LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria Globale

Shqipëria Globale
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Ekziston rreziku real që, me ndërhyrje të gjyqësisë serbe, prokurorët e EULEX-it të ngrehin akuzë ndaj selektorit të Kombëtares shqiptare, për rrezikim të paqes në Ballkan, të cilin e shkaktoi duke frymëzuar Shqipërinë e Madhe dhe duke homogjenizuar shqiptarët kudo që janë. Kjo gjithsesi i shqetëson fqinjët tanë, pasi ideologët serbë ende e përmendin bashkimin e tokave shqiptare në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë, për analogji me “Kroacinë e Madhe”, dhe këtë e paraqesin si të keqen më të madhe e cila mund t’i ndodhë Ballkanit. Pastaj edhe De Biasi italian është… pra gjithsesi mbetet i dyshimtë.

Gjithsesi atë punë kanë ideologët e Serbisë së Madhe, të cilët disa herë e dogjën Ballkanin, duke akuzuar të tjerët! Sido që të jetë, dikush do të mbetet i pakënaqur, ndërkaq ana e mirë e kësaj është se kallashnikovë janë zëvendësuar me tifozët..!

Epo, “Le njani, e le tjetri, e kush me e dhënë golin”, po ankohej duke ironizuar një komentues në profilin e tij në Facebook, pas dështimit të lojtarit me të njëjtin mbiemër të Kombëtares i cili e huqi një rast të qind për qindtë. Nga emocionet dhe zelli i tepruar, padyshim, shkoi topi lart mbi golin të cilin në këtë rast e kishte më vështirë ta hupte sesa të shënonte. Por, ne jemi të njohur se zgjedhim mënyrën e vështirë për t’i bërë gjërat.


Nejse, Shqipëria bëri gol më vonë. Kujtuam se De Biasi kishte menduar se shqiptarët, të cilët nga socializmi kishin trashëguar aq shumë bunkerë, dinë të luajnë vetëm në mbrojtje. Dhe, për ta kishte përgatitur vetëm strategjinë “bunker”, pra veç mbrojtje të cilat thyhen në minutat e fundit. Por, jo edhe kësaj radhe. Kësaj radhe sikur u kishte thënë: “Djema, nuk kini çfarë humbisni më…”

Gjithsesi, nuk e nisa këtë kolumne të sotme me temë futbollin, por si mund ta filloja ndryshe kur edhe qeveritë këto ditë i fillojnë mbledhjet me futbollin, sidomos kur duhet të raportojnë (mos)sukseset. Edhe postimet e politikanëve në rrjetet sociale ndërlidhen me futboll. Edhe në Emergjencë futbolli është temë emergjente. Kombëtarja shumëkujt i bëri lojën e zemrës, si thonë në Gjakovë.

Madje, edhe ajo pak çka mbijetoi nga shoqëria civile, pra njëri nga të pakët, Halili, po flitet se e ka ngritur në kulm flamurin e Kastriotit! Më shumë nuk ka çka me ndodhë për të qenë lajm.

Sot të gjithë ndihen shqiptarë, pra edhe miku im Halili, përfshirë edhe ata të cilët statuset i shkruajnë në anglisht, apo ndonjë gjuhë tjetër botërore, dhe mbase nuk dinë as shumë fjalë shqip. Mund të thuhet mbase se kombi nuk është aq i qartë me vetveten, as Kombëtarja ndoshta nuk është ndër më të mirat, por një gjë vështirë se mund të thuhet: pra, nuk thua dot që “tifozët kuqezi” nuk janë më të mirët. Ata e ngritën kombëtaren nga shtrati, ku lëndonte me nëntë plagë në trup, e ndër to më e rënda mungesa e vetëbesimit, dhe e bënë të luftojë si ekip.

Përpara De Biasit ishte e vështirë të ishe tifoz kuqezi dhe të shpalosje flamurin gjigant në ndeshjet kur vështirë se pritej fitore. Madje, humbjet ishin një rutinë me të cilën u patëm mësuar. Atdhe të dua edhe ashtu si je. Por, tifozët dukej sikur nuk po e bënin këtë për ekipin që lozte në terren, por për atë të ëndrrave që do të bashkonte Shqipërinë virtuale, që i bie të jetë edhe më e madhe se ajo “Shqipëria e Madhe” të cilën na e përmendin sa herë duan të na rrënojnë politikisht përpara Evropës dhe Perëndimit, dhe e cila sërish lidhej me një Italian tjetër të famshëm i cili vishej në të zeza dhe thoshte se “Shqipërinë e kishte në zemër”.
Por, ky italiani, De Biasi që i bashkoi shqiptarët, e këndoi me ta himnin kombëtar, u ktheu vetëbesimin, po që meriton akuzë për fenomenin e ri politik me emrin “Shqipëria Globale”. Postimet në rrjetet sociale nga Australia, Kanadaja, SHBA, Argjentina, Afrika, Azia, rrëfejnë për fenomenin virtual shqiptarë, me karakter botëror.

Kjo sikur shpërlau krejt vetëpërbuzjen të cilën na e kishte futur në nëndije politika jonë e krimbur (ndër)kombëtare, e vërshuar nga korrupsioni dhe hajnitë, nga krimet e organizuara dhe të paorganizuara me të cilat na i zënë sytë sa herë takohemi me një të huaj.

Të mësuar me politikanë servilë, grykës dhe pa dinjitet, ata kujtuan se politikanët tanë e kishin rrënjën nga një popull që nuk ia vlen të respektohet, aq më tepër se këta politikan koketuan me të gjitha lojërat e ndyta rajonale dhe globale, ku u mbërrinte dora, duke keqpërdorë gjithçka që u ishte besuar. Tifozët kuqezi prezantuan një kulturë tjetër shqiptare, me sjellje tolerante, me qasje sportive, me të rinjtë entuziastë dhe kreativë, me të rinjtë dhe të reja që duken bukur… më evropianë se vet evropianët. Tifozët na prezantuan ashtu si në të vërtetë ndihen të rinjtë shqiptarë, jashtë paragjykimeve që i krijon media komerciale, shpesh jomiqësore, e cila e shet produktin e rrezikut shqiptar duke modeluar disa të rinj mercenarë apo disa kriminelë ordinerë apo të organizuar në banda, duke i fryrë ata në përmasa të frikshme, krejt përtej realitetit dhe asaj çfarë ndiejnë dhe dëshirojnë shqiptarët e zakonshëm.

Por, kjo nuk ishte tema ime e sotme, dhe kur e vërejta se deri ku kishte devijuar ideja, desha thjeshtë ta bëja “delete”, por nuk e bëra, sepse papritur e kuptova se në fakt jam brenda teme dhe se intuita më kishte futur në këtë rrugë, për të dal te caku.

A bëhet Shqipëria me shqiptarë? Sa e duam vetveten?

Pra, po nisesha për pushime në një vend fqinj, i cili ndodhet në perëndim të Kosovës. E para që më kaloi ndërmend ishte të marrë me vete disa disqe me këngë shqipe, sa për të kaluar më hareshëm nëpër Rrugën e Kombit dhe sa për të hyrë në atmosferë. Në Kosovë sikur nuk ndihemi krejtësisht të lirë pa e përjetuar plotësinë e fisit, pa e ndier Shqipërinë e romantikëve. Gjithnjë, sloganit serb se Kosova është Serbi, i përgjigjeshim me vete se Kosova është Shqipëri. Por, tashmë ambiciet kosovare për të pushtuar Shqipërinë nuk janë vetëm turistike dhe vetëm verore. Shqipëria është Kosovë, e pata hedhur sloganin në profilin tim, para disa vitesh, dhe pata marrë më së shumti pëlqime nga Shqipëria politike. Tifozeria kuqezi po e pushton Shqipërinë dhe jo vetëm atë politike, por edhe atë globale.

E keni pra parasysh se në radiot shqipe nuk jepen këngë shqip? Të gjitha këngët që përsëriten pandërprerë janë… në fakt nuk janë shqip!

A bëhet Shqipëria Globale me shqiptarë, or mik? A bëhet pa kulturë shqiptare?

Epo, edhe pa shqiptarë nuk bëhet, vetëm se duhet mbase që shqiptarët të mësojnë të respektojnë veten, sepse këtu fillon gjithçka…!

Mbase duhet të fillojmë të ndihemi më mirë në lëkurën tonë, pasi nuk kemi tjetër. Ndoshta edhe të nisim ditën, së paku këto ditë, me sloganin e tifozëve kuqezi: O sa mirë me qenë shqiptar, o hej…!

Shpresoj se kjo nuk e rrezikon paqen globale, edhe pse nëse shkojmë më tutje me kualifikimet, nuk është çudi që serbët dhe aleatët e tyre historikë të dalin me idenë se kjo mund të rrezikojë Luftën e Tretë Botërore.

Pastaj, a nuk ka qysh tash dyshime se diplomacia serbe po punon përmes mercenarëve shqiptarë që të krijojë ndonjë incident për të zbehur së paku, nëse jo edhe për të rrënuar, krejt këtë që e ngritën tifozët tanë me kreativitetin dhe sjelljen e qytetëruar!

Një gogol po e pushton Google…! Nuk është gogol, është Shqipëria Globale…!