LAJMI I FUNDIT:

Rrushi me rendimente të dobëta

Rrushi me rendimente të dobëta

Kushtet klimatike që kanë mbretëruar sivjet në vendin tonë kanë ndikuar edhe në uljen e rendimentit të rrushit. Sipas të dhënave preliminare, vlerësohet se rendimenti i rrushit sivjet do të sillet në kufijtë prej 7000 kilogramë për hektarë, edhe pse ekspertët e vreshtarisë thonë se të dhënat zyrtare për rendimentin do të dihen me përmbylljen e deklarimit zyrtar të rendimentit të rrushit të vjelur, i cili sivjet po bëhet për herë të parë në mënyrë digjitale.

Ylber Kuçi, shef i Divizionit të Verëtarisë, thotë për Portalin “Ferma Ime” se kushtet klimatike që kanë mbretëruar gjatë tërë vitit, të shoqëruara me shira të shpeshta, kanë ndikuar në cilësinë dhe sasinë e rrushit. Ai tregon se te varietetet e epokës së parë të pjekurisë ka vonesë në kohën e pjekurisë për 7 deri në 10 ditë nga koha e zakonshme e pjekurisë. Po ashtu, ai sqaron se moti me shi favorizon edhe paraqitjen e kalbëzimit të rrushit, i cili do të reflekton në përmbajtjen e acideve dhe sheqerit në lëngun e rrushit dhe në cilësinë e verës së prodhuar.

“Rendimenti i rrushit për vitin 2014 sipas ekspertëve të vreshtarisë do të sillet në kufijtë 7000 kg për hektar. Kjo ka ardhur si rezultat i kushteve klimatike që kanë mbretëruar në këtë vit. Këto të dhëna janë preleminare pasi të dhënat e sakta do të dihen më 10 dhjetor 2014, atëherë kur mbaron deklarimi zyrtar për të gjitha kompanitë. Deklarimi zyrtar për grumbullimin e rrushit ka filluar nga data 7.09.2014 dhe zgjatë deri më datën 10.12.2014 dhe obligohen të gjithë fermerët që këtë deklarim ta bëjnë në Departamentin për Vreshtari dhe Verëtari në Rahovec”, ka thënë Kuçi.


Ai tregon se janë 18 kompani të licencuara nga Ministria e Bujqësisë që grumbullojnë rrushin dhe prodhojnë verë. Sipas tij, kompanitë prodhuese të verës kanë nënshkruar kontratat me fermerët vreshtarë për grumbullimin e rrushit nga vjelja e vitit 2014, kështu nuk parashihen probleme me grumbullim të rrushit.

Kosova, sipas Kuçit gjatë sezonës së prodhimtarisë të rrushit të tryezës, arrin t’i përmbush nevojat e tregut në masën prej 100 për qind, mirëpo jashtë kësaj periudhe, një përqindje e nevojës së tregut plotësohet përmes importit.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve “Vreshtari”, nga Rahoveci, Labinot Shulina, thotë për Portalin “Ferma Ime” se ka nisur vjelja e rrushit për disa variete. Sipas tij, rendimentet e rrushit ketë vit nuk janë të kënaqshme, pasi vreshtat janë dëmtuar nga lagështia dhe vrugu i cili ka qenë dëmtuesi më i madh i tyre.

“Shumicës së vreshtarëve rrushi u është dëmtuar, për shkak të vrugut, i cili ka ndikuar direkt në rendimente. Rendimentet këtë vit janë shumë më të ulëta se vitin e kaluar. Këtë vit rendimentet e rrushit në varietetet qe kane filluar të vjelën, kanë arritur në vetëm prej 5000 deri në 7000 kilogramë për hektarë”, ka thënë Shulina.

Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës vlerësohet se janë 4965 vreshtarë, të cilët e kultivojnë rrushin në një sipërfaqe prej 3217.45 hektarë, ku varietetet për prodhimin e verës kultivohen në një sipërfaqe prej 2538 hektarë, rrushi i tryezës në një sipërfaqe prej 677 hektarë dhe rrushi për tharje në një sipërfaqe prej 2.45 hektarë./FermaIme/Telegrafi/