LAJMI I FUNDIT:

Mbi 350 transformatorë të rinj do të vendosen nga KEDS vetëm në këtë vit

Mbi 350 transformatorë të rinj do të vendosen nga KEDS vetëm në këtë vit

Shërbimi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), në kuadër të përforcimit dhe zgjerimit të rrjetit, është duke bërë investime në të gjithë territorin e Kosovës.

Vendosja e transformatorëve të rinj është një nga prioritetet e KEDS-it, që për qëllim ka përmirësimin e shërbimeve për konsumatorët në vend.

Duke marrë parasysh rrjetin e vjetruar që kompania KEDS ka trashëguar, vendosja e mbi 350 transformatorë të rinj, të niveleve të ndryshme, brenda këtij viti, po shihet si një sukses shumë i madh i rrjetit shpërndarës energjetik në Kosovë.


Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha për KosovaPress se kjo kompani përveç investimeve të shumta në rrjetin energjetik, është duke investuar edhe në vendosjen e transformatorëve të rinj për përforcimin e rrjetit, e cila gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në Kosovë.

“Vetëm sivjet do të vendosën rreth 350 transformatorë, realisht një pjesë janë vendosur, një pjesë janë në proces të implementimit, dhe pjesa tjetër sigurisht do të kryhet deri në fund të vitit. Pra, do të bëhen së bashku me projektet e reja, ku përfitojnë vetëm nga një trafo dhjetëra konsumatorë, ndërsa kur ai numër shumëzohet me 350 flasim për një shifër të konsiderueshme”, tha Buzhala.

Ai tregon se krahasuar me periudhën parapake 8-vjeçare, me numrin e ri të trafove shtohen kapacitetet për 10 për qind, nga të cilat përfitojnë konsumatorët e amvisërisë dhe biznesit në shërbime edhe më cilësore.

Zëdhënësi i KEDS tutje sqaron se vendosje e trafove do të bëhet varësisht nga specifikat e terrenit dhe fuqia e angazhimit që nevojitet për pajisjet e reja.

Viktor Buzhala tha se KEDS do të vazhdojë me punë dhe investime sipas planeve të saja, për çka edhe i ka bërë të gjitha përgatitjet mbështetur në plane investive.

Ky projekt do të vazhdoi edhe në vitet e ardhshme dhe në të do të përfshihen të gjitha komunat.

Buzhala ka përmendur se qytetarët po ndahen të kënaqur nga investimet e KEDS-it, duke e vlerësuar investimin si të qëlluar dhe të domosdoshëm. /Telegrafi/