LAJMI I FUNDIT:

Ja 8 ngjarjet që mund ti ‘dridhin’ tregjet financiare

Ja 8 ngjarjet që mund ti ‘dridhin’ tregjet financiare

Duke filluar nga dita e mërkurë e deri për Krishtlindje do të ketë shumë lajme apo vendime institucionale që mund të ndikojnë në ecurinë e tregjeve financiare.

22 tetor – Të mërkurën do të publikohen të dhënat mbi inflacionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtatorin. Në gusht, inflacioni ra në 1.7% nga 2% që ishte muajin paraardhës. Treguesit sugjerojnë për tendencë në rënie, që do të jetë ndikuar nga rënia e çmimeve të naftës.

26 tetor – Të dielën më 26 tetor, Banka Qendrore Europiane do të publikojë rezultatet e stres-testit të realizuar tek 124 grupe bankare në Europë. Ky do të jetë një lajm i rëndësishëm që do të tregojë shëndetin e bankave të bllokut. Parashikimet flasin për dështimin e disa bankave, sidomos në pjesën veriore dhe jugore të Europës.


28-29 tetor – Më 28 dhe 29 tetor zhvillohet mbledhja e Rezervës Federale në Shtetet e Bashkuara. Pritet që ky institucion të mbyllë plotësisht programin e blerjes së bonove. Megjithatë, prej disa muajsh tregjet janë përgatitur për një skenar të tillë.

4 nëntor – Kanë kaluar dy vite nga rizgjedhja e Presidentit Barack Obama në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në datën 4 Nëntor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Tregjet do të presin nëse mazhoranca do të qëndrojë tek demokratët apo do të kalojë tek konservatorët, raporton Scan, citon Telegrafi.

5 nëntor – Ashtu si çdo fillim muaji, në datën 5 Nëntor Banka Qendrore Europiane do të zhvillojë takimin e saj periodik. Tregjet presin stimuj të rinj për të luftuar rrezikun e deflacionit në Eurozonë. Gjashtë vende anëtare të bllokut tashmë po përballen me ngadalësim të çmimeve.

9 nëntor – Në datën 9 Nëntor, mbahet referendumi në Katalonjë. Ky referendum nuk është njohur nga qeveria spanjolle, por do të zhvillohet dhe do të ketë një vlerë konsultative. Nëse vota do të jetë “pro” pavarësisë nga Spanja, mund të ketë precedentë të tjerë në të gjithë Europën.

4 dhjetor – Më 4 dhjetor mblidhet sërish Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Europiane. Nëse Rezerva Federale do të ketë mbyllur programin e stimujve do të rriten pritshmëritë e tregut se stafeta do të kalojë tek BQE. Por megjithatë instituti i Frankfurtit është i kufizuar edhe nga motive politike, pasi Gjermania është krejtësisht kundër blerjes së bonove të vendeve anëtare.

16-17 dhjetor – Pak ditë përpara Krishtlindjes mblidhet sërish Rezerva Federale, që do të jetë e fundit për këtë vit. Tregjet do të presin sinjale reale se kur do të vijë rritja e parë e normës bazë të interesit. /Telegrafi/