LAJMI I FUNDIT:

Pagat në rrezik

Pagat në rrezik

Shërbyesit civilë në vend rrezikojnë që në muajin janar të vitit të ardhshëm t’u hiqet rritja e pagave që është bërë këtë vit. Burime të gazetës brenda qeverisë bëjnë të ditur se, në rast se nuk arrihet të miratohet buxheti për vitin 2015, atëherë pagat e muajit janar shërbyesit civilë do t’i marrin pa rritjen që u është bërë këtë vit.

“Në rast se buxheti i vitit 2015 nuk do të mund të miratohet, atëherë në muajin janar të vitit 2015 duhet të shpenzohet buxheti i njëjtë që është ekzekutuar në muajin janar të këtij viti, kur pagat janë marr pa rritje. Kjo do të thotë se pagat e muajit janar të vitit të ardhshëm do të merren pa rritje, në rast se nuk miratohet buxheti”, ka thënë burimi.

Edhe, ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, ka paralajmëruar për mediat e vendit se nëse ngërçi politikë do zgjasë, në muajin janar 2015 shërbyesit civilë mund të mos marrin as paga, derisa sigurt do t’iu hiqet rritja e pagave që është bërë në këtë vit për disa kategori nga Qeveria Thaçi II, në largim.


Sipas tij, kjo rritje e pagave, që po aplikohet pa miratim të rishikimit të buxhetit edhe tash mund të jetë e jashtëligjshme, por nëse viti i ardhshëm e zë vendin pa Kuvend, gjithçka do të paralizohet. /Tribuna/Telegrafi/