LAJMI I FUNDIT:

Fillojnë përgatitjet për regjistrimin e bujqësisë në Ferizaj

Fillojnë përgatitjet për regjistrimin e bujqësisë në Ferizaj

Ka filluar të enjten në Ferizaj trajnimi dy ditor me anëtarët e komisioneve komunale që do të merren me regjistrimin e bujqësisë. Në këtë trajnim po marrin pjesë zyrtarë nga të gjitha komunat e rajonit të Ferizajt, ndërsa procesi është vlerësuar si shumë i rëndësishëm ngase është hera e parë që pas 50 viteve po realizohet në vendin tonë.

Në hapje të këtij seminari, zyrtarja e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, Drita Sylejmani, e ka vlerësuar këtë proces si shumë të rëndësishëm duke thënë se ky projekt madhor është obligim për të gjithë qytetarët e Kosovës.”Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar rëndësisë së bujqësisë për arsye se ky regjistrim nuk është mbajtur qe 50 vite, andaj së bashku me tërë popullatën e Kosovës, me kryetarët e komunave dhe personat të cilët janë të zgjedhur për ta kryer këtë, besoj se që do ta kemi një sukses në këtë drejtim”, ka thënë Sylejmani.

Në emër të kryetarëve të komunave të rajonit, kreu i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në cilësinë e nikoqirit, ka vënë në dukje rëndësinë e këtij procesi për vendin tonë, duke u ndalur në faktin se regjistrimi i kësaj pasurie është parakusht për planifikimet e ardhshme në bujqësi. “Ne dëshirojmë ta dimë cila është pasuria e kësaj lamie dhe në cilat drejtime do të shkojnë edhe investimet, jo vetëm në formë të subvencioneve por edhe investimeve buxhetore edhe të komunave në veçanti. Pjesa më e madhe e popullsisë merret me bujqësi, Ferizaj e ka 90% të sipërfaqes së tokës e ka tokë bujqësore, 60% e tokave bujqësore është e përdorur për këtë destinim, e cila paraqet parakusht për zhvillim edhe më të madh të kësaj dege shumë të rëndësishme të ekonomisë”, ka thënë Svarqa.


Ndryshe, procesin e regjistrimit të pasurisë bujqësore po e udhëheqë Agjencioni i Statistikave të Kosovës. U bë e ditur se në këtë trajnim komisionet komunale do të punojnë në përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive ndërsa në fazat tjera do të trajnohen edhe mbikëqyrësit, kontrolloret dhe regjistruesit. /Telegarfi/