LAJMI I FUNDIT:

Është hapur panairi bujqësor

Është hapur panairi bujqësor

Është bërë hapja e panairit të produkteve bujqësore dhe agro industriale në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj , panair ky ku janë ekspozuar produkte nga më të ndryshmet. Në këtë panair janë përfshirë produktet e kompanive të ndryshme nga vendi ku secila në mënyrën më të mirë kishte provuar që ta ekspozojë produktin e vet.

Sipas, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, përmes zhvillimit ekonomik mund të krijohen vende të reja të punës dhe të arrihet stabiliteti social, madje sipas tij, nga bujqësia mund të jetohet dhe të fitohet, dhe se këta biznesmenë i pari i Odës Ekonomike i cilësoi si heronj të pas luftës.

“Ju sot po e shihni që të gjitha ato premtime për ekonomi dhe mbështetje për sektorin privat dëshmojnë sot në asnjë prani të asnjë ministri nga qeveria në largim. E tërë kjo po e bënë këtë panair të veçantë sepse është vërtet panair i komunitetit të biznesit. Të gjithë këta që i shihni do të thotë të pranishëm janë ata që mbështesin sektorin privat, janë ata që krijojnë vende të reja të punës dhe ndihmojnë në përmirësim të eksportit dhe ajo mbi të gjitha e bënë nevojën dhe përmirësojnë imazhin e Kosovës për tu marrë me këtë sektor të rëndësishëm. Duhet të theksohet se sektori privat vërtetë ka kaluar do të thotë një fazë më të lartë dhe nuk varet më nga mbështetja e politikës”, ka thënë Gërxhaliu.


Kurse, Arian Zeka, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës falënderoi të gjithë biznesmenët kosovar dhe vlerësoi lartë punën e tyre duke thënë se vetëm kështu mund të promovohen produktet bujqësore, madje sipas tij, tri janë çështjet me më rëndësi që ai gjendet aty prezent.

“Çka është e rëndësishme është që të ndryshohet mendësia e njerëzve që i konsumojnë ato produkte, t’i edukojmë qytetarët e Kosovës që produktet vendore janë produkte shumë cilësore dhe nuk bëjnë asnjë dallim në cilësi kundër produkteve të importuara.”, ka thënë ai.

Ndërsa,Valdet Gjinofci, drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, tha kjo agjenci dita-ditës po zëvendëson produktet që vijnë nga importu me produkte vendore

“Neve si vend dita-ditës jemi duke avancuar në drejtim të zëvendësimit të prodhimeve nga importi . Përveç sot prania dhe prezencës së produkteve ushqimore në përgjithësi edhe pjesëmarrja e industrisë ushqimore tregon që kemi produkte të pranishme cilësore dhe produkte të sigurta të cilat janë të krahasueshme edhe me ato të cilat vijnë nga importi. Mirëpo kjo nuk do të mund të arrihej sikur të mos ishte një bashkëpunim i ngushtë dhe mbështetje institucionale dhe profesionale nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, mirëpo falë mbështetjes së vazhdueshme edhe nga Komisioni Evropian dhe mekanizmat tjerë të cilët lidhen me fushën e sigurisë së ushqimit, gjithashtu edhe me mbështetjen e vazhdueshme përmes ndihmës financiare edhe nga ana e institucioneve të qeverisë së vendit, por mbi të gjitha ndihma profesionale dhe nga Agjencia e Ushqimit tregon se produktet vendore janë produkte të cilat ofrojnë siguri dhe dita-ditës do të zëvendësohen përmes rritjes së prodhimit në përgjithësi të gjithë industrisë ushqimore”, ka thënë Gjinofci.

Ndryshe, ky panair do të jetë i hapur deri më 27 shtator. /Telegrafi/