- Mustafa Bajrami, pranë një pjese të bibliotekës së Jetish Bajramit
“Unë po krijoj në Tokë një zëvendës!”. Kjo është pjesë e një vargu të kaptinës el-Bekare që ka gjithsej 286 sosh. Këtë ajet duket se më së shumti e reciton i vetëshpalluri myfti i Kosovës, Naim Tërnava. E reciton, sepse me sjelljet e tij, dhe fatkeqësisht me paprekshmërinë e tij në këtë shoqëri, ai mund të besojë se fjala është për të. Ndryshe, si mund të shpjegohen sjelljet e tij autokrate në Bashkësinë Islame të Kosovës?! E ndryshoi Kushtetutën e BIK-ut për interesin e tij, vazhdon të mendoj se me të gjithçka fillon në BIK, dhe se BIK nuk do të ketë pas tij! Këto gjepura i flet Naim Tërnava, njëjtë sikur çdo individ i pushtetshëm me prirje despotike!
Me këtë mendësi që vuan nga dëliri i madhështisë, në organizimin solemn, për nder të 30-vjetorit të revistës me vlerë, “Dituria Islame”, qëllimisht e anashkaloi themeluesin dhe kryeredaktorin e parë të saj, Jetish Bajrami.
Jam edukuar të mos flas për emrin tim e as për namin e të dashurve të mi. Prandaj, e kam të vështirë të flas qoftë edhe për babanë. Për Jetish Bajramin. E, aq më shumë për kontributet e tij, kombëtare e fetare. Por, në këtë rast ndjehem i shtyrë të shprehem, për hir të vërtetës, për ta mbrojtur të vërtetën.
Në frymën që jam edukuar, pra, ndjej se është akt moral e human që opinionit t’i thuhet e vërteta për një nismë me vlerë intelektuale e fetare; për revistën “Dituria Islame”; për peripecitë e themelimit dhe peshën që ajo kishte dikur e që do ta ketë edhe në të ardhmen. Duhet thënë sot, sikur shumë herë më parë, se është shkelur çdo kod i edukimit moral e fetar, ndaj një burri 80-vjeçar që në vend se të nderohej së paku si një hoxhë i moshuar në këtë vit jubilar për “Diturinë Islame”, ai është anashkaluar njëjtë sikur për vite me radhë!
Megjithëkëtë, Tërnava, që fatkeqësisht e ka përvetësuar të tashmen, nuk mund ta ndryshojë të kaluarën, faktin se themelues dhe kryeredaktor i parë i “Diturës Islame” ishte Jetish Bajrami. Për fatin e vet të keq, Tërnava nuk mund ta zhbëjë as emrin e tij në dokumente, në numrat që shënojnë sot historinë. Ai nuk mund t’i zhbëjë të arriturat e të tjerëve për t’i shkruar si të vetat. Edhe pse tentoi disa herë, ai nuk mund t’i fsheh as shifrat milionëshe të parave që i kishte trashëguar Bashkësia Islame nga koha e Jetish Bajramit. Ndaj, ndjej keqardhje për shpirtligësinë e “Myftiut” që shpejtë do ta kuptojë se është veç një vdekatar i rëndomtë dhe një mediokër që nuk meriton respektin.
Se deri ku ka arritur makutëria e kreut të tanishëm të Bashkësisë Islame për emër e nam, shihet sidomos kur tenton të përvetësojë çdo gjë që Bashkësia Islame e Kosovës e ka arritur nëpër vite. Për dorëshkrimet e vjetra që për dekada ishin tubuar dhe ruajtur, ka shkruar se janë fryt i punës së tij. Për vakëfet që janë lënë në mëshirën e kohës, thotë se janë nën kujdesin strikt të tij. Për xhematin e xhamive të Kosovës, thotë se janë ushtria e tij. Ndërsa, për Bashkësinë Islame të Kosovës “vajton” se ajo do të shpërbëhet në momentin kur ai më nuk do të jetë myfti.
Për hir të së vërtetës që duhet ta dinë qytetarët e këtij vendi, më poshtë do të ceku vetëm disa fakte mbi të arriturat e Bashkësisë Islame në kohën ajo udhëhiqej nga Jetish Bajrami. Siç mësohet edhe nga parathënia e numrit të parë, Jetish Bajrami është themeluesi dhe kryeredaktori i parë i revistës “Dituria Islame”. Ai është edhe shkruesi i dy parathënieve në dy përkthimet e para të Kuranit. Tri përkthimet e Kuranit u bënë përgjatë mandatit të tij dhe me botimin e dy prej tyre nga BIK-u i atëhershëm kombi shqiptar u radhit mes kombeve të botës që kishin të përkthyer Kuranin në gjuhën e tyre. Gjatë mandatit të tij u ndërtua Medreseja “Alaudin” në Prishtinë; u përgatit projekti për Medresenë e femrave, si dhe projekti për ndërtesën e re të Kryesisë së Bashkësisë Islame.
Atëbotë, kur pushteti serb ndaloi botimin e librave shqip, si kryetar i Bashkësisë Islame, Jetish Bajrami ndihmoi botimin e librave shqip për shkollat e Kosovës në vlerë prej 140 mijë markave gjermane. Gjithashtu, kur serbët me dhunë dëbuan studentët nga konviktet e Universitetit të Prishtinë, Konviktin e Medresesë e hapi për studentë, ndërsa nxënësit e Medresesë i lëshoi në pushim.
Në vitin 1989, në Novi Pazar hapi Medresenë e re për nxënësit boshnjakë dhe kështu Medresenë e Prishtinës e shpëtoi nga dygjuhësia – shqipe dhe serbe. Nga ajo kohë, në Medresenë e Prishtinës mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe.
Më 3 korrik të vitit 1990, para kamerave të të gjitha televizioneve publike të republikave të ish-Jugosllavisë, Jetish Bajrami kishte deklaruar: “Përderisa studentët shqiptarë po dëbohen nga Universiteti i Prishtinës dhe po tërhiqen zvarrë nga konviktet e këtij universiteti, nga sot, të gjitha xhamitë e Kosovës janë të gatshme të shndërrohen në katedra dhe konvikte për studentët shqiptarë”. Kështu, edhe godina e Medresesë atëbotë ishte shndërruar në qendër të aktivitete politike shqiptare. Aty LDK-ja, që udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, fillon t’i mbajë mbledhjet e veta të rregullta, sikur që, me rekomandimin e tij, një pjesë e ndërtesës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan u lirua për partitë politike shqiptare, sidomos për LDK-në. Të njëjtin rekomandim ua përcjellë edhe Këshillave tjerë të BIK-ut nëpër qytetet e Kosovës.
Në kohën kur Serbia suspendoi të gjitha gazetat shqipe në Kosovë, “Diturinë Islame” u shndërrua në organ informativ shqiptar. Si e tillë, “Dituria Islame” filloi të botohej në 20 mijë ekzemplarë dhe u shndërrua në gazetë ditore. Shpërndarjen e saj ia besoi shtëpisë botuese “Rilindja”, e kjo e fundit, përveç që e shpërndante nëpër Kosovë, e dërgonte gjithandej në botë ku kishte shqiptarë.
Në vijim po citoj parathënien e numrit të parë të revistës “Dituria Islame” të dalë për herë të parë në vitin 1986, e jo siç pretendon i vetëshpalluri muftiu i Kosovës që ajo na qenka fryt e punës së tij.
Fjala e Kryeredaktorit: “Kryesia e Bashkësisë Islame me seli në Prishtinë, deri më sot nuk kishte ndonjë gazetë e as ndonjë revistë të veten, së paku për informimin e pjesëtarëve të fesë islame në territorin e saj. Arsyet ishin të shumta, e ndër të cilat më kryesorja ishte mungesa e kuadrit i cili do ta udhëhiqte dhe i cili do të përkujdesej për te, nga njëra anë, por as mjetet financiare nuk ishin të mjaftueshme, nga ana tjetër.
Tani, me kënaqësi mund të paraqitemi para publikut, sepse kuadri fetar dhe arsimoro-fetar ka fituar si në sasi, si në cilësi. Ndërkaq, baza materiale sa për fillim është siguruar. Shprehim bindjen tonë se kuadri i tanishëm tërë qenien e vet do t’ia kushtojë punës në arsimimin fetar. Edhe pse kjo Kryesi nuk ka traditë të gjatë për këtë veprimtari, shpresojmë se bashkëpunëtorët e ‘Diturisë Islame’ do ta begatojnë këtë revistë edhe me punimet e veta origjinale, ose të përkthyera nga gjuhët tjera, duke i dhënë fizionominë e një reviste, ashtu siç e dëshirojnë lexuesit tanë të nderuar.
Me qenë se ky është numri i parë i kësaj reviste që po del në dritë, presim nga lexuesit e saj që me punimet, me propozimet dhe me sugjerimet e tyre të na ndihmojnë që të gjithë së bashku ta plotësojmë kërkesën dhe nevojën e shumë të interesuarve dhe me këtë formë të fjalës së gjallë.
‘Dituria Islame’ ka për qëllim që t’i ofrojë lexuesit informata lidhur me nevojat e Bashkësisë Islame, lidhur me problemet e saj të përditshme që opinioni të njoftohet drejtpërdrejtë me të mbërrihet e Bashkësisë Islame me gëzimin e të drejtave të tyre fetare, për çka kjo revistë jona dhe e juaja do të japë kontributin e vet pozitiv dhe e cila do të ndihmojë të gjitha të gjitha revistat tjera të gjuhës shqipe në zhvillimin dhe kulturimin e vlerave njerëzore të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës. Njëkohësisht, me daljen në dritë të kësaj reviste, kërkojmë ndihmë nga redaksitë e revistave tjera, sepse pa dyshim ata kanë një traditë më të gjatë dhe posedojnë një kuadër më të përsosur që ka një përvojë shumëvjeçare në këtë drejtim.
‘Dituria Islame’, me përmbajtjen e vet do të ofrojë informata lidhur me punën e Kryesisë, të Këshillave të Bashkësisë Islame dhe të Shoqatës së Ylemave në territorin e kësaj Kryesie. Por, njëkohësisht do të sjellim edhe artikuj nga përmbajtja e mësimit islam, nga historia e zhvillimit të jetës fetare, si dhe me problemet me të cilat po ballafaqohet ajo në jetën e përditshme të kohës sonë”.
P.S.: Edhe pse shkruesi i këtyre rreshtave ka botuar me qindra shkrime e punime nëpër gazeta dhe revista shqiptare, edhe pse ka një mori punimesh shkencore të botuara nëpër revista shkencore të huaja, që ka përthyer e ka shkruar libra të tërë, prejse Naim Tërnava u vetëshpall për myfti të Kosovës, shkrimet e tij asnjëherë nuk u lejuan të botohen në revistën “Dituria Islame”. Megjithëkëtë, revistës i dëshiroj suksese e punonjësve në te shëndet dhe punë të mbarë.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëLaert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Rriten kërkesat e kosovarëve për azil pas liberalizimit të vizave
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë