LAJMI I FUNDIT:

Roli i vërtetë i Amerikës në Siri

Roli i vërtetë i Amerikës në Siri

Jeffrey D. Sachs

Lufta civile e Sirisë është kriza më e rrezikshme dhe më shkatërrimtare në planet. Që nga fillimi i vitit 2011, qindra mijëra vetë kanë vdekur; rreth dhjetë milionë sirianë janë zhvendosur; Evropa është tronditur nga terrori i Shtetit Islamik (ISIS) dhe pasojat politike të refugjatëve; dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s më shumë se një herë i janë afruar përballjes direkte me Rusinë.

Fatkeqësisht, presidenti Barack Obama ka ndërlikuar shumë rreziqet duke fshehur rolin e SHBA-së në Siri nga populli amerikan dhe opinioni botëror. Një fund i luftës siriane kërkon një llogaritje të ndershme nga SHBA për rolin e saj të vazhdueshëm, shpesh sekret në konfliktin sirian që prej vitit 2011, përfshirë se kush po financon, armatos, stërvit dhe mbështet palë të ndryshme. Një ekspozim i tillë do të ndihmonte për t’i sjellë fund veprimeve të pa përgjegjshme të shumë vendeve.


Një perceptim i përhapur – dhe fals – është se Obama e ka mbajtur SHBA-në larg luftës në Siri. Në fakt, krahu i djathtë i SHBA-së vazhdimisht e kritikon atë se ka hequr një vizë në tokë ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad mbi armët kimike dhe më pas është tërhequr kur Assad e ka kaluar atë (çështja mbetet polemike, si shumëçka në Siri). Një analist i rëndësishëm për Financial Times, duke përsëritur idenë e gabuar se SHBA është mënjanuar, së fundmi la të kuptohej se Obama ka refuzuar këshillën e sekretares së atëhershme të shtetit Hillay Clinton për të armatosur rebelët sirianë që luftojnë Assad.

Megjithatë perdja ngrihet herë pas here. Në janar, Nju Jork Times më në fund raportoi një urdhër sekret të presidentit më 2013 ku CIA-s i thuhej të armatoste rebelët sirianë. Siç shpjegohej, Arabia Saudite ofron financim kryesor për armatimet, ndërsa CIA, nën urdhrat e Obamës, ofron mbështetje organizative dhe stërvitje.

Fatkeqësisht, historia u publikua dhe kaloi pa saktësim nga qeveria amerikane dhe pa lajm pasues nga Neë York Times. Publiku u la në errësirë: sa të mëdha janë operacionet në vazhdim CIA-Arabi Saudite? Sa po shpenzon SHBA në Siri në vit? Me çfarë lloje armësh po i furnizojnë amerikanët, sauditët, turqit, Katari dhe të tjerë rebelët sirianë? Cilat grupe po marrin armë? Cili është roli i trupave të SHBA, mbulimi nga ajri dhe personele të tjerë të luftës? Qeveria e SHBA nuk po i përgjigjet këtyre pyetjeve dhe media tradicionale nuk po i ndjek ato.

Në më shumë se dhjetëra raste, Obama i ka thënë popullit amerikan se “nuk do të ketë trupa amerikanë në terren”. Megjithatë, muaj pas muaji publiku lajmërohet në një deklaratë të shkurtër qeveritare se forcat speciale amerikane po dërgohen në Siri. Pentagoni në mënyrë rutinë e mohon se ata janë në frontet e luftës. Por kur Rusia dhe qeveria e Assad së fundmi kryen bombardime dhe qëlluan me artileri të rëndë ndaj bastioneve rebele në Sirinë e veriut, SHBA lajmëroi Kremlinin se sulmet po kërcënonin trupat amerikane në terren. Publikut nuk i është dhënë shpjegim rreth misioneve, kostove apo palëve të tyre në Siri.

Përmes rrjedhjeve rastësore të informacionit, raporteve investigative, deklaratave nga qeveri të tjera dhe deklaratave të rralla nga zyrtarë të SHBA-së, ne dimë se Amerika është e përfshirë në një luftë aktive, të vazhdueshme dhe të koordinuar nga SHBA për të rrëzuar Assad dhe luftuar ISIS. Aleatët e SHBA në përpjekjen anti-Assad përfshijnë Arabinë Saudite, Turqinë, Katarin dhe vende të tjera në rajon. SHBA ka shpenzuar miliona dollarë armë, stërvitje, forca operacionale speciale, sulme ajrore dhe mbështetje logjistike për forcat rebele, përfshirë mercenarët ndërkombëtarë. Aleatët amerikanë kanë shpenzuar miliarda dollarë më tepër. Shumat totale nuk raportohen.

Publiku amerikan nuk ka pasur të drejtë fjale në këto vendime. Nuk ka pasur votë autorizuese apo miratim buxheti nga Kongresi amerikan. Roli i CIA-s nuk është shpjeguar apo justifikuar kurrë. Ligjshmëria në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare e veprimeve të SHBA-së nuk është paraqitur kurrë para popullit amerikan apo botës.

Për ata në qendër të kompleksit ushtarak-industrial të SHBA, ky sekret duhet ruajtur. Pozicioni i tyre është që një votë nga Kongresi 15 vite më parë që autorizonte përdorimin e forcës së armatosur kundër fajtorëve për sulmin terrorist të 11 shtatorit i jep presidentit dhe ushtrisë dorë të lirë për të luftuar luftëra sekrete në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Përse duhet SHBA t’i shpjegojë publikut çfarë po bën? Kjo do të vinte në rrezik operacionet dhe do të forconte armikun. Publiku nuk duhet ta dijë.

Unë kam një pikëpamje tjetër: lufëtrat duhet të jenë gjëja e fundit dhe duhet të kufizohen nga kontrolli demokratik. Kjo pikëpamje thotë se lufta sekrete e Amerikës në Siri është e paligjshme si në kuadër të Kushtetutës Amerikane (që i jep Kongresit të vetmen fuqi për të deklaruar luftë) dhe nën Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe kjo luftë me dy palë e Amerikës në Siri është një bast cinik dhe i papërgjegjshëm. Përpjekjet e kryesuara nga SHBA për të rrëzuar Assad nuk synojnë mbrojtjen e popullit sirian, siç kanë sugjeruar herë pas here Obama dhe Clinton, por janë një luftë e deleguar mes Iranit dhe Rusisë, ku Siria ka rastisur të jetë fushëbeteja.

Rreziqet e kësaj lufte janë shumë më të larta dhe më të mëdha sesa e imagjinojnë luftëtarët e deleguar të Amerikës. Teksa SHBA vazhdon luftën e vet kundër Assad, Rusia ka shtuar mbështetjen e vet ushtarake ndaj qeverisë së tij. Në median amerikane, sjellja e Rusisë është një fyerje: si guxon Kremlini të bllokojë SHBA-në nga rrëzimi i qeverisë siriane? Rezultati është një përplasje e gjerë diplomatike me Rusinë, një që mund të përshkallëzohet dhe të çojë – ndoshta pa dashje – në një pikë të konfliktit ushtarak.

Këto janë çështje që duhet të jenë subjekt i kontrollit ligjor dhe demokratik. Kam besim se populli amerikan do të përgjigjet me një “jo” të madhe ndaj luftës së vazhdueshme të SHBA-së për ndryshimin e regjimit në Siri. Njerëzit në Amerikë duan siguri – përfshirë mundje të ISIS – por ata gjithashtu njohin historinë e gjatë dhe shkatërrimtare të përpjekjeve amerikane për ndryshim regjimi, përfshirë Afganistanin, Irakun, Libinë, Sirinë, Amerikën Qendrore, Afrikën dhe Azinë Juglindore.

Kjo është arsyeja kryesore përse sigurimi amerikan i shtetit refuzon të thotë të vërtetën. Populli amerikan duhet të bëjë thirrje për paqe në vend të luftës së vazhdueshme. Obama ka disa muaj mandat në zyrë për të riparuar trashëgiminë e tij të thyer. Ai duhet të fillojë duke u treguar i sinqertë me popullin amerikan. /Project Syndicate/reporter.al/