LAJMI I FUNDIT:

Bizneset slloveno-kosovare të gatshme për të rritur bashkëpunimin

Bizneset slloveno-kosovare të gatshme për të rritur bashkëpunimin

Klubi i Bizneseve Slloveno–Kosovare ka prezantuar të martën kalendarin e aktiviteteve që do t’i realizojnë gjatë vitit 2017 me bizneset anëtare të këtij klubi.

Në këtë ngjarje ka folur edhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Miljan Majhen, i cili ka thënë se do të punojë për të rritur bashkëpunimin në mes bizneseve nga Kosova me ato nga Sllovenia.

Ambasadori Majhen, duke i uruar suksese bizneseve anëtare të Klubit Slloveno-Kosovar ka thënë se secili biznes që hasë në pengesa mund të drejtohet tek ambasada për të gjetur zgjedhje për to.


Kurse, Denis Gafuri nga “Smard Online”, ka folur për strategjinë e shitjes, e cila sipas tij, ka rëndësi të madhe për funksionimin e bizneseve.

Ai ka treguar shembuj konkretë se si një strategji e mirë e shitjes ka rëndësi të madhe për funksionimin e suksesshëm të një biznesi, duke treguar edhe disa modele të strategjive të shitjes.

Denis Gafuri ka thënë se duhet pasur parasysh edhe kërkesat e konsumatorëve në mënyrë që çdo herë të bëhet zgjedhja më e mirë për konsumatorin, si dhe për funksionimin e biznesit.

Ndërkaq, Blerta Aliu nga Klubi i Bizneseve Slloveno-Kosovare ka treguar për aktivitetet që kanë planifikuar t’i mbajnë gjatë vitit 2017.

Sipas saj, përveç që kanë për synim rritjen e bashkëpunimit, do të mbajnë edhe takime B2B me bizneset nga Sllovenia dhe Kosova, po ashtu do të organizojnë vizita të ndryshme me bizneset e të dyja vendeve për t’i shkëmbyer përvojat.

Aliu ka treguar se ka paraqitur të gjitha aktivitetet e klubit gjatë vitit 2017.

Ajo ka treguar se përveç takimeve B2B, do të realizohet edhe vizitë në Panairin “Agra” në Slloveni.

Ndryshe në Klubin e bizneseve Slloveno-Kosovare janë anëtarë rreth 10 biznese. /Telegrafi/