Veturat benz të prodhuara në Gjermani dhe vilat me modele arkitektonike greke e italiane, ishin ndër frytet e para të demokracisë që pretendohet t’i ketë “shijuar” Shqipëria fill pas rënies së komunizmit.
Norbert Mappes-Niediek, në librin e tij “Mafia e Ballkanit – Shtetet në duart e krimit, një rrezik për Evropën”, para më shumë se një dekade e përshkruan një moment kur ish-kryeministri i atëhershëm Aleksandër Meksi kishte vizituar qytezën Shijak mes Tiranës e Durrësit, dhe aty ishte entuziazmuar me shtëpitë e mëdha që kishte parë. Pa dyshim që aso shtëpish as që mund të ishin ëndërruar gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, prandaj Meksi e kishte shpërfillur atë që s’do të duhej ta bënte një udhëheqës i një populli që përreth gjysmë shekulli kishte jetuar në izolim: nuk kishte pyetur fare se si u ndërtuan ato shtëpi. Le që nuk kishte pyetur se nga erdhën paratë, por ishte ngutur ta cilësonte “madhështinë e qytezës” si sukses të qeverisë së tij.
Përgjigjen megjithatë e jep vetë autori i librit. Vilat groteske u ndërtuan me paratë e drogës, të fituara në Zvicër.
Në Kosovë kemi një përshkrim të ngjashëm, megjithëse këtu u përjetua një tranzicion i dyfishtë: kalimi nga robëria në liri dhe kapërcimi nga socializmi në demokraci. Këtu frytet e para nuk ishin veturat (kosovarët kishin vite që punonin në Perëndim dhe i kishin ato), ama ndërtimet po. Ndryshe nga Shqipëria, këtu lulëzoi ndërtimi i lartë, gllabërimi i tokave dhe privatizimi, apo më mirë të themi përvetësimi i fabrikave dhe i ndërmarrjeve.
Por, edhe këtu, njëjtë si në Shqipëri, askush nuk pyeti se kush po e betononte Prishtinën, se kush po blinte e kush po gllabëronte. Kurrkush s’u interesua të dinte se ku i morën “investuesit” gjithë ato para.
Në Kosovën e vogël gjeografikisht, pak a shumë secili e dinte potencialin e tjetrit, nëse me kapitalin që kishte para luftës do të kishte mundësi të bënte investime milionëshe.
Asnjë kryeministër nuk guxoi ta shtronte këtë pyetje dhe asnjë prokuror nuk u angazhua ta zbardhte prejardhjen e pasurisë. E gjitha ndodhi para syve të një administrate ndërkombëtare, që shkurt thirrej UNMIK dhe para institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të udhëhequra nga politikanët lokalë.
Një nga gjykatësit me përvojë, e shihte me dhimbje atë që po ndodhte në vitet e para të lirisë. Jo shumë vjet më parë, kishte mjaftuar nisja e hetimeve ndaj kujtdo vetëm nëse ishte parë duke paguar një drekë të shtrenjtë në restorant. Por, pse nuk bëhej e njëjta gjë tani kur po bëheshim gati për pavarësi. Përgjigjja e shkurtë dhe e gjatë e tij ishte: “Kemi frikë!” Personalisht i falënderohej Zotit që rastet e mëdha po i merrnin ndërkombëtarët, megjithëse e pranonte se as ata nuk po bënin gjë.
UNMIK-u iku pa lënë gjurmë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, duke ia lënë “testament” misionit evropian për sundim të ligjit, EULEX, dosjet e “peshqve të mëdhenj”. Dosjet nuk është se mbetën të paprekura nga ky mision, por më shumë se prezantim të rezultateve në trajtim të rasteve, u dëgjua retorikë dhe ruajtje e diskursit në kontekst të luftës kundër dukurive që po e gërryenin si kancer të ardhmen e “evropianëve të rinj”.
Ish-udhëheqësi i njësitit të çështjeve ekonomike dhe financiare në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Andrea Capussela, ndonëse nuk u bë i gjallë sa ishte në mision, kur u largua e “bombardoi” EULEX-in. Tregoi se asnjë nga 25 rastet e nivelit të lartë për korrupsion që po i trajtonte misioni më i paguar evropian, që nga viti 2008, nuk kishte rezultuar me dënimin e të dyshuarve nga elita politike. Edhe më e rëndë ishte bindja e tij se BE dhe SHBA kanë mbrojtur të mëdhenjtë e Kosovës në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët.
Capussela mori kundërpërgjigje si nga EULEX-i, si nga shefi i ICO-së, se pretendimet e tij ishin të paqëndrueshme, por gjendja në terren e orientonte besimin më shumë nga ana e tij. Derisa Cappusela qëndronte si vrojtues, EULEX-it i shpërtheu skandali nga brenda. Prokurorja Maria Bamieh nxori në shesh dyshimet mbi përfshirjen e gjyqtarëve të EULEX-it, në ndërmjetësim, por edhe në lirim të palëve të dënuara. Dhe, tash kur kanë kaluar shtatë vjet në shtetësi dhe 16 vjet në liri, në bashkëjetesë të përhershme me mekanizmat ndërkombëtar, kurba e korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon ta mbaj kursin e lëvizjes nga poshtë- lartë.
