LAJMI I FUNDIT:

Lavërtarët e sfidojnë veten në Kampionatin Botërorë të Lëvrimit

Lavërtarët e sfidojnë veten në Kampionatin Botërorë të Lëvrimit

Lavërtarët kosovarë edhe sivjet, ashtu si edhe dy vitet e kaluara, po marrin pjesë në Kampionatin Botërorë të Lëvrimit, i cili sivjet është duke u mbajtur në Bordeaux të Francës. Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Lëvrimit, i bërë para tri viteve, u ka krijuar mundësinë dy lavërtarëve kosovarë që të konkurrojnë me shtetet më të mëdha të botës, të cilat kanë përvojë shumëvjeçare në lëvrim.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, e cila ka mbështetur përfaqësimin e lavërtarëve në këtë kampionat, tregojnë se pjesëmarrja e përfaqësueses kosovare në këtë kampionat, përveç epitetit garues ka për qëllim edhe promovimin e fuqishëm të shtetit të Kosovës, shkëmbimin e praktikave me të mira të lëvrimit, përmirësimin dhe shfrytëzimin racional të tokës, duke bazuar në parametrat e nivelit ndërkombëtar.

Bekim Hoxha, udhëheqës i delegacionit kosovarë dhe njëherësh edhe anëtar i Bordit të WPO, tha se garuesit kosovarë gjatë dy viteve të kaluara kanë arritur të tregojnë rezultate pozitive në këtë disiplinë dhe kjo ka bërë që Kosova të tërheq vëmendjen e shumë medieve botërore që po mbulojnë këtë ngjarje. “Kampionati botëror i lëvrimit ka një traditë 60 vjeçare, ku shumica e shteteve tregojnë shkathtësitë e tyre në fushën e lëvrimit. Në mesin e këtyre shteteve, tashmë edhe Kosova ka tri vite radhazi që merr pjesë në këtë botëror, me ç’rast lavërtarët kosovarë kanë arritur që të tregohen mjaft të suksesshëm. E pjesëmarrja dhe suksesi i vendit tonë në këtë kampionat ka zgjuar interesim edhe tek mediat botërore”, ka thënë Hoxha.


Në Kampionatin Botëror të lëvrimit, krahas Kosovës, e cila përfaqësohet nga lavërtarët Sead Shehu dhe Lulzim Shehu, po marrin pjesë edhe 30 shtete të tjera, ndërsa garat në këtë botëror do të zhvillohen në dy disiplina, atë të lëvrimit me plug konvencional dhe reversibil, në bari dhe stërnishtë. /Telegrafi/