LAJMI I FUNDIT:

KEDS Akademy ka synim zhvillimin e të rinjve në Kosovë

KEDS Akademy ka synim zhvillimin e të rinjve në Kosovë

Për tri vite të funksionimit të tij, KEDS Akademy ka rritur të aftësojë nxënës e studentë në fusha të ndryshme teknike në Kosovë.

Edhe pse ideja e themelimit të KEDS Akademi, ka qenë zhvillimi dhe edukimi i të rinjve në fusha teknike, duke u nisur nga entuziazmi i të rinjve për një gjë të tillë, ky institucion i arsimit në vendin tonë, ka filluar të zgjerohet edhe në fusha të tjera.

Kryetari i Bordit në KEDS, Serhat Dinc, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se kur po shqyrtohej ideja e themelimit të kësaj akademie nuk e ka paramenduar se do të pritej kaq mirë nga të rinjtë.


“Më kujtohen ditët e para kur po e shqyrtonim idenë dhe as me optimizmin më të madh nuk e paramendonim se KEDS Academy do të pritej kaq mirë nga nxënësit dhe studentët kosovarë, por edhe nga institucionet shtetërore, duke filluar nga shkollat, universitet, ministria e arsimit dhe më gjerë. E kishim menduar si një program edukimi, ku nxënës dhe studentë të fushave teknike do të aftësoheshin më tutje në profesionet e tyre, por ky entuziazëm me të cilin është pritur KEDS Academy në Kosovë na ka bërë që ta zgjerojmë programin edhe në fusha tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa, pse KEDS ka vendosur që të investojë me një kosto kaq të madhe në edukimin e të rinjve kosovarë, Dinc ka thënë se për shkak të rinisë që ka Kosova, e ka parë si mundësi shumë të madhe zhvillimin e këtij sektori.

“Përgjegjësia shoqërore e korporatave nuk duhet të jetë diçka që bëhet sa për sy e faqe, por duhet të jetë diçka që përnjëmend do të bëjë një ndryshim, që përnjëmend do të ketë një ndikim në jetën e asaj shoqërie ku një korporatë zhvillon aktivitetin e saj. Para se të nisim KEDS Academy, ne kemi shqyrtuar se ku do të mund të kontribuonim më së shumti dhe më së miri, kemi shqyrtuar se ku ka Kosova më së shumti nevojë dhe duke pasur parasysh që shumica e popullatës kosovare janë të rinjtë, atëherë, edhe ne vendosëm që pikërisht për gjeneratat e reja duhet bërë diçka. E është e kuptueshme se për çfarë kanë nevojë më së shumti gjeneratat e reja, për edukim, pra, vendimi ynë ishte pothuajse i vetëkuptueshëm”, ka deklaruar Dinc.

Po ashtu, Dinc ka theksuar se synimi i kësaj akademie është që ligjëratat të lidhen me punën praktike.

Ai ka theksuar se qëllimi kryesor është që studentët e KEDS Akademi të kryejnë punë praktike në terren, në kompanitë më të fuqishme në Turqi.

“Për shkak të luftës, Kosova ka pasur një vuajtje disa vjeçare që e ka penguar progresin e vendit në të gjitha fushat. Duke pasur parasysh këtë edhe sistemi arsimor, ende nuk ka arritur që të zërë hapin me vendet e zhvilluara. KEDS Academy është një program edukimi që i ndihmon Kosovës të bëj edhe një hap përpara në drejtim të zhvillimit të mëtutjeshëm të këtij sistemi. KEDS Academy, përveç ligjëratave nga profesor me renome nga Universiteti Bogazici, ofron edhe ligjërata nga inxhinierë me përvojë shumëvjeçare të KEDS-it. Shumë e rëndësishme është edhe praktika që nxënësit dhe studentët bëjnë në premisat e KEDS-it, në terren dhe në premisat e Limak Energy në Turqi. Praktika është ajo që i jep jetë mësimit të marrë në banka shkollore, prandaj është pjesë shumë e rëndësishme e programit tonë”, ka thënë ai.

Dinc ka thënë se tashmë ka filluar thirrja për aplikim për regjistrime në gjeneratën e katërt dhe duke e pas entuziazmin e madh të të rinjve, është shprehur se do të vazhdohet edhe me shumë gjenerata tjera.

“Tashmë janë hapur thirrjet për aplikim në gjeneratën e katërt dhe duke pasur parasysh interesimin e madh dhe entuziazmin e shprehur nga studentët dhe institucionet për këtë program duket se do të ketë edhe shumë gjenerata tjera. Ne do të punojmë në drejtim të zgjerimit të mëtutjeshëm të programit tonë, në mënyrë që të plotësojmë sa më shumë kërkesa të studentëve dhe nxënësve kosovarë. Ne nuk kemi asnjë dyshim, jemi të vendosur që të vazhdojmë dhe përkrahja jonë në të ardhmen do të jetë edhe më e madhe”, ka thënë ai.

KEDS Akademy është themeluar para tri viteve me qëllim të përgatitjes së të rinjve në fusha teknike.

Në KEDS Akademy deri më tani kanë diplomuar tri gjenerata me nga më shumë se 40 të diplomuar.