Nuk mund të jetë bërë prezantim më neveritës gjatë gjithë vitit, se kur javën e parë të dhjetorit, presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, u ftua për ta marrë fjalën në Konferencën Vjetore të Gjyqësisë. Ajo u cilësua si njeriu që ka dhënë kontribut të madh në luftimin e korrupsionit, për sa kohë që të gjithë folësit pareshtur konstatonin humbjen e betejës përballë krimit.
Ironia edhe më e madhe ishte kur kryetari i Këshillit Gjyqësor, kërkoi rritjen e mirëqenës së gjyqtarëve. Kërkoi paga më të dinjitetshme për ta, në kohën kur besueshmëria në gjyqtarë ka shënuar rënien më të madhe.
Kryeprokurori i ri i shtetit i inkurajoi që të punojnë me devotshmëri e besnikëri ndaj ligjit, thua t’i kishte vetë punët mirë në Këshillin Prokurorial. Në një përpjesëtim që u kishte bërë 532 lëndëve për korrupsion me numrin prej 149 prokurorëve, i kishte dalë se një prokuror nuk kishte arritur t’i kryente as pesë lëndë brenda dy vjetësh. Më vonë doli se prokurorët që ai i kryeson, parapëlqejnë të merren me rastet e vrasjeve para atyre të korrupsionit.
Dështim në gjyqësi, dështim në prokurori, dështim në drejtësi, mosdhënie llogari. Dhe, pavarësisht dështimeve, SHBA-të dhe BE-ja premtojnë mbështetje të mëtutjeshme financiare në forcimin e sistemit të drejtësisë. Kjo nuk do duhej të ndodhte për aq sa kohë sa nuk do të dilte një kryeministër, që në takim me zyrtarët e lartë amerikanë e evropianë, të thoshte: “Po e luftojmë krimin e korrupsionin”, duke e ndryshuar kështu diskursin e fjalëve që i përdori Isa Mustafa para sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry: “Do ta luftojmë korrupsionin!”. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian duhet ta kushtëzojnë mbështetjen duke kërkuar veprime e jo fjalë.
Ndihma që do duhej t’u jepej sot prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk do të duhej të konsistonte në para, por në sigurinë fizike të tyre. Për sa kohë që në një shtet të zhytur në krim e në korrupsion, prokurorët e gjyqtarët ecin lirshëm me duar në xhepa nëpër rrugë, ndërsa politikanët nuk shkojnë as në tualet pa truproje, mesazhi është i qartë se aty nuk bëhet as minimumi i përpjekjeve për vendosje të rendit ligjor.
Më shumë se të hollat që premtohen për trajnime, për reforma e për vizita zyrtare, sistemit të drejtësisë i duhet një Task Forcë që u bën rëntgen lëndëve që janë parashkruar dhe i vënë para përgjegjësisë prokurorët e gjyqtarët që kanë thyer çdo parim etik e çdo normë juridike. Duke i shmangur prokurorët e gjykatësit e korruptuar që gjithë këto vite e kanë përligjur të paligjshmen, krijohet mundësia që në krye të mekanizmave të drejtësisë të vijë “një grusht i fortë” që e njeh vetëm ligjin e jo kompromisin me abuzuesit e rendit ligjor.
Mjafton një shikim nga Rumania për të parë se atje betejën kundër korrupsionit po e udhëheq një grua. Laura Codruta Kovesi, brenda dy vjetësh në krye të Drejtorisë Kombëtare Anti-Korrupsion ka vënë para përgjegjësisë udhëheqës komunash, ministra e deputetë, prokurorë e gjyqtarë, derisa ka prekur tek ish-kryeministri, Viktor Ponta.
Korrupsioni nuk luftohet duke ia lypsur gjininë nëse është mashkull apo femër. Korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit. Andaj, kushdo që i mbështet të korruptuarit është bashkëfajtor në dështim.
(Autori është Drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
KQZ-ja numëron të gjitha votat me postë, këto janë rezultatet

Unikkatil reagon për herë të parë pas vdekjes tragjike të vëllait të tij: Përjetove gjëra që disa nuk munden as me qindra jeta

JD Vance shkaktoi skandal me deklaratën për Britaninë, tani 'han' fjalët e veta

Si filloi sherri në parlamentin e Serbisë - grushte, shkelma e hedhje të shisheve të xhamit

Zelensky propozon fazën e parë për përfundimin e luftës - bën edhe një hap drejt pajtimit me Trumpin

Këto janë votat e LDK-së në tetë komunat që udhëheq në nivel lokal

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Disa nga këngët e Unikkatilit me të vëllanë, i cili u gjet pa shenja jete në Prishtinë - kanë bashkë hite të pavdekshme

Bashkatdhetarët votuan me disa fletëvotime të zgjedhjeve të 2021-ës

A mund të sigurojë Evropa paqen në Ukrainë, pa SHBA-në?

Man Utd po shpreson ta rikthejë në ekip lojtarin të cilin e larguan para pesë viteve

Numërohen gjysma e votave të ardhura me postë, LVV e para në 8 komuna, pasojnë LDK dhe PDK

Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës