LAJMI I FUNDIT:

Radikalët serbë, Ivanov dhe Lulëzim Basha

Radikalët serbë, Ivanov dhe Lulëzim Basha

Vizita e zonjës Mogherini në Ballkanin Perëndimor, veç të tjerash, u shenjua nga tri ngjarje. Në Parlamentin serb deputetët radikalë protestuan ndaj saj dhe, përmes saj, kundër Bashkimit Evropian, duke ulëritur se nuk duan Evropën, por Serbinë dhe Rusinë. Në Maqedoni, presidenti Ivanov e refuzoi këshillën e saj që ajo, në emër të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, i bëri atij për të zgjidhur krizën kushtetuese dhe për të mandatuar si kryeministër Zoran Zaevin, i cili, së bashku me partitë shqiptare, kanë arritur të sigurojnë numrin e nevojshëm të firmave për të marrë mandatin qeverisës.

Kundër këtij projekti, për çudi, Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk kanë shfaqur asnjë rezervë. Rusia dhe Serbia kanë protestuar duke hamendësuar se marrëveshja e shqiptarëve me partinë e Zaevit, që nënkupton ngritjen në nivel kushtetues të qartë të faktorit shqiptar sipas kornizës së marrëveshjes së Ohrit, është një ndërhyrje e pastër e Shqipërisë në shkatërrimin e Maqedonisë, se kështu Maqedonia do të shqiptarizohet e plot akuza të tjera. Në Tiranë ajo u ndesh me bojkotin e opozitës dhe duke shpërfillur kërkesat ultimative të Bashës, i rekomandoi PD-së që të kthehet në Parlament dhe akuzoi Bashën se qëllimi i protestës nuk ishte ai që shpall PD-ja por mosmiratimi i Vetingut dhe mosmiratimi i reformës në drejtësi.

***


Nëse i sheh me vëmendje tri ngjarjet që u bënë argument dhe që i ranë ndesh vizionit të Mogherinit gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor, do të vëresh se dy të parat janë thelbësisht të qarta dhe kanë në themel nacionalizmin serb e maqedonas, nacionalizëm që vijon të ushqehet nga fryma e përjashtimit të shqiptarëve si entitet shtetformues brenda Maqedonisë dhe nga etnocentrizmi i shfrenuar që ka në themel ëndrrën e Serbisë së madhe që nuk e pranon Kosovën dhe popullsitë e tjera jo serbe në territoret e imagjinuara të saj. Në Shqipëri opozita proteston për qeverisjen e keqe dhe kriminale të Edi Ramës dhe kërkon bashkëqeverisje me të nën emrin e qeverisë teknike, sepse me Edi Ramën, siç thotë ajo, vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje të ndershme. Për këtë ajo ka shpallur kërkesa ultimative të cilat kulmojnë me mosmiratimin e reformës në Drejtësi dhe të Vetingut.

Zonja Mogherini duhet të jetë çuditur shumë kur nuk ka parë në Tiranë atë atmosferë të ndezur nacionaliste që ka në qendër interesat e tepruara të vendit në dëm të interesave të individit. Nga një pikëpamje Shqipëria të bën përshtypje se nuk ka komplekset nacional-shoviniste, por, nga ana tjetër, të vjen për të vjellë kur sheh se çfarë klase politike ka ky vend dhe çfarë opozite të shpëlarë dhe pa identitet ka gjithashtu. Për të mos krijuar asnjë keqkuptim le t’i marrim gjërat me radhë.

E para. Të vërtetat që artikulon opozita ose pozita janë gjysmë të vëreta nuk janë të vërteta absolute. Nëse opozita artikulon një sërë akuzash mbi qeverinë është në të drejtën e saj, madje mund të shtojë edhe të tjera më shumë. Por kjo është një pjesë e së vërtetës dhe është e vërteta sipas opozitës. Pa dashur të bëj shumë teori, po mjaftohem të them se narrativa e cilitdo lideri politik ndërtohet me një sistem konceptesh dhe simbolesh që nuk kanë si referencë realitetin, por atë realitet që ndërtohet nga frymëzimi opozitar. Ndërkaq edhe pozita ka të drejtë të ndërtojë një narrativë tjetër dhe të paraqitë një realitet sipas frymëzimit të saj. Sistemi i simboleve dhe teksti që artikulon qeveria ose pozita është i kundërt me atë të opozitës. Në të dyja rastet asnjëra prej tyre nuk e ka monopolin e së vërtetës dhe asnjëra prej tyre nuk tregon dot realitetin, por vetëm gjysmwn e tij ose irealitetin. Po çfarë do të ndodhte nëse edhe qeveria do të nxirrte në shesh mbështetësit e saj dhe do të bënte parada fitoresh apo suksesesh ? Do të kishim përplasje ose edhe më keq. Rastet kur bie qeveria janë përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe asnjë opozitë nuk mund ta rrëzojë qeverinë vetëm sepse ashtu mendon ajo. Kjo është ana ligjore e problemit.

E dyta. Kjo opozitë nuk ka të drejtën morale që t’u tregojë shqiptarëve, jo militantëve të saj, se është e ndryshme nga akuzat që i bën qeverisë. Lulëzim Basha është akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për një dëm mbi 200 milion euro dhe i ka shpëtuar drejtësisë me procedurë. Kjo dosje është aty. Jo më larg se para disa ditësh, Departamenti i Shtetit përmendi si shenjë të korrupsionit në drejtësi mosdënimin e gardistëve që vranë 4 protestues kur Basha ishte ministër i brendshëm. Në qeverisjen e kësaj opozite Lazarati ishte republika e parë e drogës në këtë vend. Pra, vështruar nga kjo pamje, opozita, nëse do të kthejë besimin në vend, duhet të bashkëpunojë që të kryhet reforma në drejtësi dhe pastaj vendi të ndjekw modelin e Kroacisë apo të Rumanisë ku asnjë kryeministër në detyrë apo « ish » të mos jetë imun përballë ligjit.

E treta. Përballë kësaj situate, kur të dyja palët kanë si monopol vetëm gjysmë të vërtetash, opoinioni i gjerë, ai që është jashtë këtyre dy hapësirave, ka nevojë për një arbitër. Shqipëria, ndryshe nga Serbia apo ndonjë vend tjetër, ka zgjedhur si arbitër SHBA-në dhe Bashkimin Evropian. Zonja Mogherini nuk është vetëm Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë e Bashkimit Evropian, ajo është edhe përfaqësuesja ime, pra e ne shqiptarëve që duam të bëhemi nesër pjesë e familjes evropiane. Dhe në qoftë se ajo vjen dhe thotë që opozita të futet në Parlament të miratojë komisionet për reformën në Drejtësi dhe Vetingun, unë nuk kam se çfarë të dëgjoj tjetër. Gjithçka më pas është thjesht retorikë bajate.

Kam parë gjithë këto kohë edhe njerëz të nderuar që shkojnë e ligjërojnë në çadër. Disa i mirëkuptoj se duan të jenë në listat që do të bëjë Luli për deputet. Disa të tjerëve u qaj hallin sepse e di se çfarë do të thotë të të fyejë Edi Rama dhe të bëhesh me hije derisa të mos lësh gjë pa thënë kundër tij. Disa të tjerë nuk i kuptoj dot kur thonë se Lulëzim Basha është shpresa. Nëse shpresa duhet pritur nga një lider politik që kryen aksione kundër vullnetit të arbitrave tanë, të atyre që i kemi zgjedhur si aspiratë dhe frmëzim, atëherë unë do të vazhdoj më mirë të jem i pashpresë dhe do të pres që Edi Rama të ndërrohet me votë dhe nga të tjerë.

E fundit. Më vjen keq që ky aksion absurd i opozitës po bllokon frymëmarrjen për lëvizje të reja politike për të cilat ka aq nevojë ky vend. Kështu, gjithnjë e më shumë bindem se Ben Blushi me “Libra”-n dhe Gjergj Bojaxhi me lëvizjen e tij kanë rastin që të përfitojnë nga kjo mungesë dhe shkatërrim i opozitarizmit që po i bën Lulëzim Basha dhe PD-ja Shqipërisë.

Në trend

Më shumë
Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Lajme

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Lajme
Teuta Selimi ndahet nga burri?

Teuta Selimi ndahet nga burri?

Magazina
Formacionet zyrtare, Kosovë – Lituani: Foda me dy sulmues, kërkon ta mbyll me fitore

Formacionet zyrtare, Kosovë – Lituani: Foda me dy sulmues, kërkon ta mbyll me fitore

Përfaqësuesja e Kosovës
Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Lajme
Kalo në kategori