipas tij përfshinte Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe manastirin e Deçanit.
Ajo që tërheq vëmendjen është se edhe më tej rajoni i Dukagjinit zihet në gojë bukur shpesh edhe në dokumentet serbe edhe pas “shpikjes” së këtij koncepti gjeografik. Në shekullin XIX janë të shpeshta njoftimet për rajonin ose krahinën e Dukagjinit edhe në historiografinë evropiane, si, p. sh., botanisti Dr. Grizbah, i cili kishte vizituar Dukagjinin në vitin 1839, shkruante se Dukagjini i mirëfilltë nisë nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Ndërkaq, J. Myler, në librin e tij me vlera monumentale, “Albanien […]”, të botuar më 1844, brenda konceptit Dukagjini përfshinte rajonet e Pejës, Gjakovës, Pukës dhe Elshanit. Përafërsisht janë shprehur me rastin e vizitës së tyre Kosovës edhe studiuesit rusë, Jastrebov dhe Gilferding.
Në fillim të shekullit XX, antropologu e gjeografi Cvijiq e disa përkrahës të mëvonshëm të studimeve të tyre, duke mos u mbështetur fare në burimet historike, ngritën tezën për ekzistimin e konceptit gjeografik “Metohija”, që kishte kuptim rajoni midis Prizrenit e Pejës. Këtë tezë e mbështesnin në faktin që apelativi “Metohion“, përkatësisht “Metohija“, në gjuhën greke ka kuptimin e pronës së manastireve dhe në këtë aspekt, shumë fshatra të territorit në fjalë kanë qenë pronë manastiresh. Është e ditur se kisha ortodokse gjatë mesjetës zotëronte manastire jo vetëm në këtë pjesë të territorit të sotëm të Kosovës, por edhe në mbarë Kosovën dhe në Serbi, pastaj në një pjesë të Greqisë (Hilandar), të Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Sllavonisë, etj. Sipas kësaj logjike, studiuesit e lartpërmendur dhe përshkruesit e tyre, që të gjitha territoret e mbretërisë mesjetare nemanjide, ku kishte “Metohion“ apo “Metohija“ të kishës ortodokse, është dashur t’i quanin me një emër të përbashkët “Metohija”.
Kështu, në tezën e tyre të shtruar serbët nuk kanë ofruar fare elemente shkencore. Për më tepër ata kanë sjellë huti në shkencë. Në fund, duke marrë parasysh të gjitha burimet historike të njohura, mund të themi me plot gojën se territori i Pejës, i Gjakovës dhe i Prizreni i sotëm, deri në vitin 1945 nuk ka pasur asnjëherë kuptimin gjeografik “Metohija”. Përkundrazi, prej shekullit XV e deri në vitin 1945 (vit ky kur shteti komunist i Jugosllavisë Kosovës ia qepi edhe “Metohinë” deri në vitin 1968) ruante konceptin gjeografik Rrafshi i Dukagjinit ose shkurt Dukagjin.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAtilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova?
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës për inkuadrim në Ligën B të Kombeve
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje