LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë gjërat që mësojmë pas ndarjes nga dashuria e parë

Gjashtë gjërat që mësojmë pas ndarjes nga dashuria e parë

Të ndahesh nga dashuria e parë e madhe, nuk është aspak e këndshme. Hera e parë që e ke zënë mendjen duke menduar për dikë, gjithë ditën. Hera e parë që dikush të mungon kaq shumë nëse nuk e takon. Hera e parë që ndihesh femër apo mashkull, që njeh sensualitetin tënd.

Ka kaq shumë gjëra që i ndjen për herë të parë në jetë kur dashurohesh, sa të duket se ndarja do të jetë fundi i një mrekullie. Dhe mbase ashtu është. Por ka shumë gjëra të tjera pozitive nga fundi i dashurisë së parë, nëse di t’a përballosh siç duhet. Rritesh, ndryshon, dhe tani e ke veten tënde në dorë më shumë se më parë, sepse me të ke njohur anë të tuat që nuk i dije. Dhe shumë mësime të tjera jete, që asgjë nuk mund të të bëjë t’i kuptosh, më mirë se ndarja nga dashuria e parë e jetës:

Ndryshimi mund të jetë diçka e mirë, nëse ti do
Është e dhimbshme, sepse nuk je mësuar me diçka të tillë. Por ndryshimi i vërtetë nis që aty. Tani që ke më shumë kohë për veten, duhet të mendosh se si t’a menaxhosh. Gjej një pasion dhe përkushtoju atij. Kalo kohë me familjen, merru me një hobi që ndoshta më parë e kishe lënë pas dore, ndërsa mendoje për të. Jeta jote do të ndryshojë shumë tani e tutje, por kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe.

Ndihesh më mirë kur i shpreh ato që ndjen, me zë të lartë
Është e natyrshme që të ndihesh përzishëm; mall, mungesë, inat, trishtim, gëzim i beftë; pak a shumë kështu ndihen të gjithë pas një ndarjeje. Por nëse nuk i thua në çfarëdolloj mënyre, i heq vetes mundësinë për t’u përballur me ndjenjat e tua. Kur diçka e thua me zë të lartë, je duke ia thënë vetes, përpara se të tjerëve. Shkruaj, fol me miqtë, qaj; është e rëndësishme të kuptosh se sa thellë të ka prekur ndarja, t’i shkosh deri në fund. Vetëm kështu nuk do të kesh rrugë tjetër, veçse të kthehesh mbrapsht, drejt normalitetit.


Nuk mund të gjesh askënd si dashuria jote e parë
Thjesht, s’mund të presësh që kjo të ndodhë. Por duhet të tregohesh i hapur ndaj njerëzve të rinj, që të ofrojnë përvoja dhe ndjenja të reja. Mos u kap pas të shkuarës aq sa për të mos jetuar të tashmen. Ishe me fat, sepse njohe dikë si ai, por kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz të tjerë që presin të gjeheni.

Mëson të vlerësosh marrëdhëniet me njerëz të tjerë
Një ndarje është si një shenjë; të kujton se ke shumë njerëz që të qëndrojnë pranë (të cilët ndoshta i ke harruar ndërsa kaloje gjithë ditët me të). Por miqtë e vërtetë, të afërmit më të dashur, ti kupton se kanë qenë pranë teje gjatë gjithë kohës, dhe se janë përpjekur të të japin drejtimin e duhur. Është koha t’ua shpërblesh.

Ndoshta më tej, mund të jeni shokë
Nëse vërtet ju dhemb shpirti të mos e keni më dikë të tillë në jetën tuaj, nuk është e pamundur. Natyrisht që nuk do të takoheni çdo ditë, të hani darkën bashkë apo të përqafoheni pa ndier aromën e njohur të njëri-tjetrit, por ndoshta është më mirë të nisni t’a shihni njëri-tjetrin me një sy tjetër, shkruan Anabel. Ndodh që kështu, të mund të shkëputeni shpirtërisht prej tij.

Duhet të punosh fort që të nxjerrësh më të mirën nga vetja
Sepse nëse arrin më të mirën tënde, që është të bëhesh i fortë, t’a përballosh diçka të tillë pa gjurmë të pandreqshme, do të thotë se tanimë je i aftë për të tërhequr njerëz të tjerë, që do të dashurojnë natyrën e lirë e të pamposhtur tënden.

Me shumë mundësi nuk ke për të ndier më aq shumë emocione bashkë si në kohën kur ishe me të, por ka për të qenë më mirë kështu; do të mësosh të dashurosh me mendje më shumë sesa me zemër, dikë i cili nuk ka për të qenë një fatalitet në jetën tënde. /Telegrafi